2014-05-02 18:39:38

Notë e atë Lombardit: Selia e Shenjtë dhe Konventa kundër torturës


Gjatë sesionit të 52-të të Komitetit të Kombeve të Bashkuara mbi Konventën kundër torturës (CAT), që vijon në Gjenevë, Selia e Shenjtë do të paraqesë Raportin e saj, më 5 e 6 maj. Me këtë rast, po botojmë një notë të drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi.


“Konventa kundër torturës dhe dënimeve e trajtimeve të tjera çnjerëzore e poshtëruese”, është një nga Konventat e rëndësishme ndërkombëtare, realizuar në kuadrin e veprimtarive të Kombeve të Bashkuara, me të cilën bashkohen shumë vende anëtare të Bashkësisë Ndërkombëtare, të ashtuquajturat “Shtete Anëtare” të Konventës.

Konventa kundër torturës (e njohur shkurtimisht si CAT), mban datën 1984. Selia e Shenjtë hyri në të më 2002, si “Qytet Shtet i Vatikanit” e paraqiti edhe Raportin e saj ‘fillestar’, në dhjetor 2012.
Komiteti i Kombeve të Bashkuara mbi CAT, i përbërë nga dhjetë anëtarë, po mban, Sesionin e tij të 52-të, në Pallatin Wilson të Gjenevës, nga 28 prilli deri më 23 maj. Gjatë këtij sesioni, do të shqyrtojë Raportet e tetë vendeve: Uruguaj, Tailanda, Sierra Leone, Guinea, Mali i Zi, Qipro, Lituania dhe Selia e Shenjtë. Komiteti do të takohet me delegacionin e Selisë së Shenjtë më 5 e 6 maj.
Më 23 maj, Komiteti do të japë një konference shtypi në përfundim të sesionit e më pas, do të botojë edhe “Vërejtjet” përfundimtare. Rikujtojmë se Selia e Shenjtë hyri si Qytet-Shtet i Vatikanit(SCV) e, prej këndej, përgjegjësia juridike për zbatimin ka të bëjë me territorin dhe kompetencat e Qytetit të Vatikanit.
Kush e lexon raportin e paraqitur nga Selia e Shenjtë në dhjetor të vitit 2012(që është publik) vëren menjëherë se në pika të ndryshme të rëndësishme, kujton rishikimin, në vijim, të ligjshmërisë penale të Qytet-Shtetit të Vatikanit. Ky rishikim u krye ndërkohë, me ligjet e reja, shpallur në vitin e kaluar 2013 dhe hyri në fuqi më 1 shtatorin e mëpasëm (Ligjet n. VIII e IX), gjë që e vë faktikisht ligjshmërinë penale dhe procedurën penale vatikanase, në përkim me Konventën….
Rishikimi ishte i gjerë dhe i thellë, me synim vënien e ligjshmërisë vatikanase në përputhje të plotë me Konventat e ndryshme ndërkombëtare, me të cilat Selia e Shenjtë u bashkua në rrjedhë vitesh: jo vetëm kundër torturës, por edhe kundër kriminalitetit në fushën ekonomike e financiare, kundër diskriminimit racor e për të drejtat e fëmijës. Progresi i përkimit me kërkesat e Konventës, i kryer tashmë në fushën ligjore, është shumë rëndësor.
Njëkohësisht, gjatë dialogut me Shtetet Anëtare, ndodh shpesh që Komitetet të bëjnë pyetje për çështje, të cilat nuk lidhen me tekstin e Konventës drejtpërdrejt, por tërthorazi ose mbi bazën e interpretimeve tepër të shtrira të saj. Kjo, për shembull, ndodhi në janarin e kaluar me rastin e dialogut me Komitetin për Konventën mbi të drejtat e fëmijës. Në këtë drejtim, ndikon shpesh presioni që ushtrojnë mbi Komitetet dhe mbi Opioninin Publik, Organizatat jo qeveritare, me synime të forta ideologjike për të përfshirë edhe në diskutimin mbi torturën, çështjen e shpërdorimeve seksuale mbi të miturit, gjë që ka të bëjë me Konventën mbi të drejtat e fëmijës. Qëllimin e kësaj prirjeje për t’u përdorur si mjet në shtrembërimin e punëve, me synime të dyta, e vëren qartë kushdo, që i shikon punët pa paragjykime...
Duhet uruar, prandaj, të zhvillohet një dialog i qetë e objektiv, i lidhur me tekstin e Konventës e me qëllimet e tij. Përndryshe, Konventat çoroditen e Komitetet rrezikohen ta humbasin autoritetin e të katandisen në mjete presioni ideologjik, në vend që të jenë nxitje e nevojshme drejt progresit të dëshiruar për promovimin dhe respektimin e të drejtave njerëzore.
E ky është edhe urimi ynë i sinqertë, lidhur me dialogun e ardhshëm, më 5 e 6 maj.









All the contents on this site are copyrighted ©.