2014-04-29 12:44:56

Abu Mazen pranon holokaustin e hebrenjve. Netanjahu dyshon


Presidenti palestinez Abu Mazen e konsideron Shoah-un si krimin më të urryeshëm kundër njerëzimit në epokën moderne. E pohon agjencia palestineze e shtypit Wafa, e cila dha lajmin për takimin e kreut të Autoritetit Palestinez me rabinin më të rëndësishëm të SHBA-ve Marc Schneier (Shnaier). Presidenti Palestinez Abu Mazen, duket sikur theu një tabu me pohimet e bëra pikërisht në ditën kur Izraeli, sot, si çdo vit, përgatitet për të kremtuar kujtimin e gjashtë milion hebrenjve të vrarë gjatë persekutimeve naziste.
Kryeministri Izraelian Beniamin Netanjahu e përkufizoi deklaratën e Abu Mazenit si lëvizje propagandistike, që ka për synim vetëm “t’i bjerë në sy opinionit publik ndërkombëtar”. Udhëheqësit të autoritetit kombëtar palestinez, kryeministri izraelian i ka kujtuar se kanë arritur në një marrëveshje pajtimi me islamistët e Hamasit, të cilët synojnë ta shkatërrojnë Izraelin dhe mohojnë Shoah-un.
Pasi shprehu afërsinë e tij me “familjet e viktimave dhe të popullit të pafajshëm të vrarë nga nazistët, përfshirë hebrenjtë dhe të tjerët”, udhëheqësi palestinez vërejti se Holokausti përfaqëson “konceptin e e diskriminimit etnik e racor, që palestinezët e përjashtojnë me forcë dhe kundër të cilit luftojnë”. “Populli palestinez vuan për drejtësi, vuan nga shtypja dhe mohimi i paqes dhe i lirisë. Jemi të parët – shpjegoi – që kërkojmë t’i japim fund padrejtësisë dhe racizmit”.
Për sa i përket hapave politikë, Abu Mazen i bën thirrje qeverisë izraeliane “të përfitojë nga ky rast për të arritur paqen e plotë në rajon, të mbështetur në vizionin e dy popujve në dy shtete, që jetojnë përbri në paqe e siguri”. Por Netanjahu është kundërpërgjigjur me këtë pohim: “Shpresoj se dëshiron të shkëpusë lidhjet me Hamasin dhe të kthehet në gjurmët e paqes së vërtetë”. Para kamerave të CNN-it ai pohoi se Izraeli nuk do të marrë pjesë në bisedimet e paqes me një qeveri palestineze të mbështetur nga Hamasi dhe se pohimet e Abu Mazenit për dënimin e Shoah-ut janë në mospërkim me aleancën e tij me grupin islamik në pushtet në Gazë.
Pohimet e djeshme erdhën jo vetëm në fazën më të keqe të negociatave – që duhet të mbyllen në fund të prillit – për shkak të pajtimit të Autoritetit Kombëtar Palestinez me Hamasin, por edhe në një ditë të veçantë për shtetin e Izraelit. Mbrëmë, me një ceremoni në Yad Vashem të Jeruzalemit – në prani të Netanjahut dhe të Presidentit Shimon Peres – filluan veprimtaritë përkujtimore për shfarosjen e hebrenjve, që përfundojnë sonte. Sirenat ushtuan për dy minuta, sot, në orën 10, për t’u bërë thirrje izraelitëve që të ndalonin punën, për të kujtuar në heshtje Shoah-un.








All the contents on this site are copyrighted ©.