2014-04-14 16:33:33

Udha e Kryqit në Koloseum, Lev boton meditimet e imzot Bregantinit


E Premtja e Madhe, 18 prill, në Koloseum. Udha e Kryqit do të kremtohet përsëri, e kryesuar nga Papa Françesku. Krishti, i ngarkuar me kryq, sivjet do të ecë mes nesh në një udhë, që na fton të reflektojmë për krizën ekonomike dhe pasojat e saj të rënda, për historitë tragjike të emigrantëve, të këqijat, që ua marrin jetën shumë të rinjve… Tekstet e meditimeve, shtypur nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (Lev), të martën e ardhshme në librari, i shkroi imzot Xhankarlo Bregantin, kryeipeshkëv i Kampobasso-Boianos. Të 14 stacionet e Udhës së Kryqit 2014, janë të ngarkuara me plagët e botës së sotme, me dramat, që autori i njeh nga afër, si bari i dioqezës së Jugut të Italisë: dramën e varfërisë, të vdekjes, shkaktuar nga mbeturinat helmuese, të të burgosurve në burgjet e mbipopulluara, të papunëve, njerëzve pa shpresa që, megjithatë, vijojnë të shpresojnë, me sytë ngulur tek Kryqi.
Krishti në Kryq merr mbi vete mëkatet e njeriut, padrejtësitë, pasojë e krizës ekonomike, varfërinë, papunësinë. Merr mbi vete spekulimet financiare, vetvrasjet e sipërmarrësve të rrënuar, korrupsionin e njerëzve të pushtetshëm, pasojat e fajdesë, që shkatërron jetë njerëzish. E edhe mëkatet e dramat e secilit nga ne.
Por, për më gjatë do të ndjekim Udhën e Kryqit 2014, Natën e së Premtes së Madhe, në vendin, që është kthyer tashmë në simbol të martirëve dhe të martirizimit.
Do të jetë pika kulmore e Udhës sonë të Kryqit, nisur që ditën e parë të Krezhmëve, pas Krishtit, me ata, që erdhën nga prova e madhe! Duke ecur çdo ditë pas njërit nga 40 martirët shqiptarë, kandidatë për nderimet e elterit e shokë udhe kah Pashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.