2014-05-02 16:47:36

Lufta kundër varfërisë dhe paqja, në qendër të bisedës së Papës me presidentin e Angolës


Sot paradite, Papa Françesku priti në Pallatin Apostolik në Vatikan, presidentin e Republikës së Angolës, José Eduardo dos Santos, i cili u takua më pas, edhe me autoritetet e Sekretarisë së Shtetit.
“Gjatë bisedës së përzemërt – thuhet në komunikatën e Sallës së Shtypit – u përmendën marrëdhëniet e mira ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Angolës. Në veçanti, u fol për projektin e Marrëveshjes dypalëshe, që ka të bëjë me statusin juridik të Kishës Katolike në vend. Në këtë kontekst, palët nuk munguan t’i referohen kontributit të rëndësishëm që jep Kisha Katolike në vend, me institucionet edukative dhe shëndetësore. Së fundi, u fol për sfidat e vendit dhe të rajonit, si lufta kundër varfërisë dhe pabarazisë shoqërore, zhvillimi i gjithanshëm i njeriut, pajtimi, drejtësia dhe paqja, me vëmendje të veçantë për situatat e ndryshme të konfliktit në kontinent”.








All the contents on this site are copyrighted ©.