2014-04-26 16:34:44

Nata e shenjtërimit, në Shën Pjetër e rrethina, pushtuar nga turma vigane, në pritje


Shenjtërimi i Gjonit XXIII e Gjon Palit II ka mbledhur në Romë një turmë të pafundme njerëzish. Posaçërisht sot paradite zona e Shën Pjetrit dhe rrethinat janë bërë vend kalimi e pushimi për dhjetra mijëra njerëz, ndërsa qindra mijëra të tjerë priten gjatë orëve të ardhshme e gjatë gjithë natës.

E shtunë, 26 prill 2014. Udha e Pajtimit, ora 12.
Pararoja me përfaqësues nga të gjitha racat, etnitë, kombet, ngjyrat, moshët, vërshon si përrua i pandalshëm ndërmjet Kështjellës së Shën Engjëllit e Sheshit të Shën Pjetrit, epiqendër e Ngjarjes së madhe, që me korridoret, parmakët, karrikat, lulet, përgatit petkun për festën e nesërme, duke u bërë vend gjithë mysafirëve, të afërt e të largët, ndërmjet të cilëve, 80-100 mijë të ftuar në festë kanë arritur tashmë e po shuajnë kureshtjen duke vizituar monumente, dyqane e tezga. Ndërsa spikasin “organizatorët” e festës, kasketat e bardha të të ngarkuarve për montimin e skelave, kullave, maksiskermave; devizat e Forcave të rendit; të Kryqit të Kuq; të Mbrojtjes Civile; të vullnetarëve me detyra të ndryshme, të gjithë në gjendje alarmi për të vënë në rend dyndjen e turmës, që nesër do t’ia kalojë shumë kësaj së sotmes. Nesër ‘organizatorët’ do të jenë përballë murit të ngjeshur të një milion njerëzve, të gjithë me dëshirën për të qenë sa më pranë elterit. Sa më pranë dy Papëve Shenjtorë.
Kolonati e rrugët rreth e qark përgatiten tashmë për të përballuar një natë të jashtëzakonshme, për mijëra besimtarë, që do ta kalojnë këtu, në lutje. Mijëra të tjerë do të mund të luten në Kishat përreth Vatikanit, edhe ato gjithë natën hapur, në pritje. Në kishën e Shën Anjezes në Agone; Kishën e Shën Markut në Kapitol, të Shën Marisë në Valiçela, të Shën Gjon Pagëzuesit të Fiorentinëve, përveç bazilikave të Shën Gjonit në Lateran e të Shën Palit jashtë Mureve. Roma do të jetojë sonte një “natë të bardhë” pa gjumë, në lutje, organizuar nga Vikariati, në bashkëpunim me lëvizjet e bashkësitë, që do t’i drejtohet Zotit në të gjitha gjuhët.
Të orientohesh, në këto orë, nuk është aspak e lehtë, prandaj Radio Vatikani, së bashku me ente të tjera, ndërmjet të cilave, Agjencia Roma Shërbime për Lëvizjen, Policia e Romës Kryeqytet, Aci e Rajoni Lacio, vijojnë të transmetojnë, që dje e deri nesër, njoftime të vazhdueshme për mjetet e transportit, trafikun publik e atë këmbësor, në italisht, anglisht e polonisht, drejtuar shtegtarëve, turistëve, gazetarëve me kombësi të ndryshme. Në Romë, me frekuencë 105 FM; në mbarë Italinë, me Dab+ për radiot dixhitale, por edhe përmes satelitit Eutelstat, veç adresës radiovaticana.org. Por shenjë e kufirit hipermedial do të jenë posaçërisht 500 stacione televizive të 20 kombeve, që nesër do ta transmetojnë drejtpërdrejt ceremoninë, në disa raste për herë të parë, në 3D. 32 telekamera (13 nga të cilat në 3D, gjashtë në 4k Ultra Hd), të prodhimit ndërkombëtar, janë vendosur nga Qendra Televizive e Vatikanit, Sky Italia, BSky e Sky Deutschland.
Edhe ju, të dashur shtegtarë shqiptarë të faqes sonë të internetit, mund të bashkoheni shpirtërisht në natën e pagjumë të Romës, në lutje e në pritje, me besimtarët e Sheshit të Shën Pjetrit.

E, pastaj, mirupafshim e mirudëgjofshim nesër!







All the contents on this site are copyrighted ©.