2014-04-25 15:30:51

Papa: ndokush e sulmon martesën, por familja e qëndrueshme u jep shpresë të rinjve


“Mungesa e Krishtit është varfëria më e madhe”, që pasqyrohet në të këqiat e shoqërisë, që nga kriza e familjes, tek korrupsioni e zvetënimi moral. Duhet gjallëruar dhurata e çmuar e fesë, duke e shpallur me guxim e gëzim Ungjillin e duke u pajtuar me Zotin. Kështu shkruan Papa Françesku në fjalën për prelatët e Afrikës së Jugut, të Botsvanës e të Svacilandit, që i priti sot në vizitë “ad Limina”.
Në tekstin, që ua dha dorazi, Ati i Shenjtë kujton shenjtorët afrikanë, shërbimin e Kishës për shtresat më nevojtare të shoqërisë, sidomos për jetimët e shumtë e për të sëmurët nga Sida. Por, vë në dukje edhe se familjet katolike kanë gjithnjë e më pak fëmijë e kjo ndikon edhe në numrin e thirrjeve për meshtari. Disa prej katolikëve u afrohen grupeve të tjera, që duket se u premtojnë më tepër. Aborti është bërë problem edhe në Afrikë, ku rritet numri i ndarjeve dhe i divorceve, me pasoja të rënda për fëmijët. Fatkeqësisht, shtohet edhe dhuna kundër grave e të vegjëlve.
Kësaj analize të pamëshirshme, Papa Françesku i bashkangjit udhët e veprimit për të dalë nga kjo gjendje. Kemi nevojë, nënvizon, të gjejmë mënyra të reja për t’u propozuar njerëzve Krishtin, mungesa e të cilit është varfëria më e madhe. Vetëm kështu dëshmia e bashkëshortëve të krishterë, lutja dhe Sakramentet mund të japin frytet e dëshiruara edhe për shoqërinë. “Martesa e krishterë – nënvizon Ati i Shenjtë – është pakt i përhershëm dashurie ndërmjet burrit e gruas, që ka nevojë për sakrifica të vërteta, në mënyrë që çifti të largohet nga iluzioni i lirisë seksuale e të ketë besim tek besnikëria bashkëshortore”. Ndërsa për korrupsionin, Papa përdor fjalë edhe më të ashpra. Është si t’i vjedhësh të varfërit, thekson në mesazh. Kjo shkatërron krejt bashkësinë , e cila humbet besimin në sistemin vendor. Katolikëve, detyra për të dëshmuar virtytet e ndershmërisë dhe të integritetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.