2014-04-18 13:56:58

Koloseum


Amfiteatri Flavio, që njihet me emrin Koloseo, filluar me dëshirën e Vespazianit(69-96 para Krishtit), u përfundua dhe u përurua nën sundimin perandorak të të birit dhe pasardhësit të tij, Titit ( 79-81) pas Krishtit). Ishte një veprim simbolik, përmes të cilit popullit të Romës i kthehej kjo pjesë e qytetit, që Neroni e kishte shtënë në dorë me forcë, për ta shndërruar në një liqen të madh artificial (stagnum neronis), brënda banesës së tij private, Domus Aurea.
Ndërtesa, me formë elipsi, mbulon pikërisht atë sipërfaqe që do të zinte liqeni dhe që u bë ngrehina e parë e denjë për kryeqytetin e perandorisë së madhe, caktuar për të kënaqur turmat në ditë feste.
Para Koloseut, Roma kishte vetëm një amfiteatër të përhershëm, ngritur nga Statilio në vitin 29 para Krishtit, shkatërruar kur Neroni i vuri zjarrin qytetit në vitin 64: para ndërtimit të tij, festat me ndeshje gladiatorësh organizoheshin në Foro, ku ndërtoheshin shkallë lëvizëse të ngritura me rast festimesh; gjithnjë në këtë mënyrë organizoheshin edhe festat në Campo Marzio.
Amfiteatri i ri u përurua me festime të mëdha që, siç thuhet, zgjatën njëqind ditë, me flijimin e mijëra egërsirave.
Struktura (189 metra gjatësi e boshtit të madh, 150 e boshtit të vogël dhe 48. 50 metra lartësi) mund të zinte 60 deri në 80 mijë vetë, që mund të hynin e të dilnin lirisht, përmes një sistemi të mirëstudiuar harqesh, shkallësh dhe hyrjesh, të njohura me emrin vomitoria. Në qendër të fasadës ishte tribuna perandorake, dy krahët e së cilës ishin të caktuara për gjykatësit, vestalet, të ftuarit e nderit etj. Hyrja ishte falas për të gjithë, kështu që vendi ku do të ulej spektatori nuk përcaktohej nga shuma që kishte paguar, por nga kategoria shoqërore, së cilës i përkiste: secilës kategori i rezervohej një nga pesë sektorët e zonës së quajtur ‘cave’.
Për ndërtimin e fasadës së ndërtesës u përdorën mbi 100 mijë metra kub tuf gëlqeror e 300 tonelata hekur, gjë që në shekujt e mëvonshëm, posaçërisht në mesjetë, bëri që amfiteatri të shfrytëzohej si minierë për të nxjerrë prej tij material të begatë ndërtimi.
Tri seritë e harkadave, që shihen ende sot, të ndërprera nga gjysëmkolona në tri stile kalsike (dorike, jonike e korintike), mbështeten mbi shtylla. Stili atik, të cilit i mungojnë vendet e hapura, ritmohet me zbukurime korintike. Ndërsa ishte ende në përdorim, maja e ndërtesës mbulohej nga velarium, një mbulesë pëlhure liri që i mbronte spektatorët nga dielli. Mbulimi me pëlhurë ishte një veprim tepër i vështirë, prandaj, për ta kryer, ishte caktuar në repart i posaçëm i marinës perandorake, vendosur në një kazermë aty pranë.
Sipas traditës, në këtë amfiteatër u martirizuan të krishterët e parë: fillimisht Koloseo u lidh me Mundimet e Krishtit nga Papa Benedikti XIV (1940 -1758), i cili ndërtoi rreth amfiteatrit 14 stacionet e Udhës së Kryqit. Fakti që Koloseo iu kushtua martirëve të krishterimit, kontribuoi për ta ruajtur një pjesë të mirë të amfiteatrit nga grabitjet e mëtejshme të lëndës dhe për të na e dorëzuar në të gjithë madhështinë e tij.









All the contents on this site are copyrighted ©.