2014-04-28 15:57:07

Kardinali Komastri: Karol Vojtila, Shenjt guximtar, që jetoi duke iu bindur Ungjillit


“Shenjtorët nuk kërkojnë t’i duartrokasim, por t’i imitojmë”. Këto fjalë të Gjon Palit II jehuan përsëri sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë homelisë së kardinalit Anxhelo Komastri, në Meshën e falënderimit të Zotit për Shenjtërimin e Karol Vojtilës. Në kremtim morën pjesë dhjetra mijëra besimtarë polakë, kryesuar nga kardinali Stanislau Xhivish. Kryeipeshkvi i Krakovit u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre, që krijuan mundësinë për kremtimin prekës, të paharrueshëm, të Kanonizimit të dy Papëve.

Gjithçka është e vërtetë! Të nesërmen e ditës së paparë ndonjë herë, siç do të mbetet në kujtesën e dhjetra mijëra njerëzve nga mbarë bota e diela, 27 prill, shtegtarët u kthyen përsëri në Sheshin e Shën Pjetrit, si të donin ta preknin përsëri me dorë, ngjarjen, që ndodhi vetëm 24 orë më parë. Dy Papët, nga sixhadetë në fasadë, vijojnë ta shikojnë, me buzë në gaz, Popullin e Zotit. E t’i flasin, në një dialog shpirtarsh. E sot edhe qielli ishte më i kthjelltë. Era i dëbonte retë, duke kaltëruar hapësirën mbi Shesh e duke i hapur diellit rrugën për të lëshuar rrezet mbi portretet e dy Shenjtorëve.

E pamundur, të lexoje zemrën e njerëzve, mbledhur edhe sot në Shesh, ndonëse nga shprehja, mund ta kuptoje menjëherë se aty kishte mirënjohje, shpresë, dritë. Këto, ndjesitë që e bashkonin gjithë turmën, zhytur në lutje e në meditim. E mirënjohja ishte edhe zemra e Meshës, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri, në praninë e më se 80 mijë besimtarëve, shumica polakë. Shtegtarët e ardhur nga vendlindja e Karol Vojtilës, para se të merrnin udhën e kthimit, deshën ta falënderonin edhe një herë bariun, që u priu për 26 vjet me radhë nga Roma e, më parë akoma, nga Krakovi. Pikërisht kryeipeshkvi i dioqezës së Krakovit, “një jetë të tërë, sekretar i Gjon Palit II”, deshi t’i falënderojë të gjithë ata, që punuan me përkushtim për Shenjtërimin e dy Papëve, duke nisur nga Françesku e Benedikti XVI. E ndërmjet duartrokitjeve të turmës, vuri theksin tek dashuria e Karol Vojtilës për Italinë, atdheun e tij të dytë:
“Në emër të bashkatdhetarëve të mi, e falënderoj sot Italinë dhe gjithë banorët e saj për pritjen aq të përzemërt, që i bënë, vite më parë, Karol Vojtilës, si ipeshkëv e si Papë, i ardhur në Romë nga ‘një vend i largët’. Italia u bë, për të, atdhe i dytë. Sot sigurisht Gjon Pali II e bekon nga lart, ashtu si e bekonte dhe Poloninë e botën mbarë. Në zemrën e tij gjetën vend të gjitha kombet, kulturat, gjuhët”.
Gjatë kremtimit, shoqëruar nga kori i Krakovit, kardinali Komastri, mëkëmbës i Papës për Qytetin e Vatikanit, nënvizoi dëshminë e jashtëzakonshme të Shën Gjon Palit II, “shkëmb i fesë”, mbrojtës i guximshëm i familjes, “projekt i Hyjit’ dhe i jetës njerëzore, kundër kulturës së përjashtimit e të egoizmit. Papë, që u bë zë i të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë; që i tregoi botës, me jetën e vet, bukurinë e udhës meshtarake; që e lëshoi plotësisht vetveten në duart e Marisë, në rrugën e fesë. Papa, që diti t’i flasë zemrës së të rinjve si “baba i vërtetë” e “edukator i sinqertë”.
Kardinali Anxhelo Komastri rikujtoi edhe 8 prillin e vitit 2005, ditën e salikimeve të Karol Vojtilës, kur flladi dialogoi me faqet e Ungjillit, mbi arkivolin e Papës së Shenjtë:
Të gjithë, atë çast, e pyesnin veten: ‘Kush ishte Gjon Pali II? Pse e deshëm kaq shumë?’. Dora e padukshme, që shfletonte Ungjillin, dukej sikur thoshte: ‘Përgjigjen e keni në Ungjill!’. Jeta e Gjon Palit II ishte bindje e vazhdueshme ndaj Ungjillit të Jezusit: prandaj – thoshte era – prandaj e deshët kaq shumë. Njohët, në jetën e tij, Ungjillin e përhershëm; Ungjillin, që u dha dritë e shpresë të krishterëve brezni pas breznie”.
Sot, shtoi, e dimë se kjo parandjenjë do të bëhej ngjarje, e frymëzuar e frymëzuese, do të bëhej 27 prilli 2014, kur Kisha, përmes Papës Françesku, njohu shenjtërinë e Gjon Palit II. E pikërisht atij, Shenjtit, që s’diti ç’është frika, kardinali Komastri i kërkoi të lutej për Kishën, të cilën e deshi aq shumë, që të mos ketë frikë, por të shtyhet guximshëm në shtegtun e besnikërisë heroike ndaj Jezusit.








All the contents on this site are copyrighted ©.