2014-04-23 19:22:41

Famullitari i Sotto il Monte: të vizitosh viset e Gjonit XXIII, është përvojë feje


Famullia e Sotto il Monte-Gjoni XXIII, ka nisur prej kohe punën për një projekt, që synon ta bëjë vendin, ku lindi “Papa i mirë” në vitin 1881, cak shtegtimesh. Ipeshkvi i Bergamos, imzot Francesco Beschi, po i jep një shtytje të re këtij synimi, për rivlerësimin shpirtëror të vendeve të Papës Gjoni e lajmi i shenjtërimit, më 27 prill, po e shton ndjeshëm numrin e shtegtarëve, që e vizitojnë, për të jetuar një përvojë të vërtetë feje. Folëm për këtë me don Claudio Dolcinin, famullitar i Sotto il Monte:

Përgjigje: - Dëshira e ipeshkvit Francesco Beschi – që më dërgoi këtu si famullitar nja dy vjet më parë - është që të bëhet gjithnjë më tepër, vend shtegtimi. Të bën mirë një vizitë në shtëpinë atërore, të vizitosh vendet, ku jetoi Papa Gjoni, ku lindi, u pagëzua. Pa harruar se kjo vizitë nuk duhet të nisë e të përfundojë me ndezjen e një qiriu, me një vizitë në atë shtëpi të jashtëzakonshme fshatare, por të jetë, sidomos, çast feje. Prandaj edhe kemi menduar, e ipeshkvi na jep gjithnjë shtytje, të realizojmë disa vende, që të ndihmojnë ta jetosh mirë shtegtimin, të jetë propozim feje. Ndër to, Shtëpia e shtegtarit, Kopshti i paqes, Udha e Kryqit, vende me të vërtetë të bukura e prekëse. Të kujtojnë në çdo hap, njeriun që po shpallet Shenjt. Aty mund të vizitosh edhe kriptën, ku ruhen objekte shumë të rëndësishme: Kryqi, që kishte Papa Gjoni përballë krevatit, riprodhimi në allçi i maskës dhe i dorës së Papës menjëherë pas vdekjes, realizuar nga Giacomo Manzù brenda arkëzës prej kristali, ku ruhet trupi i Papës Gjoni, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ideja, që krijohet dhe që e bën shtegtimin shtegtim, nuk përfundon me një shikim mbi Shenjtin. Është shenjt ai, që na e tërheq shikimin nga Jezusi. Motoja “Oboedientia et Pax” sintetizon gjithë jetën e këtij Shenjti. Gjithnjë bindje ndaj vullnetit të Zotit, me syrin e ngulur mbi Krishtin e Kryqëzuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.