Ish-Jugosllavi: ipeshkvijtë kërkojnë të ndahen në Konferenca ipeshkvnore
Përfundoi, në Zrenjanin, në rajonin e Vojvodinës, në Serbi, Asambleja Plenare e Konferencës
ndërkombëtare të “Shenjtorëve Çirili e Metodi”, që përfshin Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë
e Kosovën. Në takim morën pjesë nunci apostolik i Beogradit, imzot Orlando Antonini;
kryetari i Konferencës, imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit (Mal i Zi); imzot
Stanislav Hoçevar, kryeipeshkëv i Beogradit, ekzarku për katolikët e ritit lindor
në Serbi e Mal të Zi, imzot Djura Dzudzar dhe anëtarët e tjerë të Konferencës. Prelatët
vendosën t’i propozojnë Selisë së Shenjtë ta ndajë Konferencën Ndërkombëtare në katër
Konferenca kombëtare, që përkojnë me vendet përkatëse. Jemi kombe me realitete të
ndryshme, pohon për agjencinë Sir, sekretari i përgjithshëm i Konferencës, imzot Ladislav
Nemet, ipeshkëv i Zrenjaninit (Serbi) prandaj karakteri ndërkombëtar i Konferencës
e bën atë më pak elastike. Edhe autoritetet nuk na pranojnë si partnerë të vlefshëm,
në kontekstin e vendit të tyre. E shton: pastaj, secili nga vendet tona ka nuncë të
ndryshëm e kjo e ndërlikon edhe më shumë komunikimin me Selinë e Shenjtë. Në rast
miratimi të propozimit nga ana e Kongregatës së ipeshkvijve, Maqedonia e Kosova do
të mbeten me një ipeshkëv; Mali i Zi, me dy, ndërsa Serbia do të ketë gjashtë prelatë.
Sipas imzot Nemet, kjo nuk krijon asnjë problem. Në traditën e Kishës nuk mungojnë
raste të ngjashme. Edhe në Moldavi, Konferenca ka një ipeshkëv të vetëm. Në të njëjtën
kohë, do të zhvendoset edhe selia e Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare: nga Beogradi,
në qytetin e afërt Pancevo, në Vojvodinë, ku jeton shumica e katolikëve të Serbisë. Prelatët
e Konferencës së Shën Çirilit e Metodit, miratuan edhe një dokument me vijat udhëheqëse
për rastet e shpërdorimeve seksuale të të miturve nga ana e kishtarëve. Në këtë pikë,
jemi pakëz të vonuar, në krahasim me vendet e tjera, sqaron imzot Nemet, sepse duhej
të konkordonim ligjshmëritë e të katër vendeve.Në dokument nënvizohet impenjimi dhe
serioziteti, me të cilin Kisha katolike do t’i trajtojë këto krime, duke i mbrojtur
të miturit dhe duke ndërmarrë veprime ligjore kundër fajtorëve. Imzot Nemet vijon
të saktësojë se bëhet fjalë për procese kishtare e se ligjshmëritë kombëtare nuk parashikojnë
detyrimin e padisë. Në dioqezën e Zrenjaninit kishte tre procese pandehjeje për raste
të shpërdorimit mbi të miturit. E ndonëse bëhej fjalë për akuza, që dolën të rreme,
për fat të keq kjo ndikoi në mënyrë shumë negative mbi meshtarët e akuzuar, që u doli
nami i keq.