2014-05-04 13:45:03

Gjoni XXIII: Koncili


Libri i Terezio Boskos “Gjoni XXIII- Papa i mirë” ka arritur në faqet e fundit, që shënojnë kulmin e veprimarisë së Gjonit XXIII: mbledhjen e Koncilit II të Vatikanit. “Koncili” titullohet fragmenti i fundit i librit, që na miqësoi me papën Ronkali, duke na hapur rrugën për të vijuar ecjen në gjurmët e Shenjtit të ri.


Pyetja kryesore, e ngulur fort në mendjen e Papës, që në muajt e parë të papnisë, ishte: “Ç’duhet bërë për Kishën e për botën, ku jetojmë sot?”.
25 janar 1959. Papa bën pothuajse papritur e pa kujtuar, një vizitë në Bazilikën Ostiense. Më pas, në manastirin e Shën Palit, u flet kardinajve. Kujton hollësisht tre muajt e parë të papnisë, flet për rreziqet, që kërcënojnë botën moderne e pastaj, me thjeshtësinë më të madhe, shton fjalët, që do të shënonin hapin e parë të risimit të Kishës:
- Për t’iu përgjigjur nevojave të popullit të krishterë, njoftojmë se së shpejti do të kremtojmë një koncil ekumenik universal... Mendojmë të tingëllojë edhe si ftesë drejtuar bashkësive të ndara, për kërkimin e unitetit.
Kardinajtë e ndjekin pa frymë: është ngjarje, pak të themi, e jashtëzakonshme, e jo më pak, e rrezikshme. T’i mbledhësh të gjithë ipeshkvijtë e botës e t’u thuash: “Të diskutojmë së bashku për Kishën e për botën!”. Po kjo do të thotë të shkaktosh një stuhi të fuqishme, madje, një tërmet. Po Papa Gjoni vë buzën në gaz, ashtu si di të bëjë vetëm ai: “Do të jetë mes nesh edhe Shpirti Shenjt, thotë. Prandaj unë nuk kam aspak frikë. T’i vihemi, pra, punës”.
Koncili II i Vatikanit nis në orën 8.30 të datës 11 tetor 1962. 2500 ipeshkvij, nga të katër anët e botës, vërshojnë në Shën Pjetër e nisin diskutimet. Diskutime krejt të hapura, madje nganjëherë edhe të ndezura. Argumentet tundin shpirtërat: bëhet fjalë për marrëdhëniet e Kishës me botën politike, botën punëtore, botën kulturore; për Meshën Shenjte e jetën liturgjike të katolikëve, për luftën e paqen, urinë e etjen, begatinë e skamjen.
Nësa vijojnë diskutimet e tyre të zjarrta, 2500 ipeshkvijtë i ngulin mirë në kokë fjalët e thjeshta e njëherësh revolucionare, që Papa Gjoni ua përsërit të gjithëve: “Ta duam njëri-tjetrin, të tjerat vijnë vetë”. Duhet ta mërijmë mëkatin, jo mëkatarin. Të flasim fjalë, që na bashkojnë, jo që na ndajnë. Ta kapërcejmë çdo pengesë, që shkakton përçarje”.
Më 8 dhjetor mbyllet seanca e parë e Koncilit. Fjalët e Papës janë fllad i freskët besimi: “Diskutimet tuaja i treguan botës lirinë e shenjtë të bijve të Hyjit... Mirupafshim pas nëntë muajsh”.
Po kush ia ngul mirë sytë fytyrës së Papës këtë ditë, ka një përshtypje të dhimbshme: Papa Gjoni është keq. Do ta shikojnë përsëri pas nëntë muajsh?
Të Enjten e Madhe të vitit 1963, Papa Gjoni i dhuron botës enciklikën e madhe “Pacem in Terris”
Në Nju Jork, të përditshmet qenë të parat, që e botuan tekstin. Nën titujt me shkronja vigane, shkruhej:
“Papa kërkon të marrë fund riarmatosja!”.
“Ndalojeni garën e armatimeve!”.
Times e Londrës e quan: “Mesazh drejtuar mbarë botës”.
Presidenti Xhon Kenedi, nga Universiteti i Bostonit, thotë për Pacem in Terris: “Si katolik, krenohem me të; si amerikan, mësoj shumë prej saj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.