2014-04-27 10:41:56

Gjon Pali II: Ipeshkvi i ri i Romës


Duke shfletuar librin “Kam jetuar me një shenjt”, ku kardinali Stanislau Xhivish i jep një intervistë gazetarit italian Gian Franco Svidercoschi, lexojmë:RealAudioMP3
“Që nga fillimi, Karol Vojtila ishte një papë ndryshe nga të tjerët. I ndryshëm, natyrisht, sepse ishte i pari Papë jo italian pas gati 500 vjetësh. E kjo, për disa, ishte risi pothuaj dramatike. Kujtoj – thotë ish-sekretari personal i Gjon Palit II – se një ditë pas zgjedhjes, Ati i Shenjtë shkoi në spitalin Gemelli për t’i bërë një vizitë mikut të tij të sëmurë, imzot Andrea Deskur. Një gazetë e rëndësishme doli me këtë titull në faqen e parë: ‘Papa i huaj nëpër rrugët e Romës’. Kupton apo jo? …I huaj!”
Ashtu si Papa aktual Françesku, edhe Gjon Pali II u paraqit jo si “Papa i ri”, por si “ipeshkvi i ri i Romës”. Ishte ndryshe nga të tjerët, sepse mbante mbi supe një fe graniti e një histori, shpesh tragjike. U kuptua që kur në fillim të papnisë, nga Sheshi i Shën Pjetrit, bëri thirrjen historike: “Mos kini frikë! Hapjani, madje, dy kanatësh portat Krishtit!” Ajo thirrje do të bëhej lejtmotivi, apo më mirë, parimi që frymëzoi magjisterin, veprimtarinë e tij qeverisëse dhe misionin e tij universal.
E interpretoi ndryshe rolin e Pjetrit, duke e bërë të vetin parimin e kolegjialitetit ipeshkvnor të kushtetutës konciliare “Lumen gentium”. Gjon Pali II deshi të ishte dëshmitar i njeriut si imazh i Krijuesit e për këtë arsye, me të drejta të patjetërsueshme, të padhunueshme, duke filluar nga e drejta për jetën: të gjitha këto, elemente të enciklikës së tij të parë “Redemptor hominis”. I Lumi Karol Vojtila deshi të ishte dëshmitar i shpresës, edhe për Kishën, që atëherë kishte mjaft probleme të brendshme, sidomos përsa i përket interpretimit të Koncilit II të Vatikanit.
Në të vërtetë, në ato vite, vetëm ai, Gjon Pali II, ishte i bindur se procesi i shekullarizimit e kishte kaluar fazën akute, më të rrezikshme, prandaj kishte mundësi e hapësirë për një propozim të ri feje. Gjithashtu, Papa e dinte mirë si ishin ngritur mbi rërë disa mendime, që atëherë konsideroheshin të padiskutueshme edhe në disa ambiente kishtare. Për shembull, mendimi se ndarja gjeopolitike e Evropës, vendosur nga Stalini në Jaltë, ishte përfundimtare e nuk mund të ndryshohej.
Karol Vojtila kishte për njerëzimin e historinë një vizion , që e bënte të kapte natyrën e vërtetë, arsyet e vërteta të disa problemeve apo situatave. E kishte këtë aftësi, sepse e shihte gjithçka në optikën e fesë e i kërkonte ndihmë Zotit në lutje, madje zgjidhte gjithçka në gjunjë para Atij të Lumit. E kështu pati pohuar pak ditë pas zgjedhjes, kur pati shkuar në shenjtoren e Mentorelës pranë Romës, që i pëlqente aq shumë: “Detyra e parë e Papës ndaj Kishës dhe botës është lutja!”








All the contents on this site are copyrighted ©.