2014-04-30 13:35:21

Seminar për punën në Vatikan


“Puna dinjitoze, drejtësia shoqërore dhe çrrënjosja globale e varfërisë”. Kjo është tema e Seminarit që po zhvillohet në Romë sot e nesër, nën kujdesin e Këshillit Papnor Drejtësi e Paqe, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Punën dhe disa shoqata të tjera me frymëzim katolik. Në fjalën e hapjes së punimeve, presidenti i dikasterit vatikanas, kardinali Peter Turkson, denoncoi sistemin ekonomik, që vë në qendër paranë dhe shkakton papunësi, punë të pamjaftueshme dhe të paqendrueshme, duke ushqyer kështu varfërinë.
“Pavarësisht nga përparimi i madh që ka sjellë industrializimi dhe globalizimi – nënvizoi kardinali turkson – varfëria vijon të torturojë miliarda vëllezër e motra në botë”. Prandaj është e ngutshme të gjendet një zgjidhje ekonomike alternative, e mbështetur mbi drejtësinë dhe solidaritetin, siç porosit doktrina shoqërore e Kishës, që nga Rerum Novarum e Leonit XIII deri tek mësimet e Papës Françesku. Imzot Vitillo, përfaqësues i Karitasit Ndërkombëtar në Gjenevë, na shpjegon zanafillën dhe qëllimin e këtij seminari:RealAudioMP3
Prej më shumë se një viti kemi punuar së bashku për të përgatitur një dokument mbi pikësynimet e reja të zhvillimit njerëzor: e ashtuquajtura “post-2015”. Kemi përgatitur një dokument të përbashkët, ku kemi përfshirë të gjitha përparësitë e punës sonë, si angazhimi për të papunët, për ata që nuk kanë punë të mjaftueshme, ose punojnë në kushte shumë të vështira dhe të rrezikshme, për emigrantët, që shfrytëzohen, për viktimat e trafikut njerëzor, etj.. Kemi bashkëpunuar për ta përgatitur këtë dokument, me qëllimin për ta përdorur bashkarisht me qeveritë dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara, në mbështetje të punës dinjitoze për “post-2015”.
Çfarë duhet kuptuar me “punë dinjitoze”?
Para së gjithash është diçka që shkon përtej rritjes së rrogës. Në themel të saj duhet të jetë respekti për dinjitetin njerëzor. Kisha ka një histori të gjatë në këtë fushë: ka punuar, me anë të doktrinës, për të vënë njeriun në qendër të debatit, për të tejkaluar prirjen për të mbajtur parasysh vetëm përfitimin dhe tregtinë. Pastaj duhet të merremi edhe me gjërat praktike: të flasim për një rrogë me të cilën një punëtor duhet të ushqejë e të mbajë familjen, në një shtëpi dinjitoze. Në këtë proces, duhet të mendojmë për të drejtën e punëtorëve për t’u organizuar, duhet të ngulim këmbë që puna e tyre të zhvillohet në kushte dinjitoze. Në fund, duhet të kenë lirinë të zhvillojnë interesat e veta dhe të bashkëpunojnë me sipërmarrjet dhe me shoqëritë tregtare. Në këtë seminar kemi edhe një përfaqësi tregtarësh katolikë, të cilët janë të gatshëm të bashkëpunojnë me punëtorët.
Pra, kemi të bëjmë me një lëvizje, nga ana e botës katolike, për të zhvilluar temën e punës, që shpesh herë lihet mënjanë, për shkak të politikave spekulative në dëm të të drejtave të punëtorëve...
Po, është pikërisht siç thotë shpesh Papa Françesku: duhet ta vëmë punën në qendër të vëmendjes e jo të përqëndrohemi vetëm tek paratë dhe përfitimet. Duhet ta lidhim këtë temë me zhvillimin në përgjithësi, sepse puna dinjitoze e zhvillon botën dhe të mirën e përbashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.