Mesazhi i Patrikut Kirill për Pashkë: “Të rilindë lidhja ndërmjet popujve vëllezër
të Rusisë e të Ukrainës”.
Një lutje e posaçme për popujt e Rusisë e të Ukrainës, që paqja të ngadhënjejë në
mendjet e zemrat e atyre, që janë vëllezër e motra me gjak e me fe, për të riforcuar,
kështu, lidhjet e humbura e për të mundësuar rilindjen e bashkëpunimit të nevojshëm.
Këtë kërkon, në mesazhin e tij të Pashkëve, primati i Kishës ortodokse ruse, patriku
i Moskës Kirill, duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve ortodoksë të Rusisë dhe mbarë
popullit të krishterë, që sivjet i kremtoi bashkërisht Pashkët e Shenjta, më 20 prill.
Kirilli kujton se duke e kumtuar dashurinë e Zotit, që e kapërcen çdo dije, krishterimi
i bashkon njerëzit, sepse drita e Krishtit e ndriçon çdo njeri. Por për ta bërë këtë,
Patriku i Moskës i nxit të gjithë ta përtërijnë shpirtin me kumtimin e Pashkëve e
ta ndajnë me gëzim me familjarët e me të afërmit, ndërsa Kisha ortodokse është e thirrur
ta kryejë me zell misionin e saj të shëlbimit e ta nxisë bashkimin shpirtëror të popujve,
që jetojnë në vendet e jurisdiksionit shpirtëror të Patriarkanës së Moskës. Vit pas
viti, vijon të pohojë Patriku ortodoks rus, lajmi i gëzueshëm i Ngjalljes na sjell
jehonën e fitores e na shtyn ta lumnojmë Zotin e Shëlbuesin, që me vdekjen e Tij e
mundi vdekjen e na bëri pjesëmarrës në jetën e pasosur, që do të vijë. Kirilli
kujton, në vijim, se Pashkët nuk janë legjendë e bukur, as aksiomë teologjike as
detyrim për të përmbushur një traditë të lashtë. Pashkët janë thelbi, janë zemra e
kristianizmit: janë fitorja, që na dhuroi Zoti. Ngjallja e Krishtit duhet pritur gjithnjë
si mrekullia më e madhe, që njeh historia e njerëzimit. Zoti Jezus e përtërin natyrën
njerëzore, e forcon në prova, i jep fuqi të bëjë gjithnjë vepra të mira.