2014-05-04 15:22:15

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: Fjala e Zotit dhe Eukaristia na mbushin me gëzim


Sot, duke i drejtuar uratën Mbretëreshës Qiellore, Papa u lut që në Ukrainë të fitojnë ndjenjat e paqësimit e të vëllazërisë. Shprehu edhe dhimbjen për viktimat e shkaktuara nga një shkarje vigane dheu, mbi një fshat të Afganistanit. Duke kujtuar fragmentin ungjillor, në të cilin Jezusi i ngjallur u duket dy dishepujve të Emmausit, Ati i Shenjtë nënvizoi se Fjala e Zotit dhe Eukaristia na e mbushin shpirtin me gëzim.

Shpresa se paqja do të fitojë në Ukrainë, ishte sot në qendër të vëmendjes, në lutjen e Papës Françesku:
Të dashur vëllezër e motra, dëshiroj t’ju ftoj t’ia besoni Zojës situatën në Ukrainë, ku nuk reshtin tensionet. Lutem me ju për viktimat e këtyre ditëve, duke kërkuar që Zoti të dikojë në zemrat e të gjithëve ndjenja paqësimi e vëllazërie”.
Ati i Shenjtë kujtoi edhe tragjedinë e shkarjes së dheut në Afganistan, që varrosi një fshat të tërë, në veri-lindje të vendit:
“Lutemi edhe për të vdekurit për shkak të shkarjes vigane të dheut, që u dynd, dy ditë më parë, mbi një fshat të Afganistanit. Zoti i Gjithëpushtetshëm, që e di emrin e secilit prej tyre, i pranoftë në paqen e tij e u dhëntë forcë të gjallëve për të ecur përpara, me ndihmën e njerëzve, që do të përpiqen për t’ua lehtësuar vuajtjet”.
Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi Ungjillin, në të cilin dy dishepuj, pas vdekjes së Jezusit, e lënë pas Jeruzalemin, të trishtuar e të ligështuar në shpirt, për t’u kthyer në fshatin e tyre. E në sa ishin për udhë, u duket Jezusi i ngjallur e ata e njohin vetëm në të thyer të bukës, shenjë e re e pranisë së Zotit ndërmjet njerëzve. Udha e Emmausit, shpjegoi Papa, bëhet kështu, simbol i udhës sonë të fesë:
“Shkrimet e Shenjta dhe Eukaristia janë elemente të domosdoshme për takimin me Zotin. Edhe ne, nganjëherë, shkojmë në Meshën e së Dielës me shqetësimet tona, vështirësitë, zhgënjimet. Jeta, shpesh, nga hap plagë e ne vijojmë, gjithë trishtim udhën kah ‘Emmausi’ ynë, duke i kthyer shpinën planit të Zotit. Largohemi nga Zoti”.
Por, kur arrijmë, tha në vijim Papa, na pret Liturgjia e Fjalës së Zotit:
Jezusi na i shpjegon Shkrimet e Shenjta e zë e ndizet përsëri në zemrat tona zjarri i fesë e i shpresës, pastaj vjen, në Kungim, e na jep forcë”.
Ati i Shenjtë në vijim, i nxiti besimtarët ta njohin e ta pranojnë Fjalën e Zotit e ta marrin Krishtin në zemër, në Eukaristi:
“Kujtojeni mirë këtë: lexoni çdo ditë një fragment të Ungjillit e, të dielave, shkoni e merreni Kungimin, merreni Jezusin. Kështu ndodhi me dishepujt e Emmausit: e pranuan Fjalën e Zotit, thyen me të copën e bukës e trishtimi u zhduk e ata nuk e ndjenë më shijen e hidhur të disfatës, por u mbushën plot me gëzim. Gjithnjë, të dashur vëllezër e motra, Fjala e Zotit dhe Eukaristia na mbushin me gëzim”.
Më pas Ati i Shenjtë pohoi:
“Kujtoju mirë! Kur ti je i trishtuar, kur diçka nuk shkon, merre në dorë Fjalën e Zotit. Kur jeta të ligështon, merre Fjalën e Zotit e shko të dielën në Meshë e kungoju! Merr pjesë në misterin e Jezusit! Fjala e Hyjit, Eukaristia, na mbushin me gëzim”.
Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku kujtoi se sot kremtohet Dita e 90-të Kombëtare e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, tema e së cilës, sivjet, ishte: “Me të rinjtë, protagonistë të ardhmërisë”. E, duke iu drejtuar të rinjve të pranishëm në Shesh, u tha:
“Lutem për këtë Universitet të madh, që të jetë gjithnjë besnik ndaj misionit të zanafillës e në përkim me botën e sotme. Në dashtë Zoti, do të shkoj së shpejti të vizitoj, këtu, në Romë, Fakultetin e Mjekësisë e të Kirurgjisë si dhe Poliklinikën “Gemelli’, që mbush 50 vjet jete”.
Papa përshëndeti, më në fund, edhe pjesëmarrësit e Marshimit për jetën si dhe shoqatën “Meter”, që pothuajse prej njëzet vjetësh, lufton kundër çdo lloj forme të shpërdorimit mbi të miturit. Ati i Shenjtë i falënderoi të gjithë për impenjimin e tyre, për të shqiptuar pastaj përshëndetjen aq njerëzore, që u prit me një stuhi duartrokitjesh:“Të gjithëve ju uroj të diel të gëzuar. Drekën e mirë e mirupafshim!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.