2014-05-02 16:38:11

Në Siri, të krishterët kryqëzohen


Një rregulltare siriane flet, në Radio Vatikan, për martirizimin e besimtarëve të krishterë nga xhihadistët, deri në kryqëzim.
“Të krishterët e Sirisë kryqëzohen, nëse nuk pranojnë ta mohojnë fenë e tyre, për të rrokur menjëherë pas, fenë islame: xhihadistët luajnë futboll me kokat e viktimave të tyre. E ndërmjet viktimave, ka edhe fëmijë”. Është një rregulltare siriane, që sjell dëshminë rrënqethëse të kryqëzimeve në Siri, para syve të botës moderne, duke folur në mikrofonin e Radios sonë, në gjuhën frënge. Motra tregon hollësisht mizoritë e kryera në qytetet e fshatrat e tronditura rëndë nga konflikti i pafundmë në Siri.
“Në qytetet e fshatrat e pushtuara nga njerëz të armatosur, lexojmë në intervistën e motër Ragidës, që tani jeton në Francë, xhihadistët dhe të gjitha grupet myslimane ekstremiste, u propozojnë të krishterëve “shahada”-në, dëshmimin e fesë myslimane. O Islamin, o vdekjen! Rrugë të mesme s’ka. Është krejt e pamundur të mos pranosh: e di mirë se të pret martirizimi.
Martirizim me dhunë të paparë ndonjë herë! Në se doni shembuj, po kujtoj se në Maalula u kryqëzuan dy djelmosha, sepse nuk deshën të thoshin lutjen shahada. “Ose thuajeni, ose do të vdisni si Mësuesi Juaj, në të cilin besoni! Zgjidhni e merrni!”. Njëri u kryqëzua në praninë e të atit, të cilin e vranë menjëherë pas tij.
Ka ndodhur, për shembull, në Abra, në zonën industriale, ndër rrethinat e Damaskut: në të hyrë të qytetit, nisën të vrasin gra e fëmijë. E, menjëherë pas masakrës, merrnin kokat e të vrarëve e i përdornin në vend të topit, për të luajtur futboll. Përsa u përket grave shtatzëna, ua nxirrnin fëmijët nga barku e i varnin në pemë me kordonin kërthizor. Do të dukej situatë e pashpresë, sikur shpresa dhe jeta të mos ishin më të forta se vdekja”- pohon motra siriane, e posa dalë nga kjo kataklizmë masakrash, që të kujtojnë kohë të perënduara që në mugëtirat e historisë njerëzore!Kjo dëshmi e nxiti Papën Françesku të ngrinte fort zërin sot, duke folur në vend të atyre, që ndoshta këtë çast vdesin si Krishti në kryq.







All the contents on this site are copyrighted ©.