Skeda: Papa Gjon Pali II, nga vdekja, në nderimet e elterit!
Po kujtojmë çastet kryesore, nga thirrja “Vojtila Shenjt, menjëherë”, tek nënshkrimi
përfundimtar i çështjes kanonike, që e lartoi Gjon Palin II në nderimet e elterit. “Shenjt,
menjëherë”, shkruhej në parrullat, që shpalosën besimtarët në Rrugën romake të Pajtimit,
përballë Bazilikës së Shën Pjetrit, më 8 prill 2005, kur një turmë vigane merrte
pjesë në salikimet e Gjon Palit II, në shekull, Karol Vojtila. Populli katolik e shikonte
si njeri të shenjtë e dëshironte që edhe Kisha ta shpallte shenjt. Shenjtëria
e Tij Gjon Pali II ndërroi jetë më 2 prill 2005, në orën 21. 37 minuta, në
apartamentin e tij në Vatikan, në moshën 84 vjeçare, në vitin e 26-të të papnisë,
i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë. Vdiq pasi vuajti për një kohë të gjatë
nga një mori sëmundjesh, shkaktuar prej plumbit, që u nis drejt tij nga arma e Ali
Agçait, më 13 maj të vitit 1981. Ndërmjet tyre, sëmundja e Parkinsonit. Pasi u
dha lajmi për vdekjen e Papës, në Sheshin e Shën Pjetrit, në shenjë mirënjohjeje,
shpërtheu një duartrokitje e stuhishme, e pasuar nga një heshtje e thellë, surreale,
ndërprerë nga dënesët e besimtarëve, të cilët shtrënguan njëri-tjetrin në një përqafim
prekës. Pastaj të gjitha këmbanat e kishave të Romës ranë përnjëherësh përmortshëm,
për t’i dhënë lamtumirën Kryebariut të Kishës Katolike Universale, ndërsa besimtarët
u gjunjëzuan dhe nisën lutjen për pushimin e pasosur të të vdekurit. Gjithë natën
Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me njerëz të përlotur. Prelatët u drejtuan ftesën
të vijojnë lutjen në heshtje, për ta shoqëruar kështu Papën në hapat e para drejt
qiellit.
Gjon Pali II (latinisht Ioannes Paulus II), në shekull Karol
Vojtila (Karol Józef Wojtyla), lindi në Wadovice (Në Poloni, dioqeza e Krakovit) më
18 maj të vitit 1920. I shuguruar meshtar më 1 nëntor 1946; ipeshkëv më 28 shtator
1958, më 26 qershor 1967 u emërua Kardinal nga Papa Pali VI. I zgjedhur papë më
16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës. Duke
nisur që nga data e vdekjes e për nëntë ditë me radhë u kremtuan salikimet për pushimin
e Tij të pasosur. Filluan menjëherë të gjitha procedurat e parashikuara në Kushtetutën
apostolike “Universi Dominici gregis”, shpallur nga Gjon Pali II më 22 shkurt 1996. Sipas
Kushtetutës Apostolike “Universi Dominici Gregis” (Grigja Universale e Zotit), Konklavi
për zgjedhjen e papës pasardhës, do të fillonte brënda 20 ditëve, pas vdekjes së Gjon
Palit II. Kardinali Anxhelo Sodano, asokohe sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së
Tij, kremtoi në Vatikan Meshën parë të nëntëditshit për shpirtin e Papës, e pikërisht
në solemnitetin eMëshirës Hyjnore. Trupi i Gjon Palit II u vendos në Bazilikën
e Vatikanit për homazhet e besimtarëve duke nisur nga dita e hënë, 4 prill, pasdite. Që
aso kohe, tek Lumnimi, kaluan vetëm 6 vjet. Kohë rekord, përjashtim nga ligji i Kishës,
mbi bazën e të cilit duhet të kalojnë pesë vjet pas vdekjes së Shërbëtorit të Zotit,
që të nisë procesi, i cili mund ta çojë në nderimet e elterit. E që aso kohe, tek
shenjtërimi, sot, më 27 prill 2014, vetëm 9 vjet.
Më 14 janar 2011,
Papa Racinger nënshkroi Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II u shpall i Lum më 1
maj 2011. Kremtimi u mbajt në Vatikan, i kryesuar nga Benedikti XVI. Ishte e Diela
e Mëshirës Hyjnore, e lidhur fort me shenjtoren polake Faustina Kovalska, që të dyja
tejet të dashura për Papën Vojtila e për mbarë popullin polak. Sigurisht ky lajm,
që mori menjëherë dhenë, e vuri edhe një herë në qendër të vëmendjes Papën Vojtila,
që arriti në cakun e lumnimit pas njohjes së një mrekullie, bërë me ndërmjetësimin
e tij, pak ditë pas vdekjes. Është fjala për shërimin e një murgeshe franceze nga
sëmundja e Parkinsonit. Përfundoi, kështu, pjesa më e rëndësishme e procesit
të Lumnimit, që filloi pa pritur të kalonin pesë vjetë nga vdekja, siç kërkojnë normat
kanonike, sepse Benedikti XVI nuk i respektoi këto norma, ashtu siç kishte bërë edhe
Paraardhësi i tij, kur ishte fjala për lumnimin e Nënë Terezës, Themeluese e Misionareve
të Dashurisë, vdekur më 1997, lumnuar më 19 tetor 2003. E këtë – shpjegon Kongregata
për Çështjet e Shenjtorëve - e bëri, duke u nisur nga fama e jashtëzakonshme e shenjtërisë,
që gëzonte Papa Vojtila sa ishte gjallë, kur po vdiste e pas vdekjes. Kongregata për
Çështjet e Shenjtorëve shpjegoi se Çështja e lumnimit të Papës Gjon Pali II pati dy
lehtësi. E para kishte të bënte me miratimin papnor për të mos pritur pesë vjet; e
dyta, me përjashtimin e rastit nga lista e pritjes. Por, pavarësisht nga këto, të
gjitha procedurat u kryen me seriozitet e kujdes të jashtëzakonshëm, pa asnjë lëshim.
