2014-04-15 15:48:58

Imzot Oder: me shtegtimin e relikeve, Gjon Pali II vijon të ungjillëzojë botën


Shenjtërimi i Gjon Palit II, më 27 prillin e ardhshëm, shënon përfundimin e Çështjes, që zgjati nëntë vjet.RealAudioMP3
Një kohë, në dukje, e gjatë për besimtarët, që e shpallën Shenjt qysh ditën e salikimeve, më 8 prill të vitit 2005, por tejet e shkurtër për historinë e Kishës. Në vijë të parë të këtij procesi ishte postulatori i Çështjes, imzot Slavomir Oder, i cili i dha një intervistë të gjatë Radio Vatikanit, pikërisht për Kanonizimin e Papës Vojtila. Në pjesën e parë të kësaj interviste, imzot Oder ndalohet posaçërisht tek përgatitjet për ngjarjen e 27 prillit: tek shtegtimi i relikes me gjakun e Gjon Palit II dhe tek mrekullia e miratuar për Shenjtërimin. Imzot Oder, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Jemi ende në fazën e përgatitjeve: sa më shumë afohet dita, aq më shumë gjëra duhen sistemuar, meqë mendojmë se do të jetë një ngjarje me përmasa të mëdha përsa i përket pranisë së shtegtarëve, që do të vijnë këtu, në Romë. Po ky është, pa dyshim, një aspekt i dorës së dytë, në krahasim me të tjerët, sepse kryesore është mirënjohja, që i duhet shprehur Zotit, për dhuratën e shenjtërisë së Gjon Palit II, për shembullin e jetës së tij, të cilën e njohëm edhe më thellë gjatë procesit.

Pyetje: - Një nga hiret më të bukura, në prag të shenjtërimit, është edhe shtegtimi nëpër botë i relikeve të Karol Vojtilës. Mund të na thoni diçka për këtë shtegtim?

Përgjigje: - Ishte nismë e lindur vetvetiu. Daljes së parë të relikeve i dha shkas Dita Botërore e Rinisë në Madrid; ishin pikërisht të rinjtë, që e bënë kërkesën, për ta pasur mes tyre këtë Njeri, të cilin për shumë vjet e rrethuan si bijtë atin e që mund ta quajmë pa frikë edhe atin e Ditëve Botërore të Rinisë, tani edhe pajtor e mbrojtës të tyre, me dëshirë të vetë Atit të Shenjtë, Françeskut. Ky shtegtim shënoi fillimin e një fenomeni, që pastaj pati vazhdimësi, posaçërisht në Meksikë, etapa e parë e largët. E me të drejtë duhet të ishte kështu. Relikja duhet të përshkojë gjurmët e Gjon Palit II: kujtojmë, prandaj, se ishte pikërisht Meksika, caku i parë i shtegtimeve të tij apostolike. E nga Meksika, pastaj, përshkoi vende të tjera të Amerikës Latine e të Amerikës së Veriut. Më pas, Evropën, Afrikën… E shtegtimi vijon. Dëshmitë e atyre që i jetuan çastet kaq të jashtëzakonshme të këtij ‘takimi’ të ri me Gjon Palin II, flasin për dy fenomene të veçanta: së pari, për praninë e njerëzve; e së dyti, për frymëzimin, që buron nga relikja, duke i nxitur të pranishmit të luten, të rrëfehen, të adhurojnë Eukaristinë. Janë dy fenomene, që lidhen gjithnjë me praninë e një Shenjti ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve. Lutja e pendimi, adhurimi e kthimi në rrugën e Zotit. Ky është fryti shpirtëror, me të cilin ndeshemi kudo shkel relikuari, që përmban gjakun e Karol Vojtilës. Në simbologjinë e krishterë, gjaku është jetë, është gjallëri, ftesë e jashtëzakonshme për ta jetuar sa më mirë jetën, me sy nga amshimi. Ashtu si Gjon Pali II, që jetoi një jetë të plotë shenjti, që diti ta shijojë me fund dhuratën falë nga Zoti, me shpirtin e lirisë së birit të Hyjit. Dhe është pikërisht liria, mendoj unë, karakteristika që bie më shumë në sy kur lexojmë jetën e Gjon Palit II. Liri, e cila lind nga prania e Zotit. Ai vetë thoshte; njeriu në praninë e Zotit, është krejtësisht i lirë, nuk ka pse të trembet nga asgjë!

Pyetje: - Si për lumnimin, ashtu edhe për Shenjtërimin, u zgjodh një mrekulli, ndërmjet shumë të tjerave. Ka të bëjë me shërimin e një gruaje të sëmurë. Pse u zgjodh pikërisht kjo?
Përgjigje: - Gjatë procesit, pata dhjetra mijëra sinjalizime, që flisnin për hiret e fituara me ndërmjetësinë e Gjon Palit II. Secili nga këto sinjale është pa dyshim i rëndësishëm, sepse flet për jetën e dikujt që, në çaste vështirësish, iu lut për ndërmjetësim Gjon Palit II dhe provoi forcën e pranisë së tij. Por jo të gjitha përkojnë plotësisht me kriteret e caktuara nga procesi, tejet serioz, kanonik. Mrekulli duhet të jetë ajo, që flet për shërim të plotë, të menjëhershëm, të qëndrueshëm. Që flet, pa asnjë dyshim, për ndërmjetësimin e shenjtit. E në rastin e zonjës Floribeth, nga Kosta Rika, ishin të pranishme të gjiha këto elemente dhe studimi i mëtejshëm i dokumentacionit, i konfirmuar gjatë procesit kanonik, vërtetoi se kjo ishte me të vërtetë mrekulli e kryer me ndërmjetësimin e Papës Vojtila.







All the contents on this site are copyrighted ©.