2014-04-27 11:32:42

Flasin dëshmitarët e shenjtërisë së Gjonit XXIII e të Gjon Palit II


Bota katolike, e jo vetëm, është pushtuar nga një emocion i jashtzakonshëm. Njerëz nga të katër anët e Planetit mbushin, sot, përplot Sheshin e Shën Pjetrit e edhe rrethinat e Vatikanit. Janë shumë, shumë… flasin të gjitha gjuhët e idiomat e botës. Erdhën këtu nga anë e anës, të gjithë me një kujtim në zemër, me një mbresë personale, me një falënderim në buzë për aromën e shenjtërisë, që flladi i pranverës e përhap sot nga ballina e asaj Bazilike, që ka parë të ngjiten në elter aradhe shenjtorësh, duke nisur nga vetë Shën Pjetri.Ndërmjet tyre, spikasin dy figura: motra Adele Labianca, që pati asistuar simotrën e saj, Katerina Kapitani, shëruar falë ndërmjetësimit të Gjonit XXIII dhe Floribeth Mora Diaz, me ndërmjetësimin e Gjon Palit II.RealAudioMP3

Rrëfejnë. Me emocion e me lot në sy, dy dëshmitaret e shenjtërisë së dy Papëve, duke vënë vazhdimisht theksin mbi hirin e fituar nga Zoti, që veproi me ndërmjetësimin e figurave të tyre. E para e merr fjalën simotra e rregulltares Katerina Kapitani, shëruar me ndërmjetësimin e Gjonit XXIII: “Ishte dora, buzëqeshja, ledhatimi i Zotit, thotë motra Adele, duke folur për veprimtarinë që zhvillonin së bashku në spitalin pediatrik “Lina Ravaskieri” të Napolit. Të prek posaçërisht rrëfimi i saj mbi vuajtjet e motrës Katerina: ishte vetëm 23 vjeçe, kur iu hoq një pjesë e stomakut e edhe pas operacionit, mjekët dyshonin shumë mbi ardhmërinë e të sëmurës. Kishin frikë se sëmundja jo vetëm që nuk kishte kaluar, por do të shpërthente edhe më keq. Ishte viti 1966. Gjoni XXIII kishte vdekur prej tri vjetësh, por motër Katerina, ashtu edhe simotrat e saj, i luteshin ditë për ditë të ndërmjetësonte. Në çastin më kritik, menduan të vendosnin një relike të Papës mbi plagën e të sëmurës. E ajo, çuditërisht, u zgjua menjëherë. Pak kohë më pas tregoi me gojë të vet ç’kishte provuar atë ças:
“Ndjeva se një dorë m’u mbështet mbi stomak, në drejtim të fistulës. Pastaj një zë, që më thërriste më të majtë: ‘Motër Katerina!’. E trembur nga ai zë burri, u ktheva, e pashë. Në këmbë para shtratit tim, Gjoni XXIII, me petka papnore, që nuk di ta përshkruaj më tej, sepse ia ngula sytë fytyrës së tij. Ishte tejet e bukur e gazmore. Më tha: ‘Motër Katerina, m’u lute fort e me ty, edhe simotrat e shumë rregulltare të tjera, por në mënyrë të posaçme, njëra prej tyre - kështu tha - e unë e dija se ajo që iu lut më shumë isha unë vetë. Ma nxorët drejt nga zemra këtë mrekulli! Por tashmë gjithçka u krye: ti tani je fare mirë e nuk ke më asgjë”.
Motër Katerina rifilloi të hante e të kontrollohej, duke i lënë mjekët pa gojë. Nuk dinin ç’të thoshin për këtë shërim të menjëhershëm, të papritur e të pashpjegueshëm. Ishte dëshmia e saj, që e bëri të lum Gjonin XXIII:
E gjithë jeta e motër Katerinës, si në shtroje të dhimbjes, ashtu edhe në kushtimin e jetës për Zotin, ishte shprehje e mirësisë hyjnore. Motra Katerinë, gjatë gjithë jetës, pati një devocion të thellë për Gjonin XXIII, devocion që e përhapi e ua përcolli të gjitha Bijave të Dashurisë së Krishterë e mbarë popullit të Zotit. Nuk e dimë nga ç’skaj i Parajsës, për ku u nis më 3 prill 2010, na shikon sot, pasi la këtu mes nesh, një testament shpirtëror, që flet vetë për lëshimin e plotë në dorë të Zotit e të vullndesës së Tij. Edhe sot, motër Katerina, me buzagazin e saj magjepsës, vijon t’u flasë zemrave tona: zëri i saj, që jehon nga e kaluara, i flet së sotmes e i takon së ardhmes, na mëson se udha e fesë dhe e dashurisë duket e paarritshme, po ne duhet të guxojmë, duhet ta përshkojmë pa frikë edhe përmes detesh të stuhishme e vullkanesh në shpërthim, siç bëri i Lumi Gjoni XXIII e si na nxit të bëjmë Papa Françesku, në Evangelii Gaudium”.
