Meshët e mëngjesit të Papës në librin “E vërteta është takim. Homeli nga Shtëpia e
Shën Martës”
Një vit fjalë, nga më të lexuarat e më të dëgjuarat në botë, takim i përditshëm për
miliona njerëz. Këtë përmban libri “E vërteta është takim. Homeli nga Shtëpia e Shën
Martës”, botuar nga Rizzoli, që do të dalë në librari më 24 prill. Në të propozohen
sintezat e 186 homelive të meshës së mëngjesit, kremtuar nga Papa Françesku, ashtu
siç i ka paraqitur Radio Vatikani në emisionet e veta. Parathënia e vëllimit është
shkruar nga drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, i ndjekur nga një
ese hyrëse e drejtorit të revistës së jezutitëve “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio
Spadaro. Një impenjim më shumë. Që kur hapi portat e kapelës së Shtëpisë së Shën
Martës , ku bota hyn për të dëgjuar homelitë, katër herë në javë, Papa Françesku,
jo vetëm që zgjoi kureshtjen për ç’do të thotë të nesërmen dhe krijoi një zakon pa
kufij gjeografikë e fetarë, por kontribuoi edhe në ndryshimin e rutinës profesionale
të Radios së “tij”, që ka tani një hapësirë të re e të bukur. Që nga 25 marsi 2013,
Radio Vatikani krijoi një skuadër teknikësh e redaktorësh, të nevojshme për sintezën
e shkruar dhe të transmetuar të homelisë së ditës, e cila, menjëherë, u bë një lloj
“vule” e magjisterit të Atit të Shenjtë. Lindi kështu ai “impenjim tjetër”, mëse
“i mirëpritur”, siç e quan atë Federiko Lombardi në parathënien e librit, në faqet
e të cilit, secili mund të rilexojë fjalët e Papës Françesku, ndërsa në CD-në që e
shoqëron, mund edhe të dëgjojë zërin e tij, pauzat, nënvizimet, të ndjejë ndikimin
e mësimeve të tij të fesë, të stilit të tij shprehës. Libri del më 24 prill, ndërsa
CD-ja do t’i bashkangjitet atij më 7 maj, katër ditë para paraqitjes së vëllimit në
Sallonin e Librit në Torino. Homelitë e mëngjesit të Papës Françesku, shkruan atë
Federiko Lombardi, janë ato të “një biri të Shën Injacit të Lojolës, i mësuar t’i
ndihmojë shpirtrat për të kërkuar e kuptuar vullnetin e Zotit çdo ditë, me sytë e
ngulur tek Jezusi, që bart Kryqin për të na shëlbuar, nën vështrimin plot dashuri
të Atit Qiellor”. Radio Vatikani e ndjek e do ta ndjekë këtë udhëtim shpirtëror
të Papës, që nga mikrofoni i hapur në agim, në “veshët e vëmendshëm, mendjet e mprehta,
gishtat e shpejtë” të sekretareve të redaksisë, që i transkriptojnë me besnikëri fjalët,
e deri në ballafaqimin ndërmjet drejtorit dhe gazetarit të ngarkuar me sintezën, gjithnjë
“me gjithë impenjimin e gëzimin” e mundshëm, siguron atë Lombardi. Sepse që prej
83 vjetësh – nga Guljelmo Markoni në Shtëpinë e Shën Martës – ndryshojnë mënyrat,
por misioni i radios mbetet po ai: “përhapja e fjalës së Papës”, shërbim, që libri
i publikuar nga Shtëpia Botuese Rizzoli e nxjerr në dritë me saktësi dhe elegancë.
E qëllimi është, përfundon atë Lombardi, që “me ndihmën e Papës, të takojmë Jezusin”.