2014-04-15 15:55:49

Kremtimet e Papës Françesku për Treditëshin e Pashkëve


Ditët e Javës së Madhe janë një udhë plot përshpirtëri e ritualitet për Kishën Katolike. Kjo dëshmohet edhe nga kalendari i ngjeshur me kremtime i Papës Françesku, që arrin kulmin në Treditëshin e Pashkëve.RealAudioMP3
Juda, që tradhton Jezusin, apo Kirenari, që e ndihmon të mbajë kryqin? Pilati, që e lë ta dënojnë duke larë duart, apo Nëna e Krishtit, që i përkëdhel plagët? Turma, që e përqesh pa mëshirë, apo gratë, që përjetojnë çdo minut të agonisë së Jezusit? Ishte vetë Papa Françesku, që e hapi Javën e Madhe me këtë seri pyetjesh, që e nxisin çdo të krishterë ta rrëmojë thellë ndërgjegjen. “Kush jam unë, para Krishtit që vuan?”: kjo është pyetja që na shoqëron gjatë këtyre ditëve, në të cilat, e vërteta e fesë bëhet përvojë mishi e gjaku. E është vetë Papa, që gjatë vitit të parë të papnisë, e ka mësuar Kishën me këtë përvojë, duke e shtyrë drejt periferive, duke e nxitur të tregojë mëshirë e të ndihmojë të mënjanuarit e shoqërisë, sidomos kur bota galdon për festat e mëdha:
“Java e Madhe është kohë hiri, që Zoti na e dhuron për të hapur portat e zemrës, të jetës sone e të famullive tona – sa trishtim, famullitë e mbyllura – pra, të hapim famullitë, lëvizjet, shoqatat e të ‘dalim’ për të takuar të tjerët, për t’u bërë ne të afërt e për të sjellë dritën e gëzimin e fesë sonë. Të dalim, gjithnjë!” (Audienca e përgjithshme, 27 mars 2013).
Të dalim, ashtu siç doli edhe vetë Papa në periferi, duke i çuditur të gjithë, kur të Enjten e Madhe të vitit të kaluar, u lau këmbët të burgosurve fëmijë të Casal del Marmo-s në Romë. Të njëjtin emocion do të zgjojë edhe këtë vit, kur të përkulet para të sëmurëve të Qendrës së Zojës së Provanisë Hyjnore e Fondacionit “Don Karlo Njoki”, me të cilët do të kremtojë Meshën e Darkës së Mbrame, në orën 17.30, pas dy ditësh, pasi të ketë kremtuar Meshën e Bagmit, në orën 9.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Po në bazilikë, 24 orë më pas, Ati i Shenjtë do të kremtojë Mundimet e Krishtit e do të dëgjojë meditimin e atë Raniero Kantalamesës, për të shkuar në orën 21.15 në Koloseum për Udhën e Kryqit. Orët, që Jezusi kalon ndërmjet Judës e dishepujve “të përgjumur”, ndërmjet Poncit Pilat, ushtarëve dhe Kalvarit, janë të vështira për t’u kuptuar për ata të krishterë sallonesh, që e shohin Golgotën nga larg, pati thënë vjet Papa Françesku:
“Shpesh, kënaqemi me ndonjë lutje, me një meshë të dielave, të pavëmendshme e të herëpashershme, nga ndonjë gjest bamirësie, por nuk kemi guxim ‘të dalim’ për t’u çuar njerëzve Krishtin. Jemi pak si Shën Pjetri. Sapo Jezusi flet për mundime, vdekje e ringjallje, për dhurimin e vetvetes, për dashurinë për të gjithë, Apostulli e merr veç dhe e qorton” (Audienca e përgjithshme, 27 mars 2013).
Pas heshtjes të së Shtunës së Madhe, Nëna e të gjitha gëzimeve, Mbrëmja e lutjes në pritje të Pashkëve do të shndrisë me dritë varrin bosh. Papa do të lutet bashkë me besimtarët në Bazilikën e Vatikanit, në orën 20.30. Do të jetë çast, gjatë të cilit ndërgjegjja e secilit mund të gjejë përgjigje për pyetjen “Kush jam unë, para Jezusit që vuan?”. Përgjigje, që do ta përgatisë shpirtin për të kremtuar Pashkët, bashkë me Atin e Shenjë në Sheshin e Shën Pjetrit, që do të kremtojë meshën në orën 10.15 e, për të dëgjuar mesazhin e tij “Urbi et Orbi” (Romës dhe botës) në mesditë.







All the contents on this site are copyrighted ©.