Sudani i Jugut. Udhëheqësit e krishterë bëjnë thirrje për ndalimin e dhunës
“Gjendja aktuale nuk mund të ndalohet në asnjë mënyrë me mjete ushtarake. Përkundrazi,
lufta e zgjat dhe e rëndon këtë situatë të padëshirueshme. Palët në konflikt duhet
t’i vënë interesat e popullit përmbi ambiciet personale” pohon një deklaratë e Këshillit
të Kishave të Sudanit të Jugut, organizëm që bashkon udhëheqësit e Kishave kryesore
të krishtera të Sudanit të Jugut (përfshirë Kishën katolike). Udhëheqësit fetarë
u bëjnë thirrje luftëtarëve të respektojnë armëpushimin e firmosur më 23 janar në
Addis Abeba, për të cilin pohojnë se “është shumë i brishtë dhe bashkësia ndërkombëtare
duhet të angazhohet fort që të dyja palët ta respektojnë”. Luftimet kanë shkaktuar
një krizë të rëndë humanitare, prandaj të krishterët kërkojnë jo vetëm të marrin fund
armiqësitë, po edhe zhbllokohen ndihmat ndërkombëtare për të shpërngulurit, pronat
e të cilëve janë shkatërruar. Duke përmendur referendumin e 2011-ës, që solli pavarësinë
nga Sudani, dokumenti përfundon me këtë pohim: “Kjo nuk është e ardhmja për të cilën
votoi popullsia. Ajo dëshiron një shtet të lirë dhe të pavarur. Populli votoi për
të jetuar në paqe dhe i bashkuar, me dashuri për të gjithë, si vëllezër e motra të
popullit të Hyjit”.