I mrekulleshëm, edhe shërimi i Floribeth Mora Diaz, 51 vjeçe, nga San José e Kosta Rikës. Grua, që i shoqi e katër fëmijët e donin fort e që pa pritë e pa kujtuar, iu desh të shtrohej në spital, pa asnjë shpresë shërimi. Rrëfimi i saj para mikrofonit të gazetarëve, jashtëzakonisht i ngarkuar me emocione e njëkohësisht plot me forcë, na mëson se nuk duhet ta lëshojmë kurrë veten në duart e dëshpërimit, por të lutemi, fort, e të bëjmë edhe më fort, vullnetin e Zotit. Ishte data 8 prill e vitit 2011, kur mjekët vendosin ta kthejnë në shtëpi, sepse nuk dinë ç’të bëjnë më me të. Aneurizma, nga e cila vuan, është rënduar pa shpresë shërimi. Ka vetëm një muaj jetë. Familja tronditet në kulm, po ajo vijon të shpresojë e t’i lutet Gjon Palit II:
“Yo le pedía la intersección a Juan Pablo II...
Kërkoja ndërmjetësimin e Gjon Palit II. I thosha vazhdimisht: ‘O Gjon Pali II, ti që je kaq pranë Zotit, thuaji se unë nuk dua të vdes!’. Kisha frikë të vdisja, më dhimbseshin fëmijët… ‘Thuaji, të lutem, se po të vdes, s’ka kush kujdeset për ta. Kanë shumë rëndësi për mua! S’ka gjë më të dashur për mua në këtë botë, se bijtë e mi e im shoq…’. E i lutesha gjithnjë Zotit të m’i mbronte, të mos i linte vetëm, kur unë nuk do të isha më. Prandaj kërkoja ndërmjetësimin e Gjon Palit II, duke iu lutur të më ndihmonte, sepse nuk doja të vdisja”.
Dhimbja e kësaj nëne ishte e pakufishme, sidomos kur e bija, Valentina, i lutej me lot në sy të mos vdiste, sikur ta kishte ajo vetë në dorë. “Nuk duhet të vdesësh, mama” i tha një ditë, e mbytur në lot. E ajo, duke ia besuar veten me gjithë shpirt Zotit e ndërmjetësimit të Gjon Palit II, i gjegji: ‘Mos kij frikë, nuk do të vdes’. E mrekullia u bë:
“Despues que yo …Pasi pashë lumnimin e Gjon Palit II, në një transmetim – në Kosta Rikë ishte ora 2 e mëngjesit - ndjeva diçka të pabesueshme. U zgjova atë mëngjes, hapa televizionin e gjeta një transmetim, që i kushtohej pikërisht lumnimit. Më kujtohet se në çastin e parë, pashë Benediktin XVI që mbante relikën. Pastaj, ashtu si u zgjova, ashtu edhe fjeta përsëri. Në orën 8 të mëngjesit, u zgjova rishtas. Kuptova menjëherë se ishte zgjim i pazakontë; ndjeva një zë, në dhomën time, që më thoshte: ‘Çoju!”. U çudita e u mrekullova, shikova për rreth e thashë: ‘Oh, Zoti im, jam vetëm!’. Po zëri vijonte të më thërriste: ‘Çoju!’; ‘Mos kij frikë!’. Sytë e mi u ngulën menjëherë tek një revistë mbi televizor, numër i posaçëm për lumnimin e Gjon Palit II.. Aty pashë Papën Gjon Pali me duar lartuar drejt qiellit, si të ishte një pikturë... E duart e tij dukej sikur më ftonin të ngrihesha. E unë u përgjigja: ‘Po, o Zot’. E që nga ajo ditë u ngrita përsëri në këmbë! Zoti atë ditë ma largoi çdo frikë, ma largoi agoninë e më dha një paqe, një paqe, që më siguroi menjëherë se isha shëruar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.