2014-04-25 14:35:23

Papa Françesku: Karol Vojtila vazhdon të na frymëzojë me dëshminë e jashtëzakonshme të shenjtërisë së tij


I jam mirënjohës Polonisë për Gjon Palin II. Kështu pohon Papa Françesku në një videomesazh, transmetuar mbrëmë nga televizioni e radioja kombëtare polake, me rastin e shenjtërimit të Karol Vojtilës e të Anxhelo Ronkalit (Gjoni XXIII), të dielën, më 27 prill. Ati i Shenjtë vë në dukje “dëshminë e jashtëzakonshme të shenjtërisë” së Papës polak, duke i ftuar të gjithë të frymëzohen nga shembulli i tij. Jam i lumtur që po e shpall shenjtor Karol Vojtilën, njeri e Papë i madh, nënvizon Françesku në mesazh:
“I jam mirënjohës Gjon Palit II, ashtu si të gjithë anëtarët e Popullit të Zotit, për shërbimin e tij të palodhur, për udhëheqjen e tij shpirtërore, për faktin se e ka çuar Kishën në udhën e mijëvjeçarit të tretë të fesë e për dëshminë e jashtëzakonshme të shenjtërisë”
Më pas, Papa Bergolio kujton homelinë e Benediktit XVI në ditën e lumnimit të Karol Vojtilës. Gjon Pali II i pati kërkuar gjithë botës të mos ketë frikë e t’ia hapë portat Krishtit. Ai vetë, i pari, bëri ç’është e mundur për t’ia hapur Krishtit portat e shoqërisë, të kulturës dhe të sistemeve politike e ekonomike, duke kontribuar, me forcën e një gjiganti, në ndryshimin e kahes së historisë, e cila dukej e pakthyeshme:
“Me dëshminë e tij të fesë, të dashurisë e me guximin apostolik, shoqëruar me një ngarkesë të madhe humane, ky bir shembullor i kombit polak i ndihmoi të krishterët e gjithë botës të mos kenë frikë ta quajnë veten ndjekës të Krishtit, të bëjnë pjesë në Kishë, të flasin për Ungjillin. Me një fjalë: na ndihmoi të mos kemi frikë nga e vërteta, sepse e vërteta është garanci e lirisë. (Homelia, 1 maj 2011). Identifikohem plotësisht me këto fjalë”.
Papa Françesku kujton edhe se Karol Vojtila është formuar si i krishterë, në Poloni. Aty është formuar zemra e tij, që më pas, mori përmasa universale, së pari, duke marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit, e pastaj, pas 16 tetorit 1978, si Papë, duke bërë ç’është e mundur që në këtë zemër të gjenin vend të gjitha kombet, gjuhët e kulturat:
“Gjon Pali II u bë gjithçka për të gjithë. Falenderoj popullin polak dhe Kishën në Poloni për dhuratën e Gjon Palit II. Të gjithë jemi pasuruar nga kjo dhuratë. Gjon Pali II vazhdon të na frymëzojë. Na frymëzojnë fjalët, shkrimet, gjestet, mënyra e tij e shërbimit. Na frymëzon vuajtja e tij, jetuar me shpresë heroike. Na frymëzon lëshimi i tij i plotë në duart e Krishtit, Shëlbuesit të njeriut, dhe në ato të Nënës së Zotit”.
Gjatë vizitës së fundit “ad limina Apostolorum” të ipeshkvijve polakë, thotë në fund të mesazhit Papa Françesku, nënvizova se Kisha në Poloni vazhdon të ketë mundësi të mëdha feje, lutjeje, bamirësie e dashurie të krishterë. Shenjtërimi i Gjon Palit II dhe i Gjonit XXIII, uroi Ati i Shenjtë, qoftë nxitje për punën e kësaj Kishe, të cilën Françesku do ta njohë më nga afër me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Krakov, në vitin 2016. E i kthehet së dielës së shenjtërimit:
“Shumë prej jush do të vinë në Romë, por falë mass media-ve, shumë të tjerë mund të marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe. Prandaj, dua t’i falenderoj që sot, të gjithë gazetarët e shtypit, të radios e të televizionit për shërbimin e tyre me rastin e shenjtërimeve të 27 prillit. Përshëndes të gjithë bashkëkombasit e Gjon Palit II, edhe ata, që nuk i përkasin Kishës Katolike. I kam të gjithë në zemër. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”







All the contents on this site are copyrighted ©.