Kremtimet e Javës së Madhe 2014, që do të kryesohen nga Françesku
Me Javën e Shenjtë ose Javën e Madhe, siç quhet ndër shqiptarë – përfundojnë Krezhmët
e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Zyra e Kremtimeve liturgjike publikoi programin e
kremtimeve të Javës së Madhe që do të kryesohen nga Ati i Shenjtë.
Java e Madhe
nisi me të Dielën e Larit e do të arrijë kulmin me Triditshen e Pashkëve, qendër
e gjithë vitit liturgjik. Në Javën e Madhe, Kisha kremton misteret e shëlbimit:
“Vepër e shpërblimit e kryer nga Krishti i cili, duke vdekur, e mundi vdekjen e, duke
u ngjallur, na dha përsëri jetë ne të gjithëve”. Të Enjten e Madhe,
më 17 prill 2014, duke nisur nga ora 9.30, Shenjtëria e Tij do të kryesojë bashkëkremtimin
e Meshës së Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit do të bekohet vaji i
katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajtë, ipeshkvijtë
e meshtarët e pranishëm në Romë do të jetë simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet
Kryebariut të Kishës universale dhe bashkvëllezërve të tij në meshtari.
Meshën
e Darkës së Mbrame, Papa do ta kremtojë në Qendrën e Zojës së Provanisë Hyjnore të
Fondacionit “Don Karlo Njoki”. Në kremtimin, që do të nisë në orën 17.00, do të marrin
pjesë të sëmurët e shtruar në këtë Qendër, së bashku me familjarët, personelin dhe
përgjegjësit.
Të Premten e Madhe, më 18 prill, në orën 17.00, Shenjtëria
e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me
ritin e Adhurimit të Kryqit e pastaj, në mbrëmje, në orën 21.15, Udhën tradicionale
të Kryqit në Koloseum, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do
të japë bekimin e tij apostolik. Sivjet meditimet me temë “Në fytyrën e njeriut,
që vuan, profili i Jezusit”, Papa Françesku ia besoi imzot Xhankarlo Bregantinit,
kryeipeshkëv i Kampobaso-Bojanos.
Të Shtunën e Madhe, ndërmjet 19 e
20 prillit, në orën 20.30 Papa Françesku do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve
në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet
si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar
duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e sakramenteve fillestare të jetës së krishterë.
Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës e do
të vijojë me ndezjen e qiriut të Pashkëve e me Exsultet, pasuar nga Mesha Shenjte,
e kryesuar nga Papa Françesku.
Më 20 prill, Solemniteti i Pashkëve,
në orën 10.15, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit
e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin “Urbi et Orbi” – ‘Romës
e Botës’.
Fillon kështu “Koha e gëzueshme’ e Rrëshajëve, kur Kisha kremton
praninë e Krishtit të ngjallur dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt.