2014-05-03 16:32:14

Gjon Pali II: Një fe transparente


Cili ishte Karol Vojtila në jetën e tij private? Deri tani, duke shfrytëzuar tregimin e kardinalit Stanislau Xhivish në librin “Kam jetuar me një shenjt”, ju kemi folur për jetën e tij publike. Sot do të përshkojmë jetën private të një njeriu, që dukej nga larg se besonte në Zotin e në atë që bënte. E kardinali Xhivish konfirmon se gjëja kryesore për shenjtin Gjon Pali II ishte lutja.
“Për të, lutja do të thoshte të zhyteshe në Zotin, të rrije me Të. Asnjëherë nuk kalonte me indiferencë para të Shenjtnueshmit Sakrament. Kur ishte akoma në gjendje të mirë shëndetësore, gjunjëzohej e madje edhe shtrihej në dysheme e lutej. E nëse mendonte se ishte vetëm, e dëgjoje që bisedonte me gjysëm zëri me Jezu Krishtin. Ishte shumë krijues, shkroi vetë shumë lutje. E këndonte, i pëlqente të këndonte, sidomos gjatë adhurimit të përditshëm, që nuk e linte kurrë. Çdo të enjte lutej në Orën Shenjte e deshi ta bënte edhe ditën e shtunë, kur vdiq. Çdo ditë lexonte Shkrimin Shenjt, nga i cili frymëzohej për meditimet.
Gjatë udhëtimeve, kishte kujdes që asnjë impenjim të mos ia pengonte ndjekjen e këtyre veprimtarive themelore shpirtërore. Përfshirë Udhën e Kryqit, që zakonisht, në Vatikan, e kremtonte në tarracë, por kur sillej rreth botës, edhe në korridorin e nunciaturës.
Sistematikisht, rrëfehej ditën e shtunë e, kur qëllonin festa të veçanta, një ditë më parë. E respektonte me rigorozitet agjërimin; kurrë nuk hante mish të premteve, por edhe në prag të shugurimit të ipeshkvijve të rinj. E në këto praktika, ashtu si edhe në devocionin e thellë marian, që e kishte “mësuar” në shenjtëroret polake, nuk sillej si t’i ishte bërë zakon e as nuk tregohej fanatik. Ashtu siç ishte edhe shumë i përvuajtur në mundimin e trupit, që e bënte për pendesë”.
Papa Gjon Pali II, vazhdon të tregojë për jetën e tij private kardinali Xhivish, jetonte shumë thjesht. Nga Krakovi pati marrë vetëm fotografinë e prindërve, atë të vëllait Edmund dhe një kuadro të vogël me Krishtin e vuajtur. “Nuk kishte asnjë lloj pagese – e them (pohon kardinali) për ata që janë kuriozë ta dinë – e ishte Sekretaria e Shtetit, që kujdesej për mirëmbajtjen e apartamentit e për shpenzimet e veprimtarisë së tij apostolike”.
E pastaj, kuriozitete të tjera. Dita projektohej në mënyrë të përsosur: mesha në mëngjes, puna, lutja, audiencat, takimet me personalitete të ndryshme, ftesat për t’u ulur në tryezën e tij të bukës. Lexonte jashtëzakonisht, shpesh, dy libra: njërin “të vështirë” e tjetrin “të lehtë”. Kohët e para, shkonte edhe për not në pishinë, sepse ia kishin këshilluar mjekët, pavarësisht se kjo bënte bujë jashtë. Kardinali Xhivish kujton eskursionet në malet e Abrucos për ski. I veshur si skiator, Papa vihej në radhë bashkë me të tjerët, derisa ndokush e pati njohur e atëherë, iu desh të kërkonte ndihmë nga policia, që shërbente pranë Vatikanit. “Ati i Shenjtë – tregon ish-sekretari i tij i veçantë – shkiste me ski, hante me ne e, pastaj, ecte vetëm në ndonjë shteg, duke i kushtuar orë të tëra bisedës me Zotin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.