2014-05-03 16:35:07

Përfundoi mbledhja e parë e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve


Përfundoi sot, mbledhja e parë e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të miturve, nisur më 1 maj, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Synimi i takimit ishte t’i paraqiteshin Atit të Shenjtë rekomandime lidhur me funksionimin e Komisionit dhe të bëheshin propozime për emërimin e anëtarëve të rinj, të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Anëtarët aktualë, që morën pjesë në takim, ishin: Catherine Bonnet, nga Franca; Marie Collins, nga Irlanda; Sheila Baroness Hollins, nga Mbretëria e Bashkuar; Kardinali Sean Patrick O'Malley, O.F.M., nga SHBA; Claudio Papale, nga Italia; Hanna Suchocka, nga Polonia; Humberto Miguel Yáñez, S.I., nga Argjentina e Hans Zollner, S.I., nga Gjermania.
Në përfundim të mbledhjes, me rastin e një takimi për shtypin, mbajtur pranë Selisë së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Komisioni lëshoi deklaratën e mëposhtme:
“Ndërsa fillojmë së bashku shërbimin, dëshirojmë t’u shprehim solidaritetin tonë të thellë të gjitha viktimave, që pësuan shpërdorime seksuale, fëmijë ose të rritur të ligshtë, e dëshirojmë edhe të bëjmë të ditur se, që në fillim të punës sonë, u nisëm nga parimi, sipas të cilit e mira e fëmijës ose e të rriturit të ligshtë, është parësore në çastin kur merret çfarëdolloj vendimi. Gjatë takimeve tona, secili nga ne mundi të shkëmbejë idetë, përvojën e dëshirat për këtë Komision Papnor. Duke iu përgjigjur kërkesave të Atit të Shenjtë, këto diskutime iu kushtuan natyrës e objektivave të Komisionit si dhe shtimit të numrit të anëtarëve, për të pëfshirë, kështu, edhe anëtarë të tjerë, të ardhur nga zona të ndryshme gjeografike e fusha të tjera kompetencash. Në bisedimet tona shqyrtuam shumë propozime lidhur me mënyrat e bashkëpunimit të Komisionit me specialistë të fushave, që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rriturve të ligshtë. Takuam edhe disa anëtarë të Kuries Romake, të lidhur me fushat e bashkëpunimit të ardhshëm, ndërmjet të cilëve, përfaqësues të Sekretarisë së Shtetit, të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, të Kongregatës për Klerin, të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë dhe të Xhandarmërisë vatikanase. Si Komision Këshillues i Atit të Shenjtë, do t’i komunikojmë Papës Françesku rezultatet e punës sonë. Në kohën e duhur, do të propozojmë nisma, për të inkurajuar përgjegjësitë në vendet e ndryshme të botës dhe bashkëpunimin sa më të mirë në praktikën e punës për mbrojtjen e gjithë të miturve, me programe mësimi, edukimi, formimi dhe me përgjigje ndaj shpërdorimeve. Njëmendjeje me Papën Françesku, nënvizuam rëndësinë që kanë disa fusha të punës sonë të ardhshme. Na duket posaçërisht e rëndësishme të garantojmë ushtrimin e përgjegjësisë (accountability) në Kishë, përfshirë zhvillimin e mjeteve për protokolle e procedura të frytshme e transparente. Do t’i propozojmë Atit të Shenjtë Statute për ta shprehur më saktësisht natyrën e Komisionit, strukturën e tij, veprimtarinë dhe objektivat. Është e qartë, për shembull, se Komisioni nuk do të trajtojë raste individuale shpërdorimesh, por mund të japë udhëzime mbi direktivat për të siguruar detyrimin e përgjegjësisë dhe praktikat më të mira. Në Statutet mendojmë të paraqesim propozime të veçanta, që të nënvizojmë rrugët e sensibilizimit të njerëzve mbi pasojat tragjike të shpërdorimeve seksuale e po aq edhe mbi pasojat shkatrrimtare të mungesës së dëgjimit, të mungesës së raportimit të dyshimit për shpërdorime e sidomos, të mungesës së mbështetjes së viktimave. Ndërsa katolikët impenjohen t’i bëjnë famullitë tona, shkollat dhe institucionet, vende të sigurta për gjithë të miturit, ne, së bashku me mbarë njerëzit vullnetmirë, impenjohemi të garantojmë që fëmijët dhe të rriturit e ligshtë, të mbrohen gjithnjë nga shpërdorimet. I lypim lutje të gjithë atyre, që duan ta mbështesin punën e Komisionit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.