2014-04-22 15:36:19

Mesazhi i shpresës i Asia Bibit, me rastin e Pashkëve: shpëtimi do të vijë edhe për mua


Asia Bibi, gruaja e krishterë e dënuar në Pakistan për blasfemi në vitin 2009, jep një mesazh të qartë shprese, me rastin e Pashkëve, nëpërmjet faqes së internetit Vatican Insider: “Besoj me gjithë zemër e me të gjitha forcat e mia se do të ringjallem, shpëtimi do të vijë edhe për mua”. Por procesi për gjykimin e saj u bllokua për të disatën herë, pas shtyrjes së seancës gjyqësore, që ishte parashikuar për datën 24 prill. Përveç saj, këto Pashkë i kremtuan në krahët e vdekjes edhe bashkëshortët Shafkuat dhe i riu Sawan Masih, të cilët i pret gjithashtu kalvari i gjatë qyqësor. Në lidhje me këtë argument, Radio Vatikani bisedoi me themeluesin e Shoqatës së të Krishterëve Pakistanezë në Itali, Mobin Shahid:RealAudioMP3

Me këtë rast, fjalët plot shpresë të Asia Bibit janë edhe një shenjë e fortë e fesë që ajo jeton ditë për ditë. Duke folur për shpresën, që vjen nga Ringjallja e Krishtit, në këtë kohë Pashkësh, ajo na jep forcë edhe neve, për ta jetuar edhe më mirë fenë dhe angazhimin në mbrojtje të të krishterëve në mbarë botën. Sot, të krishterët janë grupimi fetar më i përndjekur në botë dhe shpresojmë se sistemi gjyqësor i Pakistanit do të marrë vendime reale, për ta liruar Asia Bibin, meqë herën e fundit që u mblodhën gjyqtarët dhe avokatët e saj, mungonte padia. Ndoshta me të vërtetë po e kuptojnë se kanë dënuar me vdekje një grua të pafajshme...

Rasti i Asis Abibit është rast emblematik, por ka edhe të tjerë. Le të kujtojmë ata më të fundit: i riu Sawan Masih, bashkëshortët Shafqat... Sa peshë kanë ndikimet politike ose fetare për mbylljen e këtyre gjyqeve për blasfemi?

Në të vërtetë cilido gjykatës apo avokat, që vë dorë në rastet e shpërdorimeve me ligjin për blasfeminë, merr kërcënime nga anëtarët e grupeve ose partive fetare ekstremiste islamike, ku bën pjesë edhe Tarek-i-Taleban Pakistan. Ata i kanë të gjitha mjetet për të ushtruar presion jo vetëm ndaj të krishterëve, por edhe kundër çdo lloj qeverie, që synon t’ua njohë të drejtat qytetarëve të vet. I detyrojnë të braktisin pronat dhe i mënjanojnë, sepse sot shpërdorimi i ligjit për blasfeminë prek ata të krishterë ose induistë, që arrijnë të ngjisin shkallët e shoqërisë, falë shkollimit.

Të kujtojmë se janë të paktën 14 vetë në krahët e vdekjes, të cilët presin vendimin e dënimit, gjithnjë me padinë për blasfemi. Atëherë lind pyetja: si i jeton pashkët një i krishterë në një burg pakistanez? Një i krishterë mbi të cilin rëndon kjo padi e tmerrshme?

I jeton pashkët me një farë sigurie, por, sigurisht, larg familjes, pa mundësinë për të shkuar në meshë, pa e marrë Sakramentin. Pra, jeton në kushte burgimi. Por e vërteta është se, në gjendjen e tanishme, pyes, sa të krishterë pakistanezë, që jetojnë në shtëpitë e veta dhe e kanë mundësinë për ta kremtuar Ringjalljen e Zotit tonë në ditën e Pashkëve, ndjehen të lirë dhe mund të ndjehen të sigurtë.

Bashkësia ndërkombëtare vijon t’i ndjekë me shumë vëmendje këto raste, por ndoshta duhet bërë diçka më shumë në rrafshin praktik?

Bashkësia ndërkombëtare mund ta ngrejë zërin, mund të flasë për këtë rast, mund të garantojë një farë mështetjeje politike, të gjejë mënyrën për t’i mbështetur familjet, por mund të bëjë edhe më shumë. Në rrafshin e jurisdiksionit ndërkombëtar, Pakishtanit mund dhe duhet t’i kërkohet të respektojë angazhimet e nënshkruara në OKB, sipas të cilave duhet t’u garantojë mbrojtje të gjithë qytetarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.