2014-04-22 15:35:53

Mesazh i ipeshkvijve spanjollë për zgjedhjet e Bashkimit Evropian: “Evropë, rizbulo rrënjët e tua!”


“Nga Santiago, o Evropë, një thirrje dashurie për ty: gjeje sërish vetveten. Bëhu sërish vetvetja. Zbulo origjinën. Gjallëro rrënjët e tua. Rijeto ato vlera të vërteta, që e bënë të lavdishme e të frytshme, praninë tënde në kontinente të tjera. Rindërto unitetin tënd shpirtëror në një atmosferë respekti të plotë për fetë e tjera dhe për lirinë e vërtetë”. Fillon me këtë thirrje të zjarrtë, që i Lumi Gjon Pali II pati shqiptuar në vitin 1982, në Santiago de Compostela, mesazhi i ipeshkvijve spanjollë për zgjedhjet evropiane, në program më 24 e 25 maj.
“Prelatët iberikë – lexohet në dokument – i ftojnë popujt të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe bëjnë të vetat reflektimet e Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (COMECE)”. Sipas këtij dokumenti, ipeshkvijtë i ftojnë popullsitë në dialog konstruktiv për demokracinë në Bashkimin Evropian, duke u tërhequr vëmendjen ndaj krizës financiare, që e ka rritur numrin e të varfërve. “Çdo qytetar – shkruajnë prelatët – çdo bashkësi e çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian duhet të lerë mënjanë interesat e veçanta, në favor të së mirës së përbashkët”. Duhet të mësojmë të jetojmë me pak, duke e ndarë pjesën tjetër me ata, që s’kanë asgjë. Nuk duhen flijuar parimet e susidiaritetit, të solidaritetit e traditat lokale, në emër të një uniteti, që e svetënon Evropën.
Ipeshkvijtë tërheqin vëmendjen ndaj problemeve të respektimit të dinjitetit të njeriut, të familjes, të të drejtave të emigrantëve e të azilantëve, të respektimit të lirisë fetare, e cila duhet të përfshijë manifestimin publik të fesë, duke mos e lënë atë thjesht në sferën private. Së fundi, prelatët evropianë nënvizojnë nevojën e mbrojtjes së ambientit, duke u kërkuar politikanëve të jenë më të vëmendshëm ndaj ndryshimeve të klimës dhe rritjes së nivelit të gazeve të rrezikshëm në atmosferë. Kërkojnë gjithashtu respektimin e ditës së dielë, si ditë pushimi javore, për të lejuar rigjallërimin e energjive fizike e shpirtërore për çdo njeri. “Bashkimi Evropian – përfundon mesazhi – ndodhet në udhëkryq. Është e nevojshme ta ndërtojmë mirë të ardhmen, sepse të gjithë humbasim shumë, nëse dështon projekti evropian”.








All the contents on this site are copyrighted ©.