2014-05-03 16:32:40

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Madhështia e Marisë” par.1,2,3


Shfletojmë sot, së bashku, paragrafin e parë, të dytë e të tretë të Pjesës së parë të librit të Shën Luigji Maria Grignion de Monfort “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë, titulluar “Madhështia e Marisë”.
Shkruan shën Luigji:

1. Jezu Krishti erdhi në botë përmes Virgjërës së Shenjtë Marisë, e pikërisht përmes saj duhet edhe ta sundojë botën.

2. Maria jetoi një jetë tejet të fshehur; prandaj thirret, nga Shpirti Shenjt e nga Kisha, Alma Mater, Nënë e fshehur e sekrete. Përvujtëria e saj ishte aq e thellë, sa të mos kishte mbi këtë tokë dëshirë tjetër, më të fortë e më të përhershme, sesa të fshihej nga vetvetja e edhe nga të gjithë, për t’u njohur vetëm nga Zoti.

3. Zoti, për t’ia plotësuar lutjen që të fshihej e të ishte e varfër dhe e përvuajtur, deshi ta mbante të fshehur nga sytë e pothuajse të gjithëve: në të zënë, në lindje, në misteret e jetës, në ringjallje e në të ngjiturit në qiell. Deri prindërit e saj nuk e njihnin; e engjëjt pyesnin shpesh njëri-tjetrin: e kush është Ajo? I Tejetlarti ua mbante të fshehur edhe atyre, ose, nëse zbulonte ndonjë gjë, pambarimisht më e madhe ishte çka mbante të fshehur.








All the contents on this site are copyrighted ©.