2014-04-21 16:06:29

Gjoni XXIII, parë nga Loris Capovila


Zgjodhëm, për ta njohur nga afër Të Lumin Gjoni XXIII, të dielën e ardhshme Shenjt, fragmente nga libri Papa Gjoni XXIII, shkruar nga Terezio Bosko.
Sot, përmes paraqitjes së këtij libri, na flet, sa për librin aq për Papën Gjoni sekretari i tij personal, Loris Francesco Capovilla. RealAudioMP3
Në libër, kujton imzot Loris, pikturohet me penelata të shpejta jetëshkrimi i Gjonit XXIII, duke vënë në dukje thjeshtësinë, përshpirtërinë, lidhjen e ngushtë me familjen, me famullinë, me dioqezën e, hap pas hapi, me Kishën universale.
Rrëfimi, me shijen bukës së mbrujtur në shtëpi, nëse nuk e trajton në mënyrë shteruese jetën e Anxhelo Giuzepe Ronkalit, fëmijës së mrekullueshëm që, pas një shtegtimi të gjatë, doli në brigjet e Tiberit, ngarkuar me pasuritë e të varfërve, mbështetet mbi tekste të paqortueshme, si “Gazeta e shpirtit”, letrat e familjarëve dhe të dhënat e marra nga skeda biografike e Papës, për t’i dhuruar lexuesit, një vepër të gjallë e tërheqëse, që lexohet me një frymë. Stili i tekstit rrjedh si ujët: nga burimi, në grykëderdhje.
Me prekje të shpejta na ndihmon të depërtojmë në thellësinë e urtisë së zemrës (Psalmi 90), nga zu fill e gjithë jeta e Papës Gjoni: thirrja, përgjigjja ndaj saj, gatishmëria për të guxuar gjithçka e për të vuajtur gjithçka, për Krishtin e me Krishtin. E edhe ftesa për ta njohur dëshminë e ndritshme, që të nxit të jetosh mirë e të punosh drejt.
Në libër gjejmë edhe kapitullin e ngjarjes më të madhe fetare të shekullit XX: Kishën, që përgatit Koncilin II të Vatikanit, që e nis, e jeton, e vë në jetë; Kishën, që hyri plot besim në mijëvjeçarin e tretë të misionit të saj.
Anxhelo Gjuzepe Ronkali në famulli, pastaj seminarist në Bergamo e në Romë, Don Anxhelo, sekretar besnik e i urtë i ipeshkvit e mësues i disiplinave kishtare, drejtues i ëmbël e i fuqishëm njëherësh, i ndërgjegjeve, prijës i studentëve të rinj; prelat, me zemër misionare, përfaqësues i Papës në Lindjen e Mesme e në Francë, patriark i Venedikut, duket sikur na e tregon, me jetën e vet, rrugën e gjatë, që e çoi në fronin e Shën Pjetrit.
Njeri i lutjes, i studimit, i veprimtarive të shumëllojshme, ndërtues urash, ipeshkëv i vëmendshëm e durimtar, Papa i shpresës vijon, nga këto faqe, bisedat e audiencat e përgjithshme të së mërkurës, që patën aq jehonë në opinionin publik për metodën e katekizimit në përkim të plotë me kanunet e Ungjillit.
Është Papa i lutjes së Engjëllit të Tënzot, që rijeton në këto faqe, Papa i devocioneve të praktikuara nga shenjtorët, i liturgjive solemne, i leximeve biblike, Papa në kërkim të përhershëm, të etur, të shëndetit të shpirtrave dhe të së mirës së njerëzimit.
Këtu tregohet jeta e tij e mrekullueshme, e thurur me shenja qiellore, ngjarje thellësisht njerëzore, shtegtime, në përputhje të plotë me moton e tij ipeshkvnore: “Bindje e paqe!”.
Gjoni XXIII e tregoi me gojë të vet sekretin e tij natën e ushtrimeve shpirtërore të vitit 1957: “Jeta ime e përvuajtur e tashmë edhe e gjatë, u çmbështoll si një lëmsh nën shenjën e thjeshtësisë e të pastërtisë. Nuk më kushton gjë të pranoj e të përsëris se jam njeri fare pa vlerë. Zoti më bëri të lind nga njerëz të varfër e pastaj mendoi ai vetë për gjithçka. Unë vetëm sa e lashë të vepronte” (Gazeta e Shpirtit, Sht. Bot. San Paolo 2000, paragrafi 898).
Kemi nevojë për karaktere të forta, për shembuj ndriçues. Kisha e pas Koncilit i lyp Zotit njerëz, që të jenë letër e shkruar për mbarë botën (cfr 2 Cor 3,2), njerëz, që i shkruajnë mendimet e tyre më parë me vepra, pastaj me fjalë, që fjalët vetë e kujtimi i shërbimit të kryer, të mbeten përherë bekim e ngushëllim.
Ky rrëfim është një lule respekti të devoçëm dhe dashurie, e cila meriton të figurojë në bibliografinë e atij që deshi të mishërojë mësimin e Shën Gjon Krizostomit: thjeshtësia a maturia të lartojnë në majat e dëshmisë së krishterë e të bëjnë të bashkohesh me koret e engjëjve (cfr Shën Gjon Krizostomi, Homelia LXII kushtuar Mateut, 4 ,PG 58, 594-595).








All the contents on this site are copyrighted ©.