2014-04-29 12:58:16

Mesazhi i Papës për të rinjtë argjentinas: Jezusi është gëzimi i vërtetë


Duhet të jeni djem që nuk ia kthejnë kurrizin Jezusit. Ose që, edhe nëse janë larg, si “biri plangprishësh”, e kanë “guximin për t’u kthyer”, për të ndjerë “përqafimin e mëshirës së tij”. Duhet të jeni vajza të afta për t’i dhënë botës atë, që është gjëja më femërore, butësinë dhe paqen, duke imituar Nënën e Jezusit. Këtë ftesë u drejton Papa të rinjve të Buenos Airesit, në një videomesazh, me rastin e ditës rajonale të rinisë, që u mbajt të shtunën e kaluar në kryeqytetin e Argjentinës.

I riu i pasur, i riu dinak dhe i riu i vdekur. Dha gratë, mjeshtre të butësisë në një Kishë që është “femërore” si ato, si Maria. Në videomesazhin drejtuar të rinjve argjentinas, me një gjuhë të freskët dhe që të bën për vete, Papa Françesku niset nga shembujt ungjillorë të sjelljes së të rinjve që kanë takuar Jezusin. Fjala e Papës ndjek lojën e dritëhejes së ballafaqimit ndërmjet “apostujve të rinj” të Jezusit – disa prej tyre ishin të rinj – dhe të tjerëve, si për shembull “i riu pasanik”, që me “jetën e tij të paqortueshme”, si “djalë i mirë”, nuk pranon t’ua japë të varfërve të mirat e veta dhe të ndjekë Mësuesin, sepse “është i ngatërruar me gjërat e botës”:

“E ai djalë u largua i trishtuar, sepse kishte shumë para dhe nuk donte t’i humbte për Jezusin. U largua me paratë e veta e me trishtim. Apostujt e kishin gëzimin e vet, atë harenë e bukur, që jep takimi me Jezusin. Ndërsa ai u largua me trishtimin e vet”.

Sigurisht, thotë Papa Françesku, edhe apostujt “besuan” – “Pjetri e mohoi, Juda e tradhtoi, të tjerët ikën” – por më vonë, thekson, “luftuan për t’i ndenjur besnik atij takimi, takimit me Jezusin”. Ndërsa djali plangprishës i shëmbëlltyrës nuk vepron ashtu. Papa Françesku thotë se ai u tregua dinak dhe “deshi ta shkruante vetë jetën e vet”, “deshi t’u binte me shqelm rregullave të disiplinës atërore” “dhe u zdërhall derisa ai, djali i pronarit, “që jetonte si s’ka më mirë, njohu atë që nuk e kishte njohur kurrë më parë: urinë”:

“Por Hyji është shumë i mirë. Hyji përfiton nga dështimet tona, për t’i folur zemrës sonë. Hyji nuk i tha këtij të riu: ‘Je dështak, shiko çfarë bëre!’. E bën të arsyetojë. Ungjilli thotë se i riu hyri ‘brenda vetes’: ‘Çfarë po bëj me këtë jetë? Zdërhallja nuk më ka vlejtur fare’. (...) Dhe u kthye. U befasua tej mase kur mori vesh se i ati e priste prej vitesh. Ky mëkatar i madh, ky shpërdorues i madh i të gjitha fitimeve të të atit, gjeti diçka që nuk e kishte njohur kurrë më parë: përqafimin e mëshirës”.

Shembulli i tretë, “i riu i vdekur”, biri i vetëm i një nëne të vejë, të cilën Jezusi e takon duke dalë nga qyteti Naim, ndërsa kortezhi mortor po shkonte për ta varrosur. Në atë rast, vëren Papa Françesku, “Jezusit i erdhi keq për nënën e jo për djalin. Por djali, falë nënës, fitoi mrekullinë dhe u ringjall”. Pastaj Papa bën shaka me vajzat, të cilat mund të ankohen pse jep shembuj vetëm me djem. Atëherë gjen fjalë të përshtatshme dhe delikate për të folur rreth gruas në optikën e krishterë, për gra si Maria, të afta për të dhuruar butësi, paqe, gëzim:

“Gruaja është e aftë të japë jetën dhe të dhurojë butësinë që ne burrat nuk e kemi. Ju jeni gra të Kishës. Të Kishës apo të Kishit? Jo, nuk është Kishi, por Kisha. Kisha është femërore, është si Maria. Aty është vendi juaj. Të jeni Kishë, t’i jepni formë Kishës, të jeni bashkë me Jezusin, të dhuroni butësi, t’i shoqëroni njerëzit, t’i ndihmoni të rriten. Maria, Zoja e ledhatimit, Zoja e butësisë, Zoja e gatishmërisë për të Shërbyer, ju priftë në udhën tuaj!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.