2014-04-11 14:16:11

Ju kumtojmë Lajmin e Mirë – Thirrja e apostujve të parë


Jezusi e fillon predikimin në Galile dhe po aty thërret apostujt e parë. Janë dy çifte vëllezërish, peshkatarë. Në thjeshtësinë e tregimit të Markut dallohen tri folje të rëndësishme: Jezusi kalon në bregun e detit të Galilesë, shikon peshkatarët dhe i thërret. Jezusi nuk ka një shkollë, ku nxënësit shkojnë për të mësuar prej tij doktrinën shpirtërore. As nxënësit nuk duket se ishin në kërkim të një përvoje të veçantë fetare. Vendi i takimit me Jezusin është jeta e përditshme. Në Jezusin Hyji kalon pranë njerëzve. Misteri i mishërimit realizon pikërisht këtë përmbysje: takimi me Hyjin nuk është përftim i kërkimit njerëzor, por fryti i befasishëm i kërkimit hyjnor. Hyji, duke e kërkuar njeriun, kalon aty ku njeriu punon për të nxjerrë bukën e gojës.
Jezusi i sheh vëllezërit në barkë. Nuk është shikimi i atij që dëshiron të dijë gjithçka për njerëzit, për t’i gjykuar. Jezusi sheh se peshkimi nuk u mjafton atyre galileasve. Hyji sheh pamjaftueshmërinë tonë. Nuk i sheh njerëzit nga larg, as nga lart, por nga afër, sepse ai është bërë vetë njeri. Prandaj i thërret: “Ejani pas meje! Do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”.
Marku na tregon se Simoni, Andrea, Gjoni dhe Jakobi menjëherë lanë rrjetat, barkën e të atin dhe shkuan pas tij. Gatishmëria e tyre tregon se ata njerëz të thjeshtë, thellë në zemër, e dinin se ishin të pamjaftueshëm. Rrjetat, barka, peshkimi dhe prindërit ishin gjithçka kishin, por gjithçka nuk ishte asgjë, sepse peshkatarët menjëherë i lanë, për të shkuar pas Jezusit.
Premtimi i Krishtit është i madh: “Do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”. Shpesh herë ky premtim lexohet vetëm në vështrimin misionar, domethënë si thirrje për të shkuar nëpër botë e për t’i bërë njerëzit nxënës të tij. Në të vërtetë, Jezusi i thërret apostujt të shkojnë pas tij e të jetojnë me të, sepse Krishti vetë është njeriu, që duhet të “peshkojnë”. Miqësia me të është i vetmi burim drite, që na bën t’i shohim të gjithë njerëzit të “peshkuar” prej tij. Kush jeton me Jezusin, rigjen njerëzinë e vet të humbur. Peshkatarët e Galilesë shkojnë menjëherë pas Krishtit, sepse kanë nevojë të gjejnë menjëherë kuptimin e jetës, domethënien e njeriut, qëllimin e vërtetë të ekzistencës mbi tokë. Kush kërkon të bëhet njeri i vërtetë, shkon menjëherë pas Krishtit, i cili, edhe sot, kalon pranë nesh, na shikon dhe na thërret.







All the contents on this site are copyrighted ©.