2014-04-11 14:02:33

Papa: jeta, në të gjitha fazat e saj, është “e shenjtë dhe e padhunueshme”, fëmijët dhe gjyshërit “janë shpresa jonë”


“E shenjtë dhe e padhunueshme”. Me këto fjalë Papa Françesku i mëshoi mësimit të Kishës për jetën njerëzore. Në pritjen me përfaqësuesit e Lëvizjes për Jetën, të udhëhequr nga Carlo Casini, Papa i falënderoi të pranishmit për shërbimin që kryejnë dhe u bëri thirrje të angazhohen në mbrojtje të jetës, “me guxim dhe dashuri, në të gjitha fazat e saj”.RealAudioMP3

Papa e shtjelloi temën e jetës duke u nisur nga një ndër pikat më të forta të analizës së tij për shoqërinë e sotme: nëse e shohim jetën si diçka që konsumohet, herët a vonë do ta hedhim tej, për shembull me anë të abortit. Nëse e shqyrtojmë jetën siç është në të vërtetë – dhuratë e Hyjit – atëherë jemi përballë një të mirë të çmueshme dhe të paprekshme, që duhet mbrojtur me të gjitha mjetet. Papa përsëriti edhe një herë çfarë ka shkruar në thirrjen apostolike Evangelii Gaudium, në lidhje me këtë argument:

“Jeta njerëzore është e shenjtë dhe e padhunueshme. Çdo e drejtë qytetare mbështetet mbi pranimin e të drejtës së parë themelore: e drejta për jetën. Sot duhet t’i themi ‘jo ekonomisë së përjashtimit dhe të pabarazisë’. Kjo ekonomi vret... Qenia njerëzore, si e tillë, vështrohet si një e mirë për konsum; si një e mirë konsumi, që mund të përdoret e të hidhet. Kemi prodhuar kulturën e ‘hedhurinave’, e cila, për më tepër, gjen përkrahje. E, kështu, hedhim tej edhe jetën”.

Ndërmjet ekonomisë dhe moralit, konstaton Papa Françesku, sot është vendosur “ndarja” dhe peshorja anon nga “tregu i pajisur me çdo risi teknologjike”, ndërsa “normat etike elementare” të “natyrës njerëzore gjithnjë e më të lënë pas dore”, po harrohen:

“Për këtë arsye duhet t’i kundërvihemi me forcë çdo lloj atentati kundër jetës, veçanërisht jetës së pafajshme dhe të pambrojtur. Dhe foshnja në barkun e nënës është më i pafajshmi ndër të pafajshëm. Le të kujtojmë fjalët e Koncilit II të Vatikanit: “Jeta, një herë e ngjizur, duhet mbrojtur me kujdesin më të madh; aborti dhe foshnjevrasja janë krime të neveritshme”.

E këtu, mes duartrokitjeve të zjarrta të rreth 500 të pranishmëve dhe mes zërave të një numri të madh vogëlushësh në krahët e prindërve, Papa Françesku, i cili, duke hyrë në sallë, kishte thënë: “më duket se hyra në çerdhe”, tregoi një ngjarje, që i pati ndodhur para shumë vitesh, në një takim me disa mjekë:

“Njëri më thirri më vete. Kishte një kuti dhe më tha: ‘Atë, këto dua të t’i jap ty. Këtu gjenden mjetet që kam përdorur për të bërë aborte. Kam gjetur Zotin, jam penduar dhe tani luftoj për jetën!’. M'i la në dorë të gjitha ato mjete. Lutuni për këtë njeri të mirë!”.

Papa i shprehu mirënjohje të thellë Lëvizjes për Jetën, atyre që drejtojnë qendrat e ndihmës dhe tyre që mbështesin prej kohësh projektin “Njëri prej Nesh”, në mbrojtje të embrionit njerëzor:

“Mbrojeni jetën me guxim dhe dashuri në të gjitha fazat e saj. Ju inkurajoj ta bëni këtë gjë gjithmonë, duke u ndenjur afër të tjerëve. Çdo grua duhet ta ndjejë se e shikoni si person, se e pranoni, e mirëpritni dhe e shoqëroni. Folëm për fëmijët: këtu kemi shumë prej tyre! Por do të doja të flisja edhe për gjyshërit, pjesa tjetër e jetës! Sepse duhet të kujdesemi edhe për gjyshërit, duke qenë se fëmijët dhe gjyshërit janë njëlloj, shpresa”.








All the contents on this site are copyrighted ©.