Shenjtëria, nga afër: Gjon Pali II, në fjalët e kardinalit Xhivish
"Kam jetuar krah një shenjti. Ose, së paku, për gati dyzet vjet, çdo ditë, e kam parë
nga afër shenjtërinë, ashtu siç e kam menduar gjithnjë se duhet të jetë. E kam parë
në këtë njeri, në Karol Vojtilën, në marrëdhëniet e tij intime, kaq të mistershme,
që kishte me Zotin. Në qëndrueshmërinë dhe njëkohësisht, për transparencën e fesë
së tij. Në guximin me të cilin dëshmonte të vërtetat e Krishtit dhe vlerën e jetës.
E në dashurinë, me të cilën i afrohej çdo burri, ose çdo gruaje, dhe i respektonte
dinjitetin, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, nga raca, apo përkatësia fetare”. Kështu,
me disa penelata të shpejta, kardinali Stanislau Xhivish, dikur sekretar personal
i Papës Gjon Pali II, përshkruan njeriun, që më 27 prill do të njihet shenjtor i Kishës
Katolike. Penelata, që tregojnë se shenjtëria ishte aty, që në fillim, shprehej në
njëmijë mënyra e natyrisht, nuk priti 27 prillin për t’i bindur besimtarët se “njeriu
i veshur me të bardha”, Papa i Romës ishte shenjt. E në librin-intervistë me gazetarin
italian Gian Franco Svidercoschi, me të cilin do t’ju shoqërojmë gjatë këtyre ditëve
drejt ditës së kanonizimit, por edhe më pas, kardinali Xhivish e thotë qartë: “E
pashë këtë shenjtëri, në pasionin ungjillor të Karol Vojtilës që Kisha të ishte sërish
familje, një shtëpi mikpritëse, nën shenjën e mëshirës, të bashkimit, të unitetit
të karizmave e të dhuratave të shumta. Pasion, që njerëzimi ta linte mënjanë çdo frikë,
t’i rezistonte tundimit për konflikte të reja, për integralizma të reja; e pasi të
kishte hedhur poshtë Muret, pasi t’i kishte mohuar ideologjitë, të gjente udhën e
paqes, të drejtësisë, të solidaritetit. E pashë nga afër shenjtërinë, ndërsa Papa
Vojtila ishte akoma gjallë – vazhdon kardinali Xhivish, duke interpretuar vështrimin
e bashkohësve të vet, besimtarë që e ndoqën Gjon Palin II hap pas hapi, me praninë
e tyre, ose me anë të mediave. Një shenjtëri e zakonshme, që përkonte me kohët e jetës
së përditshme, me impenjimet e lodhjen e çdo dite, me takimet me njerëz nga e gjithë
bota, me ceremonitë e mëdha publike dhe me çastet, që ia rezervonte me xhelozi shpirtit,
përshpirtërisë së tij. Ose edhe më thjesht, një shenjtëri që e ngjyroste me mahnitje,
me një habi gjithnjë të re, hapjen e syve çdo mëngjes për të parë mrekullitë e Krijuesit. Pastaj,
në vite, pashë një shenjtëri të shenjuar vazhdimisht nga Kryqi, ashtu siç ka qenë
gjithë jeta e Karol Vojtilës, që nga rinia. Shenjtëri, prag i herozimit, nëse jo i
martirizimit, kur u përpoqën ta vrisnin; ose kur e preku ajo sëmundje e tmerrshme,
që, duke e penguar të ecte, madje edhe të fliste, e çoi drejt vdekjes. E ai pranoi
gjithçka me qetësi, duke u lëshuar në krahët e Zotit. Ashtu siç shkruan në fillimin
e testamentit: “Dëshiroj ta ndjek…”. E vazhdova ta shoh shenjtërinë e tij – shkruan
kardinali Xhivish për Papën Gjon Pali II – në atë masë të pabesueshme njerëzish, që
shkoi për t’i dhënë lamtumirën e fundit, që viziton e lutet në varrin e tij e që,
më 1 maj 2011, u kthye në Shën Pjetër për lumnimin e papës. Ishte populli i tij
– përfundon kardinali parathënien e librit “Kam jetuar me një shenjt”. Popull i sa
e sa vetëve që e deshën, që u identifikuan me të, ose që thjesht, mbetën të prekur
prej tij. Edhe jo të krishterë. Edhe jo besimtarë. Si për të provuar se, nëse jetohet
e praktikohet në dritën e urtisë hyjnore, mesazhi ungjillor mund të arrijë kudo e
në mos tjetër, të kuptohet nga të gjithë”.