2014-04-27 15:43:10

Gjoni XXIII e Gjon Pali II janë Shenjtorë. Papa Françesku: nuk patën frikë të përkulen mbi plagët e Jezusit


Dy Papë Shenjtorë, dy Papë bashkëkremtues. Në këto gjashtë fjalë përmblidhet gjithë karakteri i jashtëzakonshëm i kësaj dite, historike për Kishën, festë feje e ditë shprese për njerëzimin. Që nga orët e para të mëngjesit, një turmë pa fund besimtarësh, të paktën 800 mijë vetë, u dynd në Sheshin e Shën Pjetrit, në Udhën e Pajtimit e në zonat rreth Kështjellës së Shën Engjëllit, për Meshën e shenjtërimit të Gjonit XXIII e Gjon Palit II, kryesuar nga Papa Françesku. Më se 800, bashkëkremtuesit, ndërmjet të cilëve, Papa i nderit Benedikti XVI, i përshëndetur me një duartrokitje të stuhishme në sa hynte në treme, e edhe ipeshkvijtë e Kishës Katolike të Shqipërisë, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Anxhelo Masafra dhe Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirdita.RealAudioMP3
Nga autoritetet zyrtare, kujtojmë praninë e Presidentes së Kosovës, Zonjës Atifete Jahjaga dhe të Kryeministrit, zotit Hashim Thaqi. Shqipëria, veç ipeshkvijve, përfaqësohej nga shumë grupe të vogla emigrantësh e shtegtarësh, ardhur nga i gjithë vendi, për t’u shprehur dy papëve Shenjtorë mirënjohjen e thellë, për ndihmesën që dhanë, ndërmjet tjerash, në shembjen e perdes së hekurt.
Gjatë homelisë, në të Dielën titulluar nga Papa Vojtila e “Mëshirës Hyjnore”, ipeshkvi i Romës pohoi se dy shenjtorët nuk patën frikë të përkuleshin mbi plagët e Jezusit. Mbi ato plagë që janë shenja e përhershme e dashurisë së Zotit për ne.

