2014-04-13 12:19:52

Papa në Meshën e së Dielës së Larit: kujt i ngjaj, Judës a Marisë, që qan Jezusin e saj?



Dhjetra mijëra njerëz mbushën sot Sheshin e Shën Pjetrit ku, në orën 9.30 filloi kremtimi solemn i së Dielës së Larit e Mundimeve të Zotit. Papa Françesku kryesoi, në Shesh, procesionin, Meshën dhe lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot. Me këtë rast u kremtua edhe Dita e 29-të e Rinisë, në nivel dioqezan, me temë: “Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve” (Mt 5:3). Papa kishte një shkop baritor prej druri të ullirit, realizuar nga të burgosurit e burgut të San Remos, me Kryqin dhe stemën e Françeskut në majë.
Riti nisi me bekimin e Palmave. Ishin palma tradicionale, ardhur nga Sanremo e Bordigera: trimijë degë palmash, të gërshetuara sipas traditave të krahinës veriore të Liguries, që njihen me emrin ‘parmurelo’. Për parmurelin e Papës ishin gërshetuar tri degë palmash të bashkuara, simbol i Trinisë Shenjte. Ullinjtë dhe lulet, që stolisin Sheshin e Shën Pjetrit, kanë ardhur nga Pulia. Posaçërisht, rreth obeliskut, është krijuar një mjedis i gjelbër pranveror, që të kujton menjëherë hyrjen ngadhnjimtare të Krishtit në Jeruzalem.
Ungjilli i propozuar nga liturgjia ishte ai i Mundimeve të Zotit sipas Mateut. Gjatë lutjes së besimtarëve pati edhe një ndjet, në gjuhën franceze, kushtuar të persekutuarve për shkak të fesë, që flijimi i Zotit t’i mbështesë e t’i ndihmojë të krishterët, besnikë, zemërbutë e të përvuajtur, si Mësuesi i tyre. Në gjuhën kineze, lutja për paqen ndërmjet popujve dhe për drejtësinë në botë.
Pas Meshe, Papa kremtoi, gjithnjë në Sheshin e Shën Pjetrit, lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Me këtë rast, Kryqi i Ditëve Botërore të Rinisë dhe Ikona mariane “Shpëtimi i Popujve Romakë” kaluan nga duart e të rinjve brazilianë, në ato të të rinjve polakë, që do t’i mbartin, në shtegtim, deri në Krakov, seli e Ditës së ardhshme BR-së, në verën e vitit 2015.








All the contents on this site are copyrighted ©.