2014-04-20 11:51:34

Papa Natën e Pashkëve: ta dëshmojmë Krishtin e Ngjallur me gëzim të butë e të përvuajtur


Papa Françesku kryesoi mbrëmë, në Bazilikën e Vatikanit, kremtimin e Natës së Pashkëve. Në homeli komentoi ftesën e Engjëllit drejtuar dishepujve për t’u kthyer në Galile, për ku u prin vetë Krishti i Ngjallur. Galileja, tha Papa, është vendi i thirrjes së parë. Atje nisi gjithçka! Të kthehem atje, të kthehem në vendin e thirrjes së parë, të rizbuloj Pagëzimin, si gurrë e gjallë, të thith energji të re në rrënjën e fesë sonë e të përvojës sonë të krishterë, do të thotë të kthehem në atë pikë të zjarrtë, në të cilën Hiri i Zotit më preku në fillim të udhës. E nga kjo shkëndijë mund të ndez zjarrin për sot, për çdo ditë, e t’i çoj dritë e ngrohtësi vëllezërve të mi e motrave të mia, duke e dëshmuar Krishtin e ngjallur me gëzim të butë e të përvuajtur.
Gjatë kremtimit u pagëzuan 10 katekumenë: më i vogli, italian, 7 vjeç; më i madhi, vietnamez, 58 vjeç. Të pagëzuarit e tjerë vinin nga Bjellorusia, Senegali, Libani e Franca. Gjatë ritit, u këndua edhe Stiki Stikirà e liturgjisë bizantine, për të kujtuar se sivjet Perëndimi e Lindja e krishterë i kremtojnë Pashkët në të njëjtën ditë. Sipas traditës, Sheshi është stolisur me mijëra lule, dhuratë e lulerritësve holandezë.







All the contents on this site are copyrighted ©.