Shenjtorë! Gjoni XXIII e Gjon Pali II janë shenjtorë. Dëshira e zjarrtë e disa breznive besimtarësh, që e prisnin këtë shpallje, u bë kumt koral gëzimi për Kishën e botën mbarë.
Kremtimi filloi pikërisht me Litanitë e Shenjtorëve, kënduar nga Kori i Kapelës Sikstine e menjëherë u ndje fort fryma e përqendrimit të thellë në lutje dhe ndjekja me heshtjen, që pushton katedralet katolike në kremtimet e mëdha. Qetësi surreale, në një turmë qindra mijëra vetësh. Për të ndjekur ritin sugjestiv, në latinisht, gjatë të cilit kardinali prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Angelo Amato, i drejtoi tri herë rresht Papës peticionin për të shkruar në Albumin e Shenjtorëve Gjonin XXIII e Gjon Palin II. Pastaj, çasti i pritur me një emocion të papërshkrueshëm: formula e Kanonizimit:
“… Beatos Ioannem XXIII et Ioannem Paulum II Sanctos esse decernimus et definimus, ac Sanctorum Catalogo adscribimus…”.
“Deklarojmë dhe përkufizojmë Shenjtër të Lumët Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II, i shkruajmë në Albumin e Shenjtërve dhe caktojmë që të nderohen me devocion ndër shenjtorë, në të gjithë Kishën. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”. Janë fjalët që, një ças pasi dolën nga goja e Papës Françesku, hynë në librin e historisë së njerëzimit. Pasuar nga një Amen shpërthimtar e edhe nga duartrokitjet e stuhishme të mijëra njerëzve, sytë e të cilëve nguleshin në fasadën e Bazilikës, mbi portretet e dy Papëve Shenjtorë, që duket sikur rinisën dialogun e tyre të gjallë e të gjatë, me botën.
Riti i kanonizimit pati edhe një çast tjetër prekës, atë të vendosjes së relikeve të shenjtorëve në elter. Relikuarin e Shën Gjon Palit II e mbarti Floribeth Mora Diaz, që u shërua mrekullisht nga Shenjti. Ndërsa atë të Gjonit XXIII, katër nipat, kryetari i bashkisë së Nënmalit dhe kryetari i Fondacionit kushtuar Papës Ronkali.
Pastaj u lexua Ungjilli, në latinisht e greqisht, për të pohuar se asnjë gjuhë nuk është e huaj për zemrën e Anxhelo Ronkalit dhe të Karol Vojtilës. Ungjilli, që përmbyll Tetëditshin e Pashkëve, tha Papa në krye të homelisë, përqendrohet te plagët e lumnueshme të Krishtit të Ngjallur. Janë ato plagë, që Toma deshi t’i shihte me sy, e deshi edhe t’i prekte, për të besuar.
Plagët e Jezusit, komentoi Françesku, janë shkandull për fenë, por edhe vërtetim i fesë. Prandaj, vijoi, në korpin e Krishtit të ngjallur, plagët nuk zhduken, mbeten, sepse janë shenjë e përhershme e dashurisë së Zotit për ne. Këto plagë, vijoi, janë të domosdoshme për të besuar në Zotin. Jo për të besuar se Zoti ekziston, por për të besuar se Zoti është dashuri, mëshirë, besnikëri:
“Shën Gjoni XXIII e Shën Gjon Pali II patën guximin t’i shikojnë plagët e Jezusit, t’i prekin duart e Tij të plagosura e kraharorin e Tij të shporuar. Nuk patën turp nga korpi i Krishtit, nuk u shkandulluan nga Ai, nga Kryqi i Tij; nuk patën frikë nga korpi i vëllait (cfr Is 58,7), sepse në çdo njeri të vuajtur panë Jezusin. Qenë dy burra të fortë, përplot me parresinë e Shpirtit Shenjt, që i dhanë botës dëshminë e mirësisë së Zotit e të mëshirës së Tij”.
Ishin meshtarë, ipeshkvij e papë të shekullit XX. I njohën nga afër tragjeditë, madje edhe i jetuan, tha Papa Françesku, por nuk u mposhtën, sepse:
“Më i fortë se ato, ishte Zoti; ishte më e fortë, feja në Jezu Krishtin Shpërblyes i njeriut e Zot i historisë; më e fortë se tragjeditë, ishte mëshira e Zotit, që duket në këto pesë plagë; më e fortë, afërsia amtare e Marisë”.
Në këta dy burra kundrues të plagëve të Krishtit e dëshmitarë të mëshirës së Tij, shtoi, banonte shpresa e gjallë, njëherësh me gëzimin e patregueshëm e të lum:
Shpresa dhe gëzimi, të cilin Krishti i ngjallur ua jep dishepujve të tij, gëzim që askush nuk mund t’ua marrë. Shpresë e gëzim Pashkësh, përshkuar nëpër furrën e zhveshjes, të zbrazjes, të afërsisë me mëkatarët deri në fund, deri në neverinë e hidhërinë e atij kelku. Këto janë shpresa e gëzimi, që dy shenjtorët Papë morën si dhuratë nga Zoti i ngjallur e ia dhuruan, pastaj, me duar plot, Popullit të Zotit, duke fituar mirënjohjen e tij të përjetshme”.
Pikërisht kjo shpresë e ky gëzim, reflektoi Ati i Shenjtë, ndjehej fort në bashkësinë e parë të Jeruzalemit. Është bashkësi, ku jetohet thelbi i Ungjillit, domethënë, dashuria, mëshira, në thjeshtësi e vëllazëri. E kjo, pohoi, është edhe figura e Kishës që pati parasysh Koncili II i Vatikanit. Shën Gjoni XXIII e Shën Gjon Pali II, tha në vijim, bashkëpunuan me Shpirtin Shenjt për ta ripërtrirë e për ta rinuar Kishën, sipas fizionomisë së saj të zanafillës, fizionomi, që ia dhanë shenjtorët në shekuj:
“Nuk duhet të harrojmë se janë pikërisht shenjtorët, që e çojnë përpara Kishën dhe e bëjnë të rritet. Në thirrjen e Koncilit II të Vatikanit, Gjoni XXIII dëshmoi bindjen e ëmbël ndaj Shpirti Shenjt, e la të printe e qe për Kishën, bari e udhëheqës- i udhëhequr’. Ky ishte shërbimi i madh, që i bëri Kishës: ishte Papa i bindjes ndaj Shpirtit Shenjt”.
Në këtë shërbim ndaj popullit të Zotit, vijoi, Gjon Pali II ishte Papa i familjes:
“Kështu pati thënë ai vetë, një herë, se dëshironte të kujtohej si Papë i familjes. Më pëlqen ta nënvizoj, ndërsa po ecim në udhën drejt Sinodit mbi familjen e me familjen, një udhë që, sigurisht Ai, nga qielli, e shoqëron dhe e mbështet”.
Uroj, tha në përfundim Papa Françesku, që të dy këta Shenjtorë, Barinj të Popullit të Zotit, të ndërmjetësojnë për Kishën që, gjatë këtyre dy vjetëve të udhës sinodale, t’i bindet Shpirtit Shenjt në shërbimin baritor ndaj familjes e uroj edhe që:
“Të dy të na mësojnë të mos shkandullohemi nga plagët e Krishtit e të hyjmë në misterin e mëshirës hyjnore, që shpreson gjithnjë, fal gjithnjë, do gjithnjë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.