Papa Gjon Pali II (lat. Ioannes Paulus PP.II), në shekull Karol Józef Wojtyła,
lindi në Vadovicë (Poloni), më 18 maj 1920; vdiq në qytetin e Vatikanit më 2 prill
2005 . Vojtila ishte pasardhësi i 263-të i Shën Pjetrit; Papa i 264-t i Kishës Katolike
Romake; Kryeipeshkvi i Romës, Kreu i Qytet-Shtetit të Vatikanit. I zgjedhur papë më
16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës.
Karol Vojtila para papnisë Karol Wojtyla lindi më 18 maj të vitit
1920, në Wadovicë (Poloni), rreth 50 km larg Krakovisë. Karol Vojtila, Ati, ishte
oficer; nëna, Emilia Kacazorowska, mësuese. Vëllau më i madh, Edmundi, mjek, ndërsa
motra më e vogël, Olga kishte vdekur në lindje. Karoli u pagëzua më 20 qershor 1920. Më
13 prill 1929 i vdiq e ëma; tri vjet më vonë, edhe vllau, Edmundi (5 dhjetor 1932).
Mbeti vetëm me të jatin. Më 1934, pasi kreu shkollën fillore, u regjistrua në
gjimnazin klasik (Marcin Wadowitza). Përveç sportit, nisi të interesohej edhe për
teatër, duke themeluar teatrin amator të Wadowices. Në maj të vitit 1938 mori
sakramentin e Krezmimit dhe dëftesën e pjekurisë. Gjatë verës, së bashku me të jatin,
u vendos në Krakovi. Në vjeshtë u regjistrua në Universitetin Jagiellonian të Krakovisë,
ku nisi studimet në degën e gjuhës e të letërsisë polake, pa e harruar dashurinë për
teatrin. Arriti të përvetësojë 11 gjuhë të ndryshme: polonisht, sllovakisht, rusisht,
italisht, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, gjermanisht, ukraninisht, anglisht
e latinisht. U radhit, kështu, ndërmjet intelektualëve më të njohur poliglotë të kohës. Me
1939 filloi Lufta II Botërore. Nacistët pushtuan Poloninë dhe e mbyllën Universitetin.
Karol Wojtyla u detyrua t’i ndërpresë studimet. Me 1940, për të shpëtuar nga internimi
në Gjermani, punoi në guroren e lidhur me fabrikën kimike Solvay. Nisi të lexojë veprat
e Shën Terezës së Avilës, përmes së cilës u njoh me përshpirtërinë e karmelitanëve. Më
18 shkurt 1941 i vdiq edhe i jati. Gjatë viteve 1942-1944 punoi në një fabrikë
prodhimesh kimike. Me 1942 hyri në Seminarin e Madh klandestin të Krakovisë. Filloi,
fshehurazi, edhe studimet në Fakultetin teologjik të Universitetit Jagellonica, pa
e ndërprerë punën në fabrikë. Më 01. 11. 1946, ditën e Gjithë Shenjtorëve, kardinali
Adam Stepan Sapieha e shuguroi meshtar, në kapelën e tij private. Më 02. 11. 1946,
ditën e Purgatorëve, kremtoi Meshën e parë në kriptën e shën Leonardit, në katedralen
e Wavelit. Gjatë viteve 1946-1948 vazhdoi studimet pasuniveritare në Romë, në Universitetin
Papnor të Shën Tomës (Angelicum). Shkroi punimin e doktoraturës mbi shën Gjonin e
Kryqit, duke theksuar natyrën personale të takimit të Zotit me njeriun. Me 1947,
gjatë pushimeve verore, vizitoi Francën, Holandën e Belgjikën. Në korrik 1948
mbrojti doktoratën dhe u kthye në Krakovi. U emërua famullitar në fshatin Niegowicy. Më
1949 u transferua në famullinë e Shën Florianit, në Krakovi. Famullitari e caktoi
atë shpirtëror të studentëve të Krakovisë dhe të punjonjësve të shërbimit shëndetësor.
