Rikthehemi tek jeta e Gjonit XXIII, kur ishte prift i thjeshtë, duke vijuar leximin
e librit të Terezio Boskos “Gjoni XXIII- Papa i mirë”, që e zgjodhëm për të njohur
jetën e Shenjtit të ri.“Vitet e topave” titullohet fragmenti i sotëm, në të
cilin dom Anxhelon e takojmë në frontin e Luftës I Botërore. Maj 1915.
D’Anuncio në Kuatro, bën thirrje për luftë. E quan “zjarr, që do ta pastrojë rininë
e Italisë”. Duket sikur një erë çmendur tërbohet në të gjitha shtigjet e gadishullit.
Në orën 15.30 të 23 majit, qeveria austriake merr deklaratën e luftës. Italia hyn
në Luftën I Botërore. Edhe dom Anxhelo merr fletëthirrjen për ushtri. Shkruan: “Nesër
nisem. Ku do të më çojnë? Në front? Nuk e di! Dëshiroj një gjë të vetme, vullnetin
e Zotit, sot e përgjithmonë, e lavdinë e tij, në flijimin tim të plotë”. Caktohet
rreshter në spitalin e Bergamos. Ndërkaq në front fillon beteja e parë e shkatrrimtare,
ajo e Izoncos. Për dy javë me radhë Armata e dytë dhe e tretë nisen për sulm nga llogoret
e Tolminos e të Goricies. Mbi rrafshnaltën gëlqerore nis martirizimi i këmbësorisë
italiane: bajoneta, kundër telave me gjemba. Në pak ditë mbeten në fushë të betejës
më se 15.000 vetë. Rreshteri Anxhelo Ronkali shikon si vërshon në spital një ushtri
e tërë me të plagosur, që trondisin edhe muret me britmat rrënqethëse. Në bebëzat
e syve, që u digjen nga ethet, lexohet tmerri i sulmit me armë të bardha. 24 tetor
1917. Një emër përshkon Italinë. Endet si fantazmë, që mbjell kudo frikë e tmerr:
Kapporeto. Austriakët thyejnë vijën e mbrojtjes e vërshojnë në fushën venete. Nisen
drejt Piaves rezervat e fundme të djalërisë së 1899. Don Anxhelo, i emëruar kapelan
ushtarak, shikon si shtohen gjithnjë më shumë valët e të plagosurve. Spitalet e Bergamos
nuk mjaftojnë. Të gjitha kishat e qytetit i nënshtrohen nevojave të luftës e mbushen
përplot me trupa të copëtuar. Don Anxhelo sillet ditë natë ndërmjet ushtarëve, me
garza e dizinfektues në duar. Pas çdo fashimi, edhe një fjalë feje e mirësie. Po sa
e sa i shuhen në dorë. Djem nënash! Sa! Më në fund, kumti i madh: paqja! Sapo ngrihen
përsëri në këmbë, të plagosurit rinisen drejt familjeve të tyre. I shtrëngojnë dorën
e i thonë: - Faleminderit, kapelan. Do të përpiqemi të jemi të mirë, që Zoti të
mos na e çojë kurrë më shuplakën e luftës. Baba Batista e nënë Mariana fshijnë
lotët e përqafojnë përsëri tre djemtë, që kthehen gjallë e shëndosh nga fronti. Don
Anxhelo përsërit:- Paqe mbi tokë! S’ka gjë më të bukur! Gjë më të madhe!