2014-05-02 16:48:58

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: një libër “I shkruar, i fshehur, i rigjetur”


Shën Luigi Maria Grignion de Monfort (1673-1716), misionar breton, i predikoi popullit të Francës në kohën e Luigjit XIV, Mbretit Diell. Ishte vetëm 43 vjeç, kur vdiq gjatë një misioni, i tretur nga jeta, kushtuar me fund Krishtit e Zojës së Bekuar. “Traktati i devocionit të vërtetë për Marinë”, që e zgjodhëm për të na shoqëruar në Majin e Zojës, ka shumë mundësi të jetë shkruar rreth vitit 1712, në banesën e thjeshtë të misionarit, në La Rochelle. Mendohet t’ia ketë dorëzuar, pastaj, ipeshkvit vendas, për ta ruajtur, me vetëdijën se kjo vepër, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt, do të varrosej për shumë kohë, e për shumë arsye. E ashtu edhe ndodhi: në rrethanat krejt të turbullta historike të Francës së këtyre viteve, monfortanët e varrosën dorëshkrimin në arën pranë shtëpisë së tyre nënë të Saint-Laurent-sur-Sèvre, për ta shpëtuar nga një mori rreziqesh. Si kaloi stuhia revolucionare, arka me dorëshkrimin e Traktatit, e fshehur prej 130 vjetësh, u rigjet, ndonëse mjaft e dëmtuar. Ishte viti 1842. Një vit më pas, Traktati pa dritën e shtypit. Që asokohe u përkthye në gjuhët kryesore, me të cilat merret vesh njerëzimi, duke u bërë i njohur në mbarë botën. Shpirtëra të mëdhenj meshtarësh, rregulltarësh e shekullarësh, burra e gra, u frymëzuan nga ky Traktat i frymëzuar, ndihmesë tejet e çmuar për jetën e tyre shpirtërore e nxitje në punë të mëdha për Zotin, në Kishë e në shoqëri. Për ta kuptuar më mirë kush qenë, po kujtojmë vetëm disa, më pranë kohëve tona: Maksimilian Kolbe, Gjon Kalabria, Silvio Galoti, Annibale di Francia, Bartolo Longo, Luigji Orione, Xhakomo Alberione, Kiara Lubich, Gjon Pali II. Mësimi, që nxëmë nga Traktati, duke respektuar në një farë mënyre teologjinë e shekujve të kaluar, shprehur me një gjuhë jo gjithnjë aktuale, është në harmoni të plotë me mariologjinë e Koncilit II të Vatikanit, përfshirë në Kapitullin VIII të kushtetutës dogmatike Lumen Gentium.
Gjon Pali II, në letrën enciklike Redemptoris Mater, e paraqet Monfortin si “dëshmitar e mësues” i përshpirtërisë mariane, që na prin kah Jezu Krishti e Ungjlli i Tij. E në prag të Jubileut të Madh të Vitit 2000, Monfort nis të shikohet jo vetëm si mësues aktual, por edhe profetik për ardhmërinë e Kishës. Kishës së Shpirtit Shenjt, të përtërirë e të reformuar në shkollën e Ungjillit, në të cilën Maria vijon të formojë shenjtorë të mëdhenj: shenjtorë, që digjen nga zjarri i dashurisë hyjnore, tejet të ndjeshëm ndaj Shpirtit Shenjt, dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, të gatshëm për të marrë mbi vete e për të realizuar punë të mëdha, për lavdi të Zotit!
Traktati ndahet në tri pjesë, titulluar “Nevoja e devocionit marian”; “Pesë të vërteta themelore” dhe “Kushtimi i plotë Krishtit, përmes Marisë”.
Secila pjesë, ndahet, më pas, në nëntema, që hyjnë në thellësitë e devocionit marian, duke i mësuar, ata që duan të ecin në udhën e shenjtërisë, si ta ndjekin Marinë, për të gjetur Krishtin e për të arritur tek Ati qiellor, në Shpirtin Shenjt. E nëntemat, ndahen në paragrafe. Do ta njohim së bashku veprën, për herë të parë në gjuhën shqipe, nga pjesa, në pjesë, nga paragrafi, në paragraf, duke e ftuar Shën Luigi Maria Grignion de Monfort të na prijë në muajtë, që i kushtohen Zojës: në maj e tetor. Derisa Trataktati ta mësojë plotësisht edhe gjuhën shqipe.








All the contents on this site are copyrighted ©.