Nisi të krijojë poezi me pseudonimin Andrzej Jawien, të shkruajë artikuj për revistën
˝Tygodnik Powszechny˝, t’u japë mësim katekizmi studentëve, të inskenojë pjesë teatrale,
të organizojë shëtitje e shtegtime. Më 1951 kryeipeshkvi i Krakovisë, Eugeniusz
Baziak, e liroi nga detyrat famullitare, duke i krijuar kushtet për punë shkencore,
në fushën e etikës dhe të teologjisë morale. Më 1953 nisi të japë leksione në disiplinën
e etikës katolike, pranë Universitetit Jagellonica. Më 1954 vijoi punën në Lublin,
në Universitetin Katolik. Drejtoi katedrën e etikës, pranë fakultetit të filozofisë. Më
28. 09. 1958 u emërua ipeshkëv–ndihmës i Krakovisë e, katër vjet më pas, drejtoi dioqezën
si mëkëmbës kapitullar. Vetëm 38 vjeç, ishte ipeshkvi më i ri i episkopatit polak.
Në vitin 1960 botoi librin “Dashuria dhe përgjegjësia”. Më 30 dhjetor 1963
Papa Pali VI e emëroi kryeipeshkëv të Krakovisë. Prej 1962 deri më 1965 mori pjesë
në Koncilin II të Vatikanit, ku dha ndihmesë të çmuar për hartimin e Dignitatis
Humanæ dhe Gadium et Spes, dy dokumentet historike më të rëndësishme
të Koncilit. Më 5- 15. 12. 1963 shtegtoi për herë të parë në Tokën e Shenjtë. Më
30. 12. 1963 Papa Pali VI e emëroi Karol Wojtylën kryeipeshkëv metropolit të Krakovisë. Më
26. 06. 1967 u krijua kardinal i Shën Cesareo in Palatio, diakoni e lartuar në titullin
pro illa vice nga Papa Pali VI. U kthye në Krakovi, ku nisi të dallohet
për veprimtari kundër komunizmit. Filloi të botojë në gazetën e tij dioqezane disa
libra, që ishin ndaluar nga cenzura komuniste. Ndërmjet tyre, “Hamendje mbi Jezusin”
shkruar nga Vitorio Mesori dhe “Letër e një fëmije, që s’doli kurrë në dritë”, shkruar
nga Oriana Falaçi. Në vitin 1969 botoi librin e dytë “Njeriu e vepra”. Më 1970
vizitoi disa vende të Evropës. Me 1973 mori pjesë në Kongresin Eukaristik në Australi;
vizitoi Manilën dhe Guinenë e Re. Udhëtoi në Belgjikë e në Francë. Si u rikthye në
Krakovi, bëri thirrje për mbledhjen e parë të sinodit të ipeshkvijve. Gjatë vitit
1974 ishte disa herë për vizitë në Romë. Më 1975 vazhdoi punën për përfundimin
me sukses të sinodit të ipeshkvijve; mbajti një ligjëratë në Seminarin Ndërkombëtar
në Friburg dhe në Konferencën e Milanos. Me 1976 kryesoi ushtrimet shpirtërore
të Kuries në Vatikan, në praninë e Papës Pali VI; vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës
dhe Kanadanë, mori pjesë në kongrese filozofësh në Romë dhe Gjenevë. Me 1977 Universiteti
Johannes Gutenberg i Mainz-it i dha titullin e nderit doctor honoris causa. Mori pjesë
në disa konferenca në Romë, Milano, Paris. Në gusht të vitit 1978, pas vdekjes
së Palit VI, ishte i pranishëm në konklavin, që përfundoi me zgjedhjen e Patrikut
të Venedikut, kardinalit Albino Luçiani, Papa Gjon Pali I. Në moshën 65 vjeçare, Luçiani
konsiderohej si papë i ri, në krahasim me paraardhësit. Më 28 shtator 1978, pasi papnoi
vetëm 33 ditë, Gjon Pali I vdiq. Në tetor 1978 Vojtila u rikthye në Vatikan, për të
marrë pjesë në konklavin e dytë, brenda dy muajve. Më 16. 10. 1978, në orën 18.18
tymi i bardhë lajmëroi zgjedhjen e Papës së ri. Gjysëm ore më vonë në lozhën e Bazilikës
së shën Pjetrit u paraqit kardinali Felici, që njoftoi: Habemus papam! Kemi Papën!
