2014-04-22 15:33:03

Gjoni XXIII – Anxhelo Ronkali


E quajtën Anxhelo, i ati dhe e ëma, atë pasdite të ftohtë e me erë, kur lindi. E pikërsht atë ditë famullitari e pagëzoi. Ishte 25 nëntori i vitit të largët 1881. Nënës Mariana e babait Batista, që të dy 28 vjeç, Zoti u kishte falur tri vajza: Maria Katerinën (që asokohe ishte 4 vjeçe), Terezën (2 vjeçe) e Ançilën (një vjeçe). Atë ditë në derën e tyre kishte lindur mashkulli i parë e si i ati, Batista, ashtu xhaxhai, Saveri, qenë dakord ta pagëzonin menjëherë, që të bëhej ‘bir i Zotit”.
Karvani i familjarëve, me ferishte, si deng i vogël leshi, në krahë, mbërrijti shpejt në Kishën e Zojës së Ngjitur në Qiell. Famullitarin, don Rebucini, e kishin thirrur për një të sëmurë, por gjithsesi ia behu pas pak minutash. E nisi sakrestanin për t’i rënë këmbanës, vuri stolën e bardhë, i shtrëngoi dorën atit e nënës e i pyeti: “Ç’emër do t’i vëmë?”. Batista, që ishte marrë vesh prej kohe me Marianën, u përgjigj aty për aty: “Angelo Giuseppe - Engjëll Zef”.
Pak minuta më pas, duke derdhur një fill uji mbi kokën e vogël të foshnjës, famullitari shqiptoi formulën, që të krishterët e përsërisin që prej dymijë vjetësh në raste të tilla: “Engjëll-Zef, unë po të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Pastaj e vuri stolën e tij të bardhë mbi ferishten, humbur në shpërgënj e i tha: “Merre petkun e bardhë e çoje pa asnjë dangë para gjykatës së Zotit tonë, për të pasur prej Tij jetën e pasosur”.
22 vjet më vonë, duke u përgatitur të bëhej prift, Anxhelo Ronkali do të shkruante: xhaxhai im, plaku i mirë Saveri, sapo u pagëzova, më kushtoi aty, në kishën e vendit tim, Zemrës së Krishtit, që nën mbrojtjen e Saj të rritesha si i krishterë i mirë. Më kujtohet se lutja e parë, e mësuar në gjunjtë e atij njeriu shpirtmirë, ishte urata zhgjetore, që më pëlqen aq shumë ta përsëris: “Zemra e Krishtit, Zotit tonë, ban që të duem ma fort gjithmonë!”. Atë pasdite të akullt të 25 nëntorit këmbana e kishës së Nënmalit kumbonte fort. I kumtonte atij grushti fshatarësh se Zoti i kishte shtuar me djalë. Shtëpia ku banonin Ronkalët, aty pranë ishte e varfër, pa pikë rëndësie, si ndonjë nga shpellat e Betlehemit.








All the contents on this site are copyrighted ©.