2014-05-03 16:31:06

Papa Veprimit Katolik: Jezusi është gëzim, çojeni atje, ku ka zemra të lodhura e të mbyllura


Rrini në Jezusin, çojeni kudo, gëzohuni në Të, sepse nuk jeni vetëm: janë tre impenjimet, që Papa ia besoi Veprimit Katolik italian, në audiencën e sotme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në praninë e rreth shtatë mijë anëtarëve të Shoqatës, që sapo përfundoi Asamblenë e 15-të kombëtare. Uroj të jeni, nënvizoi Papa, Veprim Katolik gjithnjë i çiltër, që nuk ndalet kurrë e as lodhet kurrë!

Gjithnjë të çiltër, kurrë të ndalur, në mision, me gëzimin e Krishtit të Ngjallur. Mes duartrokitjesh entuziaste, që tundën Sallën e Palit VI, Papa Françesku e mbylli Asamblenë kombëtare të Veprimit Katolik italian, duke ofruar shpjegimin e tij për temën e takimit të madh: “Njerëz të rinj në Jezu Krishtin, bashkëpërgjegjës të gëzimit të të jetuarit”. Gëzimi, shpjegi Papa, është gëzim dishepujsh, gëzim shpirtëror, brenda stilit ungjillëzues, i aftë për të lënë gjurmë në jetë:
“Mund të jetohet si vëllezër, duke mbartur në shpirt një shpresë, që nuk të zhgënjen. Shpirti juaj është plot me dëshirën për ta bërë Fjalën e Zotit të vrapojë deri në kufijtë më të largët, duke përtëritur, kështu, impenjimin për ta takuar njeriun kudo që ndodhet, ku vuan e shpreson, ku do e beson, ku ëndërron ëndrat më të thella, bën pyetjet më të vërteta, shpreh dëshirat e zemrës. Atje ju pret Jezusi”.
Me ndihmën e Krishtit, ishte porosia kryesore e Papës, uroj të jeni sy, që dinë të shohin përtej dukjes; veshë, që dinë të dëgjojnë britmat, pëshpëritjet por edhe heshtjet; duar, që dinë të mbështesin, të rrokin, të mjekojnë, të shërojnë!








All the contents on this site are copyrighted ©.