Jemi në kapitullin e dytë të Ungjillit sipas Markut dhe Jezusi gjendet përsëri në
Kafarnaum. Shtëpia është e mbushur me njerëz, por edhe përjashta, para derës, është
mbledhur një numër i madh dëgjuesish. Katër vetë sjellin një të paralizuar, por, meqë
nuk mund të hyjnë brenda për shkak të turmës, hapin çatinë dhe e zbresin të sëmurin
para Jezusit. Jezusi, shkruan Marku, “po u shpallte njerëzve fjalën” dhe “pa fenë
e atyre që ia sollën të sëmurin përpara”. Në këtë tregim mund të shikojmë dy realitete
kryesore: (1) turmën, që është aq e rrëmbyer nga mësimet e Jezusit, sa nuk ia hap
rrugën vigut me të paralizuarin, dhe (2) katër njerëzit që mbartin vigun. Njerëzit
e turmës duan ta dëgjojnë Jezusin për vete, ndërsa katër mbartësit e vigut përpiqen
të arrijnë tek ai për të paralizuarin. Jezusi sheh fenë e tyre. Ata nuk shkojnë tek
Jezusi për të marrë mësime, por për të kërkuar shpëtimin. Feja ia hap mendjen
dhe zemrën njeriut besimtar, por, mbi të gjitha, i hap sytë dhe e bën të aftë të shikojë
lëngatat e njerëzve nevojtarë dhe t’i marrë përsipër ato. Marku nuk na thotë kush
janë këta katër njerëz, por na thotë se Jezusi pa fenë e tyre. Feja i bën njerëzit
solidarë. Besimtari nuk humb kohë duke denoncuar sëmundjet e njeriut, por e ngarkon
të sëmurin mbi shpatulla dhe e çon tek Jezusi. Feja e këtyre katër njerëzve nuk
është një e mirë që u vlen vetëm për vete. Ajo është burim mirësie për njeriun e sëmurë.
Duke parë fenë e tyre, Jezusi i thotë të sëmurit: “Bir, të janë falur mëkatet”. Vepra
e madhe e fesë është pranimi i faljes, që vjen nga Hyji në Krishtin. E keqja e madhe,
që e mban të paralizuar njeriun, është mëkati. Duke shpallur faljen e mëkateve, Jezusi
e shkul të keqen me rrënjë. Ai nuk ka ardhur për të ndrequr rrjedhojat e së keqes,
por për ta mundur të keqen në rrënjë, që ajo të mos ketë më asnjë pushtet mbi njeriun.
Pushteti i Jezusit mbi mëkatin i shkandullon skribët, të cilët thonë: “Pse flet
kështu ai. Blasfemon! Kush mund t’i falë mëkatet, përveç Hyjit të vetëm?” (2,7). Por
Jezusi e shfaq pushtetin e faljes me anë të mrekullisë së shërimit: “Që ta dini se
Biri i njeriut e ka pushtetin për të falur mëkatet, unë po të them – i tha të paralizuarit:
çohu, merr vigun tënd dhe shko në shtëpi” (2,10-11). Feja e shëron njeriun në shpirt,
sepse e rilind me anë të faljes, dhe për këtë shërim ka nevojë e tërë turma, që shtyhet
para derës së shtëpisë ku gjendet Jezusi. Prandaj “të gjithë u mrekulluan dhe e lavëderonin
Hyjin, duke thënë: këtë gjë nuk e kishim parë kurrë” (2,12). Shtëpia ku gjendet
Jezusi është bota. Ai ka ardhur në botë si njeri, për të shpallur faljen e Hyjit.
Turma rreth Jezusit janë të gjithë njerëzit, që kanë nevojë për mësimin e tij, për
të gjetur kuptimin e jetës. Shpesh herë turma i harron nevojtarët dhe ua mbyll rrugën
për tek Jezusi. Kisha është bashkësia e vogël e besimtarëve (katër njerëz, që mbartin
një vig), e cila kujdeset për të paralizuarit, për të përjashtuarit dhe të mënjanuarit,
i ngarkon mbi vig dhe i çon tek Jezusi, me fe. Skribët janë institucioni fetar i mbyllur,
që mendon se Hyji nuk mund të veprojë jashtë skemave të fesë rituale. Nëse Kisha di
t’i çojë nevojtarët tek Krishti, siç bënë katër njerëzit e Ungjillit, pa e larguar
turmën dhe duke hapur çatinë, edhe turmat e kohës sonë, si turma e Ungjillit, do të
mrekullohen dhe do ta lavdërojë Hyjin, duke thënë: këtë gjë nuk e kishim parë kurrë.