Papa i ri i Kishës Katolike ishte kardinali i Krakovisë, Karol Vojtila, që deshi të
zgjidhte emrin Stanislau I, por me që ky emër nuk përfshihej në traditën romake, u
quajt Gjon Pali II. Ishte i 264-ti papë, i pari papë polak. Pak minuta pas zgjedhjes,
Papa i ri u duk në lozhë për të përshëndetur mijëra besimtarët e mbledhur në Shesh.
Në fjalimin e tij të shkurtër, u paraqit si ‘papa i ri, i thirrur nga një vend i largët”.
Me entuziazmin e tij ia fitoi menjëherë zemrën italianëve, që e shikonin me dyshim
zgjedhjen e një pape të huaj, pas kaq shekujsh. Mbeti e famshme fraza: “Në se do të
gaboj, ju do të më korrigjoni” dhe i paharrueshëm për ata që patën fatin të ishin
të pranishëm, Bekimi i tij i parë Urbi et Orbi - Romës dhe Botës, transmetuar përmes
Mondovizionit. Të nesërmen Papa i ri kremtoi Meshën shenjte, së bashku me Kolegjin
Kardinalor, në Kapelën Sikstine e më 22 tetor, nisi solemnisht shërbimin papnor.
Papnia
e Gjon Palit II 16. 10. 1978 : Fillon papnia e Karol Vojtilës. Për
herë të parë, që nga viti 1522 (Adriani VI, i 218-ti papë, gjerman) ulet në Fronin
e Shën Pjetrit një Papë me origjinë jo italiane. Papa Polak deshi ta fillojë papninë
duke nderuar dy pajtorët e Italisë: kështu, më 5 nëntor 1978 vizitoi Asizin e Shën
Françeskut, ndërsa më pas, Bazilikën e Shën Marisë mbi Minervë, për t’u gjunjëzuar
tek varri i Shën Katerinës së Sienës. Më 12 nëntor mori në dorëzim katedrën e Shën
Gjonit në Lateran, seli e ipeshkvit të Romës. Më 5 dhjetor nisi vizitën e parë
baritore në dioqezën e tij, duke filluar me famullinë e Shën Françesk Saverit, në
lagjen Garbatela. 25. 01. 1979 : Shtegtimi i parë ndërkombëtar, në Republikën Domenikane,
Meksikë, Bahamas. 04. 03. 1979: Boton Enciklikën “Redemptor Hominis” 13.
05. 1981, Gjon Pali II plagoset rëndë nga turk Ali Agça, në Sheshin e Shën Pjetrit
në Vatikan, në një atentat, që tronditi mbarë botën. 15. 09. 1982 : Pret në audiencë,
në Vatikan, prijësin palestinez Jaser Arafat Në dhjetor 1983 Papa vizitoi atentatorin
Ali Agça, në burgun e Romës. 13. 04. 1986 : Është Papa i parë që shkel në një :
viziton sinagogën hebraike të Romës. 27. 10. 1986 : Fton prijësit e të gjitha besimeve
të botës për t’u lutur së bashku në Asizi. 01. 12. 1989 : Pret për herë të parë
sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, zotin Mihail
Gorbaçov. 15. 07. 1992 : I nënshtrohet t për heqjen e një tumori në zorrë. Pak
më vonë shfaqen e sëmundjes së Parkinsonit. Më 25 prill 1993 Gjon Pali II
vizitoi Shqipërinë. Në Shkodër u takua edhe me Nënën Tereze. 17. 05. 1993 :
Botohet katekizmi i ri i Kishës Katolike, i dyti pas atij të vitit 1566. 30. 12.
