2014-04-26 12:16:08

Gjoni XXIII: Një fletore me kapakë të errët


Vijojmë shfletimin e librit të Terezio Boskos “Gjoni XXIII- Papa i mirë”, për ta njohur nga afër, Shën Gjonin XXIII:RealAudioMP3
“Në vitin 1896 Anxhelo Ronkali bleu një fletore me kapakë të errët. Në faqen e parë shkroi: “Shënime shpirtërore”.
Në të dytën, “Çdo ditë”:
1. Të them të paktën një çerek ore lutje mendore, sapo të ngrihem nga krevati në mëngjes.
2. Të marr pjesë, ose më mirë, të shërbej, Meshën Shenjte
3. Të bëj një çerek ore lexime shpirtërore.
4. Të rrëfehem e të kungohem çdo javë.
E kështu vijoi vit pas viti aq, sa u mblodh një grumbull fletoresh. Ronkali do t’ua besonte faqeve të tyre mendimet e veta më të fshehta, propozimet, çastet e vuajtjeve. Një ditë fletoret do të botoheshin, nën titullin “Gazeta e shpirtit”, duke u bërë një nga librat më të lexuar në botë. Nga harqet e seminarit, vijnë në kohë tona jehonat e ngjarjeve, që trondisnin Italinë. Shpërthente, në këto vite, “Çështja shoqërore”. Lindja marramendëse e fabrikave kishte populluar tej mase lagjet e rrethinave të qyteteve me një turmë njerëzish të varfër, gjithnjë më të varfër.
Qeveria, e shqetësuar nga rreziku i prishjes së rendit e i sulmit mbi klasat e kamura, nuk ngurronte të niste trupat kundër demonstruesve. Grevat, gjithnjë më shpesh, përfundonin me gjak. Në vitin 1898, në udhët e Milanos, u dukën edhe barrikadat.
Meshtarët e ipeshkvijtë nuk e kishin gjithnjë të qartë qëndrimin, që duhej mbajtur ndaj këtyre ngjarjeve.
Por Bergamo, nën udhëheqjen energjike të imzot Guindanit, u bë, në këto vite, qendër e “lëvizjes sociale katolike”.
Nikola Rezara, katolik i vendosur e i çiltër, gjatë një fjalimi publik, ngrinte zërin:
“Të krishterëve të mirë u kujtoj se feja, lutja, ndihmat, nuk mjaftojnë për të na shpëtuar. Nuk mjaftojnë parrullat kundër socializmit. Duhet të realizojmë, me impenjimin tonë, drejtësinë shoqërore”.
Seminaristi Ronkali, i përkulur mbi libra, dëgjonte jehonën e këtyre betejave vigane, e përgatitej të hynte, si meshtar, në botën e re të punëtorëve të luftërave sociale.









All the contents on this site are copyrighted ©.