2014-04-29 10:34:06

Gjon Pali II: Një tërmet i vërtetë


Qe një tërmet i tmerrshëm për gjithë botën komuniste, zgjedhja e një kardinali polak në krye të Kishës Katolike. E sidomos, zgjedhja e një kardinali si Karol Vojtila. Në librin “Kam jetuar me një shenjt” të kardinalit Stanislau Xhivish, që u përgjigjet pyetjeve të gazetarit italian Gian Franco Svidercoschi, tregohet se në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, në Varshavë, një nga drejtuesit, kur i thanë në telefon emrin e Papës së ri, doli nga dhoma duke sharë me nënë e me babë. Kremlini dhe kryeqytetet e tjera të perandorisë së kuqe heshtën për një javë, në përpjekjen për të treguar se e injoronin ngjarjen. Vetëm Praga, si zakonisht, shpërtheu fishekzjarret e saj të propagandës së zakonshme, duke e kërcënuar Papën Gjon Pali II të mos ndërhynte në punët e brendshme.
Por zgjedhja e Konklavit nuk ishte e rastësishme. Gjatë mbledhjeve të mëparshme të kardinajve, të ashtuquajturat “Kongregacione të përgjithshme”, ishin të shumtë ata, që kishin mbetur të prekur nga fjalimi i kardinalit Stefan Vishinski, që pati folur për komunizmin në krizë, pikërisht kur mbretëronte Ostpolitika e kardinalit Kazaroli, që e konsideronte rrjedhën e historisë të pakthyeshme tashmë. Vetëm pak ditë pas zgjedhjes, kujton ish-sekretari i veçantë e Gjon Palit II, në Asizi, vetë Papa tha se “Kisha e heshtjes nuk ekzistonte më”, sepse tani do të fliste me vetë zërin e Atit të Shenjtë. E më tej, ai personalisht, nënvizon kardinali Xhivish, vendosi t’i drejtohej nga Otranto Shqipërisë, për t’i kujtuar botës se ai komb ekzistonte, i harruar nga të gjithë e, se atje, besimtarët, jo vetëm katolikët, persekutoheshin ashpërsisht.
Hutimi i parë i hierarkëve komunistë, u pasua nga një shqetësim gjithnjë e më i madh. Sekretaria e Partisë Komuniste Sovjetike hartoi një raport sekret mbi rrezikun e destabilizimit, që do të sillte Karol Vojtila. Filluan veprime për ta kontrolluar e penguar Gjon Palin II, përmes diplomatëve të ambasadës, që ishin spiunë të policisë sekrete polake. Por Papa kishte përvojë për ndërhyrjet e tyre, që nga koha kur ishte kryeipeshkëv i Krakovit. Shkoi në Meksikë, në udhëtimin e tij të parë, përveç të tjerave, edhe me shpresën se, nëse ia hapte dyert një qeveri antiklerikale, qeveria komuniste e Polonisë nuk do t’i thoshte jo.
Pavarësisht se ia kishte ndryshuar faqen Ostpolitikës së Vatikanit, “teoricienin” e saj, kardinalin Kazaroli, e pati mbajtur afër, pasi ishte i bindur në mirëbesimin e tij e të Sekretarisë së Shtetit. Por, ai që e njihte komunizmin personalisht, kërkoi që, në çdo marrëveshje të ardhshme me shtetet e Evropës Lindore, Selia e Shenjtë të pretendonte respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Natyrisht, drejtuesit komunistë nuk e pritën mirë këtë lajm. Në Poloni bënë ç’ishte e mundur të mos e lejonin Papën Gjon Pali II të udhëtonte drejt atdheut të vet, nxorrën lloj-lloj vicklash, por ndërmjetësimi i sekretarit të ipeshkvijve polakë për zgjidhjen e problemeve, bëri t’i hapeshin dyert.
“E kujtoj atë udhëtim, sikur të ishte sot – shkruan kardinali Xhivish. E kujtoj sidomos, ditën e parë në Varshavë. Ishte pragu i Rrëshajëve. Ndjeva lutjen e Atit të Shenjtë e pyeta veten, si mundte vallë Zoti të mos e dëgjonte atë thirrje aq të madhe: ‘Të zbresë Shpirti Yt! Të zbresë Shpirti Yt! E ta gjallërojë fytyrën e tokës. Të kësaj toke!’.
Në ditën e dytë, etapa e Gnieznos, ku Gjon Pali II u prononcua në mbrojtje të kombeve sllave, të së drejtës së tyre për liri. Pa, në mes të turmës, një parrullë në gjuhën çeke: ‘Kujtoji o Atë i Shenjtë, bijtë e tu çekë’, e ai improvizoi: ‘Nuk mundet ky Papë, që mbart mbi supe trashëgiminë e Adalbertit, t’i harrojë këta bij’…
E pastaj, Çestokova. E Aushvici… E së fundi, Krakovi, ku i ftoi të gjithë polakët të jenë të fortë, të marrin forcë nga feja: ‘Ju lutem mos e humbni kurrë besimin, mos e lëshoni veten, mos u shkurajoni; mos i prisni kurrë vetë rrënjët, nga të cilat kemi zanafillën’”.
Natyrisht, bota komuniste reagoi ashpër, si një trup i vetëm, por si iu përgjigj kësaj fushate Papa Gjon Pali II do ta mësojmë në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.