2014-04-30 16:22:36

44 vjetori i Kishës Katolike Shqiptare në SHBA dhe 15 vjetori i shugurimit të Kishës “Zoja e Shkodrës”


Mbas javës së bukur të Pashkëve, qindra besimtarë katolikë me familjet e tyre, veprimtarë të komunitetit dhe pjesëtarë të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ishin pjesë e një darke të madhe festive, në lokalin luksoz “Surf Club” kantonin New Rochelle të New York-ut.
Kjo ngjarje e bukur festive u mbajt më 27 prill, nën kujdesin Kishës “Zoja e Shkodrës”, duke rastisur me ditën kur në Selinë e Shejtë u zhvillua ceremonia e shejntërimit të dy Papëve. Tani dy Shenjtorëve, dy Papë bashkëkremtues, ditën, kur në këto gjashtë fjalë, thuhet se përmblidhet gjithë karakteri i jashtëzakonshëm i kësaj dite, historike për Kishën, festë feje e ditë shprese për njerëzimin,” pikërishtë, në këtë ditë Kisha Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, kremtoi 44 vjetorin e themelimit të saj dhe 15 vjetorin e Shugurimit.
Në këto jubile festivë morën pjesë klerikë nga SHBA, Kanadaja dhe Kosova: të përndershmit, Dom Pjetër Popaj, Dom Viktor Dedaj, Dom Nikolin Pergjini, Dom Ben Zymi, famullitar në Gllaviçicë të Kosovës, Dom Gjovani Kokona, famullitar i famullisë e Lumja Nëna Tereze në Toronto, Kanada, dhe Msgr. Thomas Petrillo, Sant John and Paul nga Larchmont – New York, si dhe asamblesiti i parë shqiptarë në Asamblenë e Nju Jorkut, Mark Gjonaj.
Festuesit kujtuan hapin e parë për t’u organizuar si katolikë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, i cili i përket viteve’60 të shekullit të kaluar, themelimin e Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane, më 16 qershor 1962, me nismën e dy meshtarëve të njohur shqiptarë, Dom Zef Oroshi dhe Patër Andreë Nargaj.
Vëmendje të veçantë iu kushtua Shugurimit të kishës, në majat e një kodrine pranë fshatit Hartsdale, në Westchester, që i është përkushtuar mërgimtares së parë shqiptare, Zojës së Shkodrës, e cila, përndryshe, është e njohur si Zoja e Këshillit të Mirë.
Festa shënoi 44 vjetorin e Kishës Katolike Shqiptare në SHBA dhe 15 vjetorin e shugurimit të Kishës “Zoja e Shkodrës”:

Dom Viktor Dedaj dha bekimin e darkës, ndërsa më pas Kori i Kishës Katolike Fran Shala me Zojën Miraka kënduan këngën kushtuar Zojës së Shkodrës.
Udhëheqëse e kësaj mbrëmjeje ishte kryetaria e Këshillit të Kishëz, znj. Margarita Koçoviç, e cila shprehu kënaqësinë e madhe që në emër të Këshillit të Kishës dhe të Komitetit Organizativ të kësaj ngjarjeje të falenderonte për atë pjesëmarrje të madhe. Ajo i falënderoi besimtarët dhe aktivistët për kontributet bujare, përkushtimin dhe mbështetje të vazhdueshme ndaj kësaj kishe.
Mark Shkreli, Kryetari i Qendres Nëna Tereze dhe Anëtari i Këshillit Financiar, kryeredaktor i revistes “Jeta Katolike” vullnetar e aktivist i palodhshëm, njeri shume i afërt me kishë, mbajti fjalën kryesore, mbi historikun e kësaj kishe.
Ai kujtoi se si 15 vjet më parë, “pikërisht ditën e Shën Markut, më 25 prill 1999, arqipeshkvi i New York-ut, tani i ndjeri John Cardinal O’Connor, nuk lejoi që dikush ta zëvendësonte, por ai vetë, edhe pse i sëmurë rëndë nga kanceri, i cili edhe ia mori jetën, erdhi dhe e shuguroi Kishën Zoja e Shkodrës, e para në botë me atë emër. Akti i shenjtërimit është transformimi i diçkaje nga profane (e kësaj bote) në hyjnore (të shenjtë)”.
Zoti Shkreli pastaj i bëri një udhëtim historik, në kohë duke folur për organizimin e parë institucional të katolikëve shqiptarë në SHBA duke mbërritur deri në rrugën që çoi në themelimin e shugurimin e Kishës Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York.
Fjalën përshëndetëse e mbajti Dom Pjetër Popaj që e cilësoi ngjarjen, “një mbrëmje historike për famullinë tonë”. Ai kujtoi se si 15 vjet më parë, për shkak të luftës në Kosovë shumë miq të nderuar nuk kishin mundur të merrnin pjesë. Ai e krahasoi atë kohë me ditën e gëzuar në të cilën mungesa e miqve nuk është nga vështirësia por nga gëzimi i shejtërimit të dy papave, në Romë. Ai e quajti kishën shqiptare në Hartsdale, “kisha ma e bukur që është ndërtue këto njëzet vjetët e fundit” në New York.
Por shtoi se bukuria më e madhe e famullisë tonë “është populli ynë, jeni ju Ju që e keni ndërtue dhe ju që e mbani këtë kishë”. Ai nënvizoi edhe kontributin e këtij komuniteti bujar në ndërtimin e kishave në atdhe dhe në bamirësi të tjera.
“Bujaria juaj reflekton në dashurinë tuaj ndaj Zotit e të afërmit në tokë”, tha ai dhe shtoi se “Sa më tepër që jep njeriu aq më tepër i jep Zoti atij , shprehja e Shën Franceskut të Asizit kur thotë se ‘Kur japim, marrim e kur falim të tjerët edhe ne na falë Zoti’”.
“Lusim Pajtoren tonë Zoja e Shkodrës, që ndërmjetësimin e lutjeve të saja t’ju sjellin nga Krishti, Këshilltari i Mirë, Mëshira Hyjnore e Shelbuesi ynë ju dhe familjeve tuaja hir, bekim e paqe – Për shumë vjet gëzuar festa”, tha kleriku i njohur shqiptaro-amerikan.
Festa ishte plot gaz e hare, me valle të bukura nga djemtë e vajzat një grupi të talentuar të udhëhequr nga koreografja Angjelina Nika. Kurse Grupi muzikor i përbërë nga Fran Vulaj, Liza Nikprelaj, John Boga ne Keyboard dhe i udhëhequr nga Ylli Sufaj këndoi dhe luajti pjesë muzikore nga të gjitha trevat.
BEQIR SINA New York (botuar në "Bota sot")








All the contents on this site are copyrighted ©.