Çështja u trajtua njëlloj si të tjerat, duke ecur hap pas hapi, sipas normave kanonike
të Kongregatës përkatëse. Madje duhet shtuar se pikërisht për ta nderuar më shumë
kujtimin e këtij Pape të madh, Çështja u shqyrtua edhe më imtësisht, që të shmangej
çdo dyshim e të kapërcehej çdo vështirësi, që mund të dilte më pas. Më 14 janar
2011, pra, Papa Benedikti XVI, pasi priti në audiencë kardinalin Anxhelo Amato,
prefekt i Kongregatës, autorizoi dikasterin të shpallte dekretin për mrekullinë e
kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II (Karol Vojtila). Faza
dioqezane e Lumnimit zgjati nga qershori i vitit 2005, deri në prillin e vitit
2007. Gjatë kësaj faze, u mblodhën dëshmi për jetën, virtytet, famën e shenjtërisë
e mrekullitë e Gjon Palit II, duke u nisur nga dioqeza e Romës, për të vijuar edhe
në dioqeza të tjera. Me dekretin e 4 majit 2007, Kongregata për Çështjet
e Shenjtorëve njohu vlefshmërinë juridike të proceseve kanonike. Në qershor
2009, si u shqyrtua Positio, apo dëshmia e arsyetuar e virtyteve, nëntë këshilltarë
teologë të dikasterit, dhanë mendimin e tyre pozitiv lidhur me virtytet heroike të
Shërbëtorit të Zotit. Një vit më pas, në muajin nëntor, duke ndjekur procedurën
e zakonshme, e njëjta Positio iu nënshtrua gjykimit të kardinajve dhe të ipeshkvijve
të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që morën vendimin përfundimtar. Më
19 dhjetor 2009 Papa autorizoi shpalljen e dekretit mbi virtytet heroike e mbi
mrekullinë, që postulacioni e kishte paraqitur për shqyrtim në Kongregatën për Çështjet
e Shenjtorëve. Është fjala për murgeshën franceze, Mari Simon Pierre, rregulltare
e Institutit të motrave të vogla të nënave katolike, që u shërua mrekullisht nga
sëmundja e Parkinsonit. Më 21 tetor 2010, aktet e hetimit kanonik, kryer
në përkim me të gjitha rregullat, si dhe ekspertizat e mjekësisë ligjore, iu nënshtruan
shqyrtimit shkencor nga ana e Konsultës Mjekësore të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve.
Pasi i studiuan me vëmendjen më të madhe dëshmitë e procesit dhe gjithë dokumentacionin,
mjekët pranuan se ishte fjala për një shërim, që nuk mund të shpjegohej shkencërisht.
Më 14 dhjetor 2010, pasi u njohën me përfundimet e mjekëve, Këshilltarët
teologë vijuan veprimtarinë me vlerësimin teologjik të rastit dhe, njëzëri, pranuan
se mrekullia ishte kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II. Më
11 janar 2011, u mbajt sesioni i zakonshëm i kardinajve dhe i ipeshkvijve të Kongregatës
për Çështjet e Shenjtorëve, gjatë të cilit u mor, pa asnjë kundërshtim, vendimi përfundimtar:
shërimi i rregulltares Mari Simon Pierre, shkencërisht i pashpjegueshëm, është vepër
e kryer nga vetë Zoti, me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të cilit i qenë lutur plot
besim, si murgesha e shëruar, ashtu edhe shumë besimtarë të tjerë. Më 27 prill
2014, Gjon Pali II shpallet shenjt nga Papa Bergoglio.
Kujtojmë se arkivoli
i Atit të Shenjtë u mbart nga Kripta e Vatikanit, pa u hapur, për t’u vendosur
në kapelën e Shën Sebastianit. Kështu besimtarët e kanë më të lehtë të gjunjëzohen
tek vendi, ku pushojnë në paqe reliket e Papës polak, ashtu siç bëjnë, kur duan të
luten para trupit të balsamosur të Gjonit XXIII, poshtë elterit të Shën Jeronimit,
në bazilikën e Shën Pjetrit. Festa liturgjike e Shën Gjon Palit II kremtohet më 22
tetor.