2014-04-14 16:34:11

Mesazhi i Patriarkut të Kostandinopojës drejtuar popullit ukrainas


“Besojmë se populli ukrainas, me vullnet të mirë, do ta arrijë shërimin dhe pajtimin”. Kështu thotë Patriarku i Kostandinopojës në një mesazh dërguar dje “Populli të Devotshëm Ukrainas” me rastin e Hyrjes Ngadhënjimtare të Zotit tonë Jezu Krishtit në Qytetin e Shenjtë të Jeruzalemit. RealAudioMP3
Bartolomeu pohon se Patriarkana Ekumenike është e vetëdijshme për sfidat e vështira me të cilat po përballet populli dhe përmend vrragët e thella dhe plagët e hapura që la pas shekulli XX, me luftrat botërore dhe me shtypjen e tiransë totalitare.
“Përfitoj nga rasti i kremtimit të Hyrjes Ngadhënjimtare të Zotit në Jeruzalem – shkruan Tërëshenjtëria e tij – për t’u bërë thirrje të gjithë të krishterëve ortodoksë të Ukrainës, që të ruajnë ‘bashkimin e Shpirtit, me lidhjen e paqes’ (Ef 4,3). Mbretëria e Krishtit nuk është e kësaj bote, sepse ai vetë i tha Pilatit: ‘Mbretëria ime nuk është e kësaj bote’ (Gjn 18,36)”.
“Nëna e Shenjtë dhe Kisha e Madhe e Krishtit në Kostandinopojë – vijon mesazhi – e shikon kombin dhe popullin ukrainas si bijtë dhe bijat e veta të çmuara, të lindur prej ujërave të pagëzimit, që rrodhën mes brigjeve të lumit Dnepr. Që prej ditëve të paraardhësit tonë të ndritur, Shën Fotiut të Madh, nuk është venitur kurrë dashuria e Kishës Nënë për të krishterët e përshpirtshëm të tokave tuaja”.
Patriarku e përfundon mesazhimn duke u bërë thirrje “bijve të dashur të Ukrainës” që t’i bëjnë ballë provës së këtij çasti “me zemër të qëndrueshme dhe mendje guximtare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.