1993: Nënshkruhet, në Jeruzalem, marrëveshja themelore Izrael-Vatikan për fillimin
e marrëdhënieve diplomatike. 29. 04. 1994: Pas rrëzimit, thyerja në këmbën e djathtë. 26.
11. 1994 Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel
Koliqin….. 09. 12. 1994: Revista amerikane Time e zgjedh "Burri më i shquar
i vitit". 15. 01. 1995: Gjatë shtegtimit apostolik në Filipine, kryeson në Manila
një nga Meshët më të mëdha në historinë e Kishës Katolike, i rrethuar nga 4 milion
njerëz. 25. 12. 1995: Për herë të parë nga fillimi i papnisë, i sëmurë nga gripi,
nuk i drejton Romës e Botës (Urbi et Orbi) mesazhin e Krishtlindjes. 21. 01.
1998: Shtegtimi apostolik i shumëpritur në Kubë. 25.12.1999: Hapja e Portës së
Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit: fillimi i Vitit të madh Jubilar 2000. 20.
03. 2000: Shtegtimi apostolik në Izrael, Jordani dhe Palestinë. Lutja pranë Murit
të Lotëve në Jeruzalem: kremtimi i meshëve në Betlehem e në Nazaret. 06. 05. 2001:
Papa i parë në histori, që viziton një xhami islamike: xhaminë Omajade në Damask. 16.
10. 2003: I sëmurë rëndë, kremton e 25-vjetorit të Papnisë. Më 19 tetor 2003,
në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e më se 300 mijë shtegtarëve, ardhur
nga e gjithë bota, Gjon Pali II kryesoi kremtimin me ritin e lumnimit të Nënë Terezës. 01.
02. 2005: Shtrohet për probleme në rrugët e frymëmarrjes, në klinikën romake Gemelli.
Rikthehet shpejt në Vatikan. 06. 02. 2005 : Papa del në dritaren e klinikës për
të bekuar besimtarët 10. 02. 2005 : Papa del nga spitali Gemelli. Me mijëra njerëz
e përshëndesin me gjatë kthimit me në Vatikan. 13. 02. 2005 : duket në dritaren
e studios së tij, mbi Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe bekon besimtarët. Lutjen
e Engjëllit të Tënzot e lexon imzot Leonardo Sandri. 24. 02. 2005 : Ati i Shenjtë
shtrohet përsëri në spital. I bëhet një trakeotomi për ta ndihmuar në frymëmarrje.
Vatikani shpreson se do ta ndihmojë për ta kapërcyer sëmundjen. 27. 02. 2005 :
Papa duket për disa sekonda pas dritares së mbyllur të klinikës. 01. 03. 2005 :
Kardinali Jozef Racinger viziton Papën në spital. Bisedon me Gjon Palin II italisht
dhe gjermanisht. 13. 03. 2005 : Gjon Pali II rikthehet në Vatikan, ndonëse shëndeti
i tij është rënduar shumë. 27. 03. 2005 : Ati i Shenjtë duket në dritaren e studios
së tij në Sheshin e Shën Pjetrit dhe orvatet t’u flasë besimtarëve të Dielën e Pashkëve.
Por nuk mundet. Shtegtarët e besimtarët e mbledhur në Shesh, të prekur thellë, qajnë
me dënesë. 30. 03. 2005 : Papa dëshiron përsëri t’u flasë besimtarëve. Vatikani
njofton zyrtarisht se Papa ushqehet me mnjë sondë në stomak. 01. 04. 2005 : Vatikani
pohon se gjendja shëndetësore e Gjon Palit II është tepër serioze. Për shkak të një
infeksioni të rrugëve urinare, Papa pëson goditje në sistemin kardiologjik dhe helmim
gjaku. I jepet Sakramenti i Vajimit.Me 2 prill 2005, në ora 21:37 zemra e madhe e
Gjon Palit II-të pushoi së rrahuri.