2014-04-25 14:45:58

Zgjedhja e Karol Vojtilës në fronin e Shën Pjetrit


Dje, e lamë jetën e Papës Gjon Pali II në qershor të vitit 1978, kur populli polak ishte përfshirë nga protestat kundër komunizmit, që kardinali Vojtila i mbështeste me mish e shpirt. Pas pak javësh - na informon gazetari italian Gian Franco Svidercoschi në librin-intervistë me kardinalin Stanislao Xhivish, “Kam jetuar me një shenjt”, të cilin po e shfletojmë së bashku këto ditë, para shenjtërimit të Papës polak – vdiq Pali VI. E 33 ditë pas zgjedhjes, më 29 shtator, ndërroi jetë pa pritur edhe Gjon Pali I. Vojtila, si të gjithë kardinajtë, u kthye në Romë.
“Shihej qartë, gjatë udhëtimit – thotë kardinali Xhivish, ish-sekretari personal i tij – se kishte diçka që e shqetësonte. Kësaj radhe, ishte më shumë i mbyllur në vetvete, në mendime, në lutje. Ishte e ditur se në Konklavin e mëparshëm kishte pasur një sërë votash për emrin e tij. …Por ai nuk thoshte asgjë. E natyrisht, unë nuk e pyesja”.
Ndodhi ashtu siç kishte frikë Karol Vojtila. Pas konfrontimit të zgjatur ndërmjet kryeipeshkvit të Firences, Giovanni Benelli dhe, kryeipeshkvit të Gjenovës, Giuseppe Siri, u venit mundësia për zgjedhjen e një italiani. Kryeipeshkvi i Vienës, kardinali Franz Konig, filloi të kërkojë konsensus për kryeipeshkvin e Krakovit, që u zgjodh Papë gjatë votimit të tetë. Kardinajtë vunë gishtin mbi njeriun, i cili vinte “nga një vend i largët”, përtej perdes së hekurt. Ishte Papa i parë sllav, Papa i parë jo italian, pas gati 500 vjetësh. Kardinali Xhivish përshkruan në libër, emocionet e tij të asokoshme:
“Isha në shesh, krah portës së Bazilikës së Vatikanit, kur dëgjova shqiptimin e emrit të tij nga kardinali Pericle Felici. Për një çast, pata frikë se po më dilte zemranga krahërori. Bërtisja si i çmendur, por rreth meje bërtisnin të gjithë, nuk arrija ta dëgjoja veten. E përfytyrova të veshur me të bardha. Mendova për Poloninë time, sigurisht në festë, tronditur nga kjo e papritur. E, më vjen turp ta them, por kujtova me dashakeqësi fjalët e Sekretarit të parë të Partisë Komuniste të Silezisë, i cili, duke iu referuar faktit që kardinali Vojtila ishte nisur me pasaportë turistike, pasi ia kishin marrë atë diplomatike, më tha: “Shko, shko në Konklav, se kur të ktheheni do t’i bëjmë ne llogaritë me të”. Nëse do të kisha pasur mundësi, do t’i kisha çuar një telegram shokut sekretar: “Më vjen keq, por Provania Hyjnore kishte plane të tjera…”.







All the contents on this site are copyrighted ©.