2014-04-11 16:12:57

Shën Gregori i Madh dhe Fjala e Zotit, në qendër të predikimit të fundit krezhmor të Atë Kantalamesës


Me meditimin kushtuar Shën Gregorit të Madh dhe mësimeve të tij, që na ndihmojnë ta kuptojmë sa më mirë Biblën, Atë Raniero Kantalamesa i përfundoi predikimet e Krezhmëve, sivjet kushtuar Etërve të Kishës së perëndimit. Në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik ishin të pranishëm Papa dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake. Predikatari i Shtëpisë Papnore nënvizoi se, pavarësisht nga intrepretimet e ndryshme, të përdorura nga studiues të ndryshëm, Shkrimi Shenjt duhet lexuar me fe, sepse është lexim feje.RealAudioMP3

Shkrimi Shenjt është Fjala e Hyjit drejtuar njerëzimit e vetëm përmes leximit me fe, mund të kuptohet në gjithë thellësinë e vet. Në rrjedhë shekujsh është studiuar, interpretuar, analizuar në aspekte nga më të ndryshmet, por duhet t’ia dimë për nder Gregorit të Madh përcaktimin e katër drejtimeve, përmes të cilave mund të shpjegohet: vështrimi letrar-historik; ai alegorik, që ka të bëjë me besimin në Krishtin; ai moral, me mënyrën si duhet të sillet i krishteri dhe ai eskatologjik, që lidhet me fundin e kohëve. Por nëse Etërit e Kishës na mësuan ta lexojmë Shkrimin Shenjt duke e lidhur ngushtë me Krishtin e me Kishën, shtoi Atë Kantalamesa, është edhe një mësim tjetër, që duhet ta kemi mirë parasysh:
“Etërit e shoqëronin Fjalën e Zotit me një pyetje të përhershme: çfarë thotë ajo? Është edhe sot këtu? Në Kishë, pranë meje personalisht? Ishin të bindur se Shkrimi Shenjt, përveç përmbajtjes objektive të fesë e të moralit, që vlen për të gjithë, ka edhe një përmasë tejet personale, subjektive, prandaj edhe ndriçon gjithnjë me drita të reja e ka fjalë të reja për të thënë, vullnete të reja të Hyjit për të shprehur, për mua, personalisht, tani e këtu, ku jam”.
Veç kësaj, duhet kujtuar se Shkrimet e Shenjta frymëzohen nga Hyji; forca dhe gjallëria e tyre është hyjnore e, prej këndej, edhe e pashterrshme. Edhe këtë e nënvizon Gregori i Madh:
“Fjala e Hyjit nuk përmban vetëm mendimin e Zotit, të transmetuar një herë e përgjithmonë, por përmban vetë zemrën e Zotit, që e ndjejmë duke rrahur në zemrën tonë; përmban vullnetin e Tij të gjallë, që shprehet për mua, tani, këtë çast, këtu!”.
Nëse do ta kuptosh Fjalën e Zotit, duhet të kesh fe të fortë, të kesh bindjen se me të flet vetë Zoti. E kjo vërehet përmes një lëvizjeje të lehtë, që ndjehet në zemër, një drite të vogël, që ndizet në mendje. Kështu Fjala e Biblës fillon të tërheqë e të ndriçojë çdo situatë:
Hyji, e më konkretisht Krishti i Ngjallur, ka në zemër një mesazh të përcaktuar për të na e dhënë në çdo rrethanë: qofshin tre njerëz, qoftë një turmë e madhe. Ai ka Fjalën, që dëshiron ta thotë! Detyra jonë, si ungjillëzues, është ta marrim vesh këtë fjalë, e kjo mund të bëhet me lutje, me heshtje, me ndihmën ndaj tjetrit, me fenë, duke besuar. Duke e besuar Zotin: O Zot, ti ke një fjalë për t’ia thënë këtij populli… Ndihmomë ta kuptoj!”.
Zoti, pra, i flet çdo njeriu. E bën këtë përmes fjalëve të Shkrimit Shenjt, që përkon me çdo rrethanë, si të ishte shkruar enkas për të. E prej këndej, duhet rikërkuar freskia e Biblës, duhet përtërirë dashuria për Shkrimin Shenjt, duke provuar, kështu, praninë e Shpirtit Shenjt e duke dëgjuar Krishtin, që vijon të na flasë.










All the contents on this site are copyrighted ©.