Gjoni XXIII: Seminari “i rrethuar nga telat me gjemba”
Duke ecur në gjurmët e Papës Ronkali, përmes shfletimit të librit të Terezio Boskos
“Gjoni XXIII- Papa i mirë”, arrijmë tek “Seminari ‘i rrethuar nga telat me gjemba”,
siç titullohet fragmenti, që zgjodhën për emisionin e sotëm. Jemi gjithnjë në
Paris.
Shtëpia e
Nuncit bëhet shumë shpejt pikëtakimi për miqtë. Imzot Ronkali thoshte: - Më pëlqen
më shumë t’i takoj kundërshtarët rreth një tryeze të mirë, sesa t’i përmbyt me nota
diplomatike e protesta. Lidhi, kështu, miqësi të përzemërt me socialistin Auriol
e me antiklerikalin Herriot. Ministri Shuman thoshte për Nuncin: - Është i vetmi
njeri në Paris, pranë të cilit ndjehem, edhe fizikisht, në paqe. Në Francë kishte
shumë kampe përqendrimi për gjermanët e burgosur gjatë luftës. Imzot Ronkali i vizitoi
një për një. Mbështeti me të gjitha mënyrat meshtarin Françesk Stok, që organzoi
në Shartrë “seminarin e rrethuar nga telat me gjemba”, ku mblodhi 949 seminaristë
gjermanë, të shpërndarë në të gjitha kampet e përqendrimit. U siguroi atyre tekste
teologjie, u interesua për studimet e tyre e, të Enjten e Madhe të vitit 1947, shuguroi
meshtarë disa nga banorët e barakave fantazmë. 29 nëntor 1952. Një mesazh urgjent
nga Roma, nënshkruar nga imzot Montini, e njofton se është ndërmjet kardinajve të
rinj, që Papa do t’i krijojë në koncistorin publik. Ati i Shenjtë e emëron Patriarkë
të Venedikut. 15 janar 1953. Në Elizeo, në sallonin vezullues të Armaturave, Roja
Republikane e pret me qëndrimin “për nder armë”. Ambasadorët radhiten me uniformat
e mëdha. Presidenti i Francës, Auriol ka lidhur në gjoks flamurin tringjyrësh. Nunci
gjunjëzohet e merr kësulën e kuqe të kardinalit, nga socialisti i vjetër që, i emocionuar
dukshëm, menjëherë pas, e përqafon